Policia holandeze ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë një protestë të dhunshme kundër emigracionit të zhvilluar të shtunën në Hagë.
Sipas agjencisë ANP, rreth 1,500 persona bllokuan një autostradë që kalon nëpër qytet, ndërsa disa prej tyre sulmuan forcat e rendit duke hedhur gurë dhe shishe. Gjatë përplasjeve u dogj edhe një makinë policie.
Autoritetet raportuan 30 persona të arrestuar dhe dy efektivë policie të plagosur.
Kryeministri Dick Schoof e dënoi protestën duke e quajtur “dhunë të turpshme dhe të papranueshme”.
Edhe kreu i Partisë për Liri (PVV), Geert Wilders, i cili kishte marrë ftesë për të folur në tubim, por nuk ishte i pranishëm, reagoi duke thënë se dhuna ndaj policisë ishte “krejtësisht e papranueshme” dhe e kryer nga “idiotë”.
Protesta u organizua nga një aktivist i së djathtës ekstreme, me kërkesën për politika më të ashpra ndaj emigracionit dhe kufizimin e azilkërkuesve.