Janë zbardhur emrat e dy prej të arrestuarve mbrëmjen e djeshme në Durrës, mësohet se bëhet fjalë për Erald Mustafën dhe Arbi Haxhiun, të njohur për policinë si pjesë e grupeve kriminale që veprojnë në qytetin bregdetar.
Drejtori i policisë, Vilson Bala tha në një deklaratë për mediat se dy të arrestuarve iu gjet një armë zjarri tip pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.
“Po në kuadër të zbatimit të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në vijim të punës së pandërprerë dhe goditjeve të njëpasnjëshme për këtë qëllim, mbrëmjen e djeshme strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës zhvilluan dhe finalizuan me sukses një tjetër operacion policor me rrezikshmëri të lartë, të koduar “The next Gun”.
Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas, njëri me rrezikshmëri të lartë, konkretisht shtetasit A. M., 39 vjeç, dhe A. M., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilëve në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.
39-vjeçari A. M., person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku është vënë lëndë eksplozive banesës së shtetasit I. Gj.”, tha drejtori i policisë Vilson Bala.
Mustafa rezulton i ndaluar edhe më parë nga policia konkretisht në vitin 2023 ku u kap me armë. Dyshohet se ai ishte nisur të kryente një vrasje për hakmarrje pasi i ishte vendos tritol në automjet. Ai gjithashtu mësohet se është pjesë e grupit të “Rrumit të Shijakut”.
Ai është arrestuar edhe në tentativë për të kryer një vrasje më 2021. Mustafa ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dënuar me 10 vite burg në Gjermani.
LEXO EDHE:
Janë shoqëruar disa persona me rrezikshëri të lartë, detaje nga operacioni i policisë në Durrës