Më 27 dhjetor 2017, kompania shtetërore “AlbControl” do të lidhte kontratën për “Rehabilitimi i Kullës së Kontigjencës” me kompaninë fituese “ALKO-IMPEX General Construction” shpk me vlerë 371 mijë euro.
Lidhja e marrëveshjes vazhdoi më tej duke akorduar edhe një shtesë kontrate në 2018 me vlerë 4.7 milionë lekë.
Nga dokumentet zyrtare rezulton se ky tender është firmosur vetë personalisht në kundërshtim me ligjin asokohe nga zv.kryeministrja Balluku, me numër protokolli 2317/4, në 27 dhjetor 2017.
Në kontratë parashikohet se “ALKO-IMPEX General Construction” e administruar nga Arbër Abazi dhe në pronësi të Imer Ademit do të merrte pagesën paraprake për 70 % të vlerës totale të kontratës.
Në informacionet e siguruara nga “Vetting” rezulton se në ditën që është firmosur kontrata, AlbControl-i ka bërë një urdhër transferte me faturë tatimore nr. 117 me seri 51770495 duke realizuar paradhënie në shumën 31,3 milionë lekë për kompaninë “ALKO-IMPEX General Construction”, gjë e cila është në shkelje të ligjit të Prokurimeve Publike sipas Dokumenteve Standarde të këtij tenderi.
Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që do të zbulonte shkelje të tjera te kjo kontratë pasi ka patur probleme me zbatimin, të cilat konfirmojnë indiciet për favorizim nga ministrja Belinda Balluku.
Konkretisht në kontratën e firmosur midis palëve ka patur punime me vlerë 2.3 milionë lekë ose 23 mijë euro, të cilat bien në kundërshtim me kushtet e kontratës. Pra, të tjera gjëra deklarohen në marrëveshje dhe të tjera gjëra janë realizuar nga kompania.
Këto shifra janë të ulëta në krahasim me ato që do të siguronte kompania e klonuar, e cila është në pronësi të Arbër Abazit, nipi i ish deputetit socialist Sadri Abazi.
Sipas burimeve mediatike, Arbër Abazi aksioneri i “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe administratori i kompanisë “ALK0-IMPEX General Construction” rezulton të ketë lidhje të afërta me ministren e Infrastrukturës, njëkohësisht zv/kryeministren Belinda Balluku, të cilat hedhin dyshime për konflikte interesi.
Kompanitë e Abazit kanë marrë dhjetra miliona euro tendera nga buxheti i shtetit, duke shkelur Ligjin e Prokurimeve Publike dhe Ligjin “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Sipas avokatit Arben Llangozi, rastet e denoncuara në media duhet të verifikohen nga Prokuroria e Posaçme për të hedhur dritë mbi këto ngjarje.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit realizon auditim të gjithanshëm dhe rastet e evidentuara nga ky institucion duhet të jenë objekt i hetimeve nga SPAK-u”, tha për “Vetting” avokati Llangozi.
Në listën e institucioneve që kanë furnizuar me para publike këto kompani, kryeson Autoriteti Rrugor Shqiptar, i ndjekur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, institucione të cilat kanë varësi nga ministrja dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, ku drejtuesi i ARRSH-së propozohet nga vet Balluku.
Lidhjet e dyshimta financiare të Arbër Abazit me favorizime nga zv.kryeministrja e kanë zanafillën që nga koha e AlbControlit, periudhë në të cilën u rrit ndikimi i Ballukut brenda Partisë Socialiste.
Sipas kryetarit të lëvizjes Politike “Nisma Thurje” Endrit Shabani, sot që flasim disa nga kompanitë që operojnë në fushën e prokurimeve publike kanë monopolizuar të gjithë kapitalin shtetëror me favorizime nga segmente të caktuara të klasës politike.
ALKO IMPEX DHE BALLUKU
Historia e kompanisë Alko e ka fillesën në nëntor të vitit 2012, kur pronari i “KLEDOR ALBANIA-09”, Tabir Hysa, sot e quajtur “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” do të pezullonte aktivitetin e kompanisë, e cila kishte vetëm 3 vite që operonte në tregun shqiptar. Disa muaj pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, në dhjetor 2013, Arbër Abazi do ta blinte këtë kompani me vlerë 100 mijë lekë.
