Në vitin 2022, Edi Rama ndërmori një aksion ku IKMT ushtroi kontrolle në kullat e Tiranës dhe kapi me shtesa pa leje ndërtuesit Pëllumb Salillari, Armand Lilo apo Julian Morina i njohur ndryshe si “Lul Morina”.
Pavarësisht se e propagandoi me të madhe aksionin e atëhershëm, shtesat pa leje këta ndërtues abuziv i “ligjëruan” dhe duket se nuk u cënuan fare, pasi lejet dhe tenderat nga Qeveria duket se i shtuan edhe më shumë.
Ndërkohë, pasi “fali” emrat e mësipërm, Rama prej muajit korrik ka paralajmëruar se do të krijojë një “listë të zezë” me ndërtuesit që abuzojnë me territorin dhe që shkelin lejet e ndërtimit.
Të njëjtën gjë Rama e ka deklaruar edhe ditën e sotme, gjatë prezantimit të masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, ku tha se edhe ndërtuesit që shesin dy herë një apartament, do të ndëshkohen dhe objekti do të konfiskohet menjëherë.
“Nuk bën vaki më me hapjen e platformave deri të rruga. E dyta është për paligjshmërinë e ndërtimit të ligjshëm. Një tjetër fenomen që do e ndalim njëherë e mirë. Ka një përmirësim të ndjeshëm, por nuk na intereson përmirësimi, por vetëm çfarë nuk shkon. Do të bëjmë të gjitha këto ndryshme duke ngarkuar me përgjegjësi të gjithë njerëzit që janë hallkat e ndërtimit. Në një ndërtim ku projekti transformohet shpërfytyrohet, të gjithë janë pjesë e një zinxhiri fajësie, në qendër është ndërtuesi. Ndërtuesit që do zihen në faj do hynë në listën e zezë dhe nuk do ndërtojnë dot më. Nuk mund të vazhdojmë të shohim sesi disa ndërtues mashtrojnë qytetarët. Arrihet deri në absurdin që një apartament do shiten dy herë, masa do të jetë e rëndë dhe do jetë imediat konfiskimi i pronës. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të bllokohet zinxhiri” – u shpreh Rama.
E në qoftë se ndodh kjo “lista e zezë” për ndërtuesit, duket se si gjithmonë, do të jetë një “fluskë” për të tërhequr vëmendjen, pasi është paralajmërimi i disatë i Edi Ramës për ndërtimet pa leje.
Me “listë të zezë” apo pa “listë të zezë”, sërish do të egzistojë “lista e Ramës”, ku bëjnë pjesë ata emra që janë klientë të përhershëm të Qeverisë.














