Nga Tomorr Alizoti
E gjithë fuqia e tij vjen nga vjedhja e zgjedhjeve. Shumë analistë politikë përpiqen në biseda studiosh dhe tavolinash të gjejnë arsyen e sjelljes së paarsyeshme të kryeministrit. Por çdo teori e tyre, edhe ajo më konspirative, përplaset me murin e logjikës: çfarë fiton vendi apo edhe vetë kreu i bandës nga këto veprime dhe ligjërime?
Në fakt, politikisht Edi Rama po sillet si një “idiot”. Ekziston një libër shumë i bukur, “I rrethuar nga idiotë”, që shpjegon për mrekulli psikologjinë e Ramës. Ndër të tjera, autori rrëfen për një takim me pronarin e një kompanie. Ky, një biznesmen i madh, i ankohet shkrimtarit për vartësit e vet, duke i quajtur të gjithë idiotë. Dhe autori, pasi e dëgjon për disa minuta, e pyet: “Këta idiotët, kush i ka marrë në punë?” Që nga ajo pyetje, pronari i madh i biznesit dhe shkrimtari nuk ishin më miq.
Vetëm kjo pyetje do të mjaftonte për të shpjeguar të gjithë ligjëratën dhe “idiotësinë politike” që po prodhon Edi Rama këto ditë të nxehta vere. Ngjashmëria që ka Edi Rama me atë pronarin e biznesit që përmend autori është pikërisht pushteti që ai ushtron mbi vartësit. Në kushte normale, ku ligji dhe normat e administrimit të vendit burojnë nga zbatimi i Kushtetutës, Edi Rama nuk do të guxonte kurrë të sillej si pronar i pushtetit gjyqësor kur urdhëron procedimin e prokurorëve, apo si skllavopronar ndaj kryebashkiakëve të vet.
Të gjithë pushtetin, të krahasueshëm me atë të një pronari kompanie që merr në punë dhe heq nga puna kë të dojë, ai e ka fituar përmes vjedhjes së zgjedhjeve. Duket si një sforcim i madh, apo si një justifikim i pamundësisë për ta konkurruar ndershmërisht. Por në të vërtetë, vjedhja e zgjedhjeve është katalizatori i “idiotësisë politike” të Ramës. Pushteti i vjedhur me dhunë ekstreme të çon në një qeverisje të papërgjegjshme – deri aty sa, në mes të sezonit turistik, krijohen konflikte të armatosura në sytë e turistëve të huaj; deri aty sa verbohesh nga kullat në qendër të Tiranës dhe sheh vetëm kasollet nëpër male; deri aty sa tallesh, kërcënon dhe përbuz emra dhe individë që vetë i ke emëruar në krye të bashkive apo institucioneve të tjera.
Vjedhja e zgjedhjeve dhe pushteti absolut sjellin vetëm dhunë. Sjellin mungesë bashkëjetese. Prandaj Rama sot sillet si ai pronari i “idiotëve”.
Pyetja, në kushte të tilla, është: Çfarë do të bëjë opozita? Është pak qesharake t’i kërkosh opozitës të mbrojë kryetarët e bashkive të emëruar nga Rama, të cilët jo vetëm që u “zgjodhën” në kushte të frikshme politike, por ishin vetë në krye të operacionit të partisë për të vjedhur zgjedhjet dhe rizgjedhur Ramën kryetar.
Në këto kushte, “karma” është përgjigjja më e mirë për ta.
Në qeverinë e Ramës ka pasardhës biologjikë të atyre që dikur kaluan nga vilat e Bllokut në kasollet e internimit. Asnjë keqardhje për ta. Problemi i vërtetë është se veprimet e “pronarit të idiotëve” po e çojnë vendin drejt autokracisë. Dhe nuk ka asnjë shembull në botë – sado që përpiqen të justifikohen nga të sponsorizuarit e Kinës apo Rusisë – që qeverisja autokratike të sjellë zhvillim.
Kjo është detyra primare e opozitës: të denoncojë vjedhjen e zgjedhjeve, sepse ato sjellin gjithmonë një qeverisje të papërgjegjshme.