Politikat fiskale të Shqipërisë kishin ndikim shumë të dobët në uljen e pabarazisë sipas ”World Social Report 2025” nga Kombet e Bashkuara.
Botimi i OKB-së argumentoi se si politikat fiskale ndikojnë në uljen e pabarazisë në vende të ndryshme të botës. Psh në Europën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut politikat fiskale arrijnë të ulin ndjeshëm pabarazinë, në shumë vende të tjera, të tilla si Shqipëria ndikimi mbetet i kufizuar.
Vendi ynë renditet në mesin e vendeve ku roli i politikës fiskale në uljen e pabarazisë është i dobët. Në grafikun e mëposhtëm ajo renditet pranë Federatës Ruse, Serbisë dhe Malajzisë, me një diferencë shumë të vogël midis koeficientit Gini të të ardhurave të tregut dhe atyre të disponueshme pas taksave dhe transfertave (Koeficienti Gini i të ardhurave të tregut tregon sa e pabarabartë është shpërndarja e të ardhurave para se të ndërhyjë shteti, ndërsa Koeficienti Gini i të ardhurave të disponueshme tregon pabarazinë pas taksave dhe pas përfitimeve që jep shteti, pensione, ndihma sociale, shërbime publike).
Bazuar në këtë matje studimi i Kombeve të Bashkuara tregon se sistemi fiskal shqiptar, përfshirë taksat dhe programet e shpërndarjes sociale, nuk arrin të zvogëlojë ndjeshëm hendekun mes shtresave të pasura dhe të varfra.
Në kontrast, vendet e Europës Veriore si Irlanda, Belgjika, Finlanda dhe Austria shënojnë ndikimin më të madh, duke arritur të reduktojnë pabarazinë me mbi 12 deri në 16 pikë përqindjeje. Kjo diferencë e madhe thekson se politikat fiskale në Shqipëri kanë një efekt modest dhe se barra e taksave dhe shpërndarja e burimeve publike nuk arrijnë të funksionojnë si mekanizma të fortë për balancimin social.
Ndërsa shumë vende të rajonit apo edhe më tej arrijnë të përdorin politikën fiskale si instrument për uljen e pabarazisë, Shqipëria edhe pse me një qeverisje socialiste rrezikon të mbetet në një spirale ku diferencat sociale thellohen, duke penguar zhvillimin e qëndrueshëm dhe progresin e kapitalit njerëzor.
Raporti i OKB -së vë në dukje se Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të ndërtuar një model më të drejtë shpërndarjeje të të ardhurave, ku shteti të ketë një rol më aktiv në mbrojtjen e shtresave të brishta dhe reduktimin e pabarazisë.
Sipas World Social Report 2025 të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria mbetet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, por përballet ende me sfida të mëdha në drejtim të pabarazisë, punësimit dhe mbrojtjes sociale.
Raporti thekson se pasiguria në tregun e punës mbetet një fenomen i përhapur edhe në vendet me të ardhura mesatare, përfshirë Shqipërinë. Një pjesë e madhe e punësimit zhvillohet në sektorin informal, duke i ekspozuar punëtorët ndaj kushteve të pasigurta dhe të ardhurave të paqëndrueshme. Ky fenomen pengon rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe ul besimin tek institucionet./ Monitor