Një 33-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi një ditë më parë përplasi me makinë një efektiv që po lëvizte me biçikletë.
Pas aksidentit shoferi u largua nga vendi i ngjarjes.
Blutë sekuestruan automjetin e përfshirë në aksident, i cili u lokalizua në momentin që drejtohej nga një 37-vjeçar, që dyshohet se ishte në efektin e lëndëve narkotike.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin K. B.(L.), 33 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. K., 37 vjeç. Dje, 33-vjeçari përplasi me automjet, biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi S. Gj., 63 vjeç (punonjës policie që sapo kishte dorëzuar shërbimin), dhe u largua nga vendi i aksidentit. Shërbimet e Policisë sekuestruan automjetin e përfshirë në aksident, i cili u lokalizua në momentin që drejtohej nga 37-vjeçari, dyshohet në efektin e lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit në automjet, u gjet një sasi lënde narkotike Kokainë, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale. Ndërkaq, i aksidentuar, shtetasi S. Gj. ka marrë ndihmë mjekësore dhe është larguar në banesë, jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.