Duhet theksuar se “marifeti” i biznesmenit të ri do të qëndronte në ndryshimin e emrit të kompanisë, duke e quajtur “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”. Pra, kompania e re me emër do të ishte një klon i kompanisë “ALKO-IMPEX General Construction”, duke krijuar një rrëmujë informative, si në institucionet publike, por edhe në hapësirën mediatike.
Ka qenë kjo ngjashmëri me emrat, e cila ka tërhequr vëmendjen për të kontrolluar tenderat që janë fituar nga këto kompani, për të verifikuar nëse kemi shkelje ligjore.
Në janar 2018, Bashkia Devoll do të finalizonte tenderin pa garë për pastrimin e zonave të bashkisë me ofertë fituese 98 milionë lekë ose rreth 1 milion euro. Sipas Buletinit të Prokurimeve Publike, ky tender është fituar nga “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” shpk me numër nipti “K91628013D”.
Pra, kompania që nuk ka qenë aktive ka fituar tenderin për pastrimin.
Por a kemi të bëjmë me një gabim njerëzor apo të qëllimshëm?
Dy indicie, përbëjnë një provë thonë italianët. Bashkia Devoll nuk është e vetmja, që ka shpallur fituese një kompani, e cila ka qenë e pezulluar, por kësaj liste i bashkohet edhe Ministria e Mirëqënies dhe Sipërmarrjes së Lirë.
Në maj 2017, kjo Ministri do të shpallte fitues për tenderin “Rikonstruksion i shkollës “Ali Myftiu Elbasan” me ofertë 81 milionë lekë “ALKO IMPEX” shpk, pa specifikuar numrin e niptit.
Gara u shënua me flamur të kuq sepse dy kompanitë e tjera, që kishin bërë ofertë më të ulët u skualifikuan nga institucioni, duke shfaqur indicie për favorizim fituesi. Dy muaj më pas në buletinin zyrtar, kompania që kishte lidhur kontratën do të shfaqej përsëri “ALKO IMPEX” shpk, me numrin e niptit të “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”.
Në të paktën, dy raste kompania e cila ka qenë me status të pezulluar, ka fituar dy tendera nga dy institucione të ndryshme. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania do të rifillonte aktivitetin në 14 korrik 2018.
Sipas avokatit Llangozi, nëse këto raste janë të vërteta, edhe titullarët e institucioneve duhet të hetohen dhe të ndiqen penalisht.
“Sipas Ligjit të Prokurimeve Publike, ekstraktet e kompanive duhet të verifikohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe është e habitshme se si mund të shpallen fituese kompani që nuk janë funksionale”, u shpreh avokati Llangozi.
- Manovrat e Arbër Abazit, si iu dha nga ARRSH tenderi pa garë dhe 14 milionë euro në ‘tavë’!
Nga fundi i vitit 2018 do të plaste skandali me tenderin e Unazës së Madhe, tender i cili i kushtoi disa drejtorë qeverisë shqiptare duke “sakrifikuar” edhe ish-ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.
Do të ishte pikërisht ky skandal që do të largonte nga detyra Gjiknurin për t’u zëvendësuar në 17 janar 2019 nga ish-vartësja e tij, drejtoresha e AlbControlit Belinda Balluku. Pikërisht nga viti 2018 deri në vitin 2019, kompania “Alko Impex Construction” do të shumëfishonte të ardhurat nga 28 milionë lekë në 354 milionë lekë, ose gati 3.6 milionë euro të ardhura në vit nëpërmjet fondeve publike.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Gjeodetëve inxhinierit Romeo Nazarko, në rastin e Autoritetit Rrugor Shqiptar kemi raste të korrupsionit me tenderat e rrugëve. “Kemi rastin e Unazës së Tiranës me kompaninë amerikane, të cilët ne (Shoqata e Gjeodetëve) e kemi denoncuar”, tha për “Vetting” inxhinieri Nazarko. Ngritja në detyrë e Ballukut