Kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka ka komentuar ashpër kodin penal të ri, duke e cilësuar atë një strategji represive të qeverisë “Rama”, e cila sipas tij synon ndëshkimin masiv të qytetarëve dhe shtypjen e çdo zëri kundërshtues.
Ai tha se vendimet merren në mënyrë autoritare nga vetë kryeministri, pa respektuar as Kushtetutën dhe as institucionet, ndërsa opozita edhe pse në kushte të vështira është e vetmja zë e lirë që mbetet në sistemin politik shqiptar.
Paloka nuk kurseu as akuzat ndaj farsës elektorale të 11 majit, duke theksuar se Shqipëria sot nuk ka më shtet, por një regjim personal të bazuar mbi frikën, tenderat dhe kontrollin absolut mbi çdo pushtet.
“Kjo është strategjia jo origjinale e Ramës, sepse ai nuk ka asgjë origjinale në vendimet e tij. Janë metoda terrori dhe absurditete të tilla, qoftë edhe në aspektin ligjor. Të ndalosh komentimin e vendimeve të gjykatave është njësoj si të të hiqet e drejta e fjalës. Çfarë ka një diktaturë më shumë se kaq?
Nuk bëhet më fjalë për shtet demokratik, as që diskutohet por nuk ka më as shtet. Që prej 11 majit, unë me ironi i drejtohem këtij me “Mreti”. Me ironi, sigurisht. Një lloj “mreti shurraq”, që siç duket, këtë meritojmë. Nuk bëhet më fjalë për shtet. Këtu kemi një njeri që bën çfarë i teket. Zgjohet në mëngjes dhe vendos si të dojë. Nuk njeh ligje, kushtetutë, asnjë institucion. Sot i teket të bëjë shi, nesër del dielli për veten dhe për ata që e votuan.
E vetmja gjë e mirë që ka të qenit në opozitë pas 12 vitesh me këtë njeri, është që në fund, sado pak të jemi në Parlament, jemi njerëz të lirë. Ndërkohë, ata që mendojnë se kanë fituar, janë skllevër që ky i mban të lidhur me zinxhirë floriri tendera, favore, përfitime…
Ata që na kanë votuar ne, të paktën janë të lirë. Ndërsa skllevërit që e votuan dhe që i dëgjojmë çdo ditë, tani thonë se janë penduar. Nuk ua kam thënë hapur, por nuk më vjen keq për ta – e kanë ditur që kjo ditë do vinte.
Kush nuk e dinte se Rama ishte ky? Pas 12 vitesh në pushtet, e dinim shumë mirë çfarë të prisnim: një diktaturë në formën më të shëmtuar. Enveri do të na duket lule para një mostre si ky. Një qenie negative është negative në çdo aspekt. Ai nuk e do luksin kënaqësia më e madhe e tij është kur i sheh të tjerët të vuajnë. Pasi i bën keq, i poshtëron.
Të gjithë e dinë pse po ndodh kjo. Sepse pas një muaji ai do të shpallë zgjedhje, maksimumi, dhe do t’i dojë të gjithë në rresht. Kjo nuk e dëmton atë. OFL ishte një mënyrë për të shtrënguar banditët që nuk i bindeshin. Ua konfiskoi gjithçka dhe u tha: punoni për mua tani. Kjo ishte OFL-ja e tij në biznes. Kur të vijnë zgjedhjet, do t’u thotë: merreni prapë dhe do ta paraqesë si një favor“, tha Paloka në Syri TV.