Më pak se 5 minuta ka zgjatur seanca e dytë parlamentare e kësaj të marte në Kuvend, ku të pranishëm në sallë ishin vetëm deputetët e Partisë Socialiste.
Vetëm me 77 vota pro të mazhorancës dhe një kundër, u miratuan vetëm emrat e sovialistëve tek kryesitë e komisioneve të përhershme parlamentare. Kjo për shkak se Partia Demokratike nuk i ka dorëzuar emrat e deputetëve të saj që do të jenë kryetarë dhe nënkryetarë komisionesh të përhershme parlamentare.
E pranishme në sallën e seancave plenare, nga Partia Demokratike ishte vetëm deputetja Jozefina Topalli, e cila votoi kundër. Seanca nuk pati debat, por vetëm votimin për prezencën dhe për projekt-vendimin.
Ndryshimet në strukurën e re parlamentare u njoftuan publikisht nga Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS-së dhe u zyrtarizuan të hënën si propozim ligjor në Kuvend.
Projektvendimi i hartuar nga socialistët dhe i miratuar sot në Kuvend, parashikon shkrirjen e Komisionit të Integrimit të drejtuar nga opozita, ndërsa shton numrin e tyre nga 8 në 11 nga të cilët vetëm 4 do të drejtojë opozita.
Më konkretisht socialistët në seancën e sotme miratuan këto emra:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat
Kryetare – Milva Ekonomi
Nënkryetar – Erion Braçe
Sekretare – Zamira Sinaj
Komisioni Për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Kryetar – Ulsi Manja
Nënkryetar – Damian Gjiknuri
Sekretare – Aurora Mara
Komisioni Për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen
Kryetar – Bledar Çuçi
Nënkryetare – Olta Xhaçka
Sekretar – Ilirjan Pendavinji
Komisioni Për Edukimin Shkencën dhe Sportet
Kryetar – opozita
Nënkryetare – Evis Kushi
Sekretare – Hatixhe Konomi
Komisioni Për Shëndetësinë dhe Mirqënien Sociale
Kryetar – opozita
Nënkryetar – Eduart Shalsi
Sekretare – Enriketa Jaho
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm
Kryetare – Anila Denaj
Nënkryetar – Ceno Klosi
Sekretare – Ilva Gjuzi
Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Kryetar – opozita
Nënkryetare – Iris Luarasi
Sekretar – Ardit Bido
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural
Kryetar – Blendi Klosi
Nënkryetar – Fadil Nasufi
Sekretar – Saimir Hasalla
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën
Kryetar – opozita
Nënkryetar – Erion Malaj
Sekretar – Arkend Balla
Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme
Kryetar – Igli Hasani
Nënkryetare – Bora Muzhaqi
Sekretare – Mariana Koçeku
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale
Kryetar – Fatmir Xhafaj
Nënkryetar Ermal Elezi
Sekretare – Aulona Bylykbashi
Vlen të theksohet fakti se para seancës plenare në Kuvend, grupi parlamentar u mblodh në selinë blu, ku miratoi emrat e kryetarëve dhe nënkryetarëve të komisioneve të përhershme parlamentare, edhe pse e kundërshoi gjatë seancës së paradites ndryshimin e strukturës së re të Kuvendit.
Siç duket demokratët nuk i depozituan zyrtarisht emrat në Kuvend dhe kjo ka sjellë që ata të votohen në seancën e radhës plenare. Më konkretisht, demokratët përcaktuan këto emra:
Kryetarët e komisioneve që do të drejtojë opozita:
- Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet – Luciano Boci
- Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën – Ina Zhupa
- Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik – Jorida Tabaku
- Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqënien Sociale – Bardh Spahia
Nënkryetarët në komisionet e tjera parlamentare:
- Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat – nënkryetar Eno Bozo
- Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike – nënkryetar Oerd Bylykbashi
- Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes – nënkryetar Klevis Balliu
- Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm – nënkryetar Bledi Himci
- Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural – nënkryetar Xhelal Mziu
- Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme – nënkryetar Albana Vokshi
- Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale – nënkryetar Ivi Kaso
Seanca e paradites u shoqërua me debate të forta në Kuvend, ku socialistët miratuan me 79 vota pro me procedurë të përshpejtuar dhe në mënyrë të njëanshme ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, duke ndryshuar strukturën dhe emërtimet e komisioneve parlamentare.
Socialistët nuk morën parasysh kërkesat dhe protestën e opozitës që propozimet të shqyrtoheshin në mënyrë të rregullt duke i dhënë mundësinë asaj që të bënte amendime.
Struktura e re parlamentare u miratua pa kaluar 24 orë duke mos kaluar rrugën e zakonshme të shqyrtimit në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores.
Deputetët e opozitës braktisën procesin e votimit me akuzat për shkelje të rëndë të Kushtetutës, ndërsa socialistët e justifikuan nxitimin e tyre me argumentin se nisja e jetës parlamentare nuk mund të priste shqyrtimin e propozimeve.
“E dimë shumë mirë se këto ndryshime do votohen, por kërkohet për të gjithë ata miliona shqiptarë që duhet të kenë Kushtetutën, librin, mburojën e tyre, por që për ju kjo është një prostitutë dhe nuk ka asnjë vlerë”, – tha Sali Berisha gjatë seancës së sotme.
“Qytetarët duhet të dinë pse po ndryshon rregullorja e Kuvendit. Nuk është motiv ndryshimi i rregullores se disa prej kolegëve të mazhorancës nuk iu gjet vend në Këshillin e Ministrave dhe duhet t’i gjejmë punë si kryetar komisionesh”, – tha Bardhi.
“Propozimi i njëanshëm dhe pa gjithëpërfshirje, të cilin kanë vendosur ta kalojnë brenda 24 orëve në shkelje të procedurës së parashikuar nga rregullorja dhe Kushtetuta” – tha kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi pasi deputetët e saj nuk morën pjesë në votim.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Sali Berisha e ka quajtur vendimin e njëanshëm të mazhorancës socialiste për ndryshimet e komisioneve si një akt flagrant që ngushton hapësirat e opozitës, teksa paralajmëroi se do t’i dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, së bashku me dekretin e Presidentit Bajram Begaj për ministren virtuale “Diella”, e cila po ashtu është konsideruar si anti-kushtetuese.
“Ishte një fillim dramatik dhe nuk mund të ishte ndryshe nga individë që janë përfaqësues të karteleve të drogës, korrupsionit dhe vjedhjes së shqiptarëve, Të vendosësh një parlament dhe jetën e tij në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe rregullores është një akt madhor, i papërgjegjshëm, është një atentat i rëndë ndaj rendit kushtetues të vendit, kushtetutshmërisë dhe shtetit ligjor. Është një dëshmi tjetër e zëvendësimit në këtë vend të shtetit ligjor me narkoshtetin. Në këtë kontekst unë e dënoj me forcën më të madhe një akt të tillë, një fillim të tillë dhe ndryshe nuk mund të ishte nga ky grup njerëzish.
Imagjinoni ju se çfarë janë të aftë të bëjnë. U shkel Kushtetuta, u shkel rregullorja e parlamentit, institucionit më të rëndësishëm pas Kushtetutës në Shqipëri. Është institucioni numër 1 kushtetues i vendit dhe rregullorja e tij është ligji më i rëndësishëm pas Kushtetutës. U proceduar në mënyrë antikushtetuese dhe antirregullore. Por edhe me ndryshimet që iu bënë komisioneve përbëjnë një akt flagrant të ngushtojnë hapësirat e komunikimit të opozitës në komunitetin ndërkombëtar. Pa diskutim Komisioni i Integrimit ishte komisioni në të cilën opozita do të paraqiste të gjithë qëndrimet e saj në interes të procesit të integrimit.” – tha Berisha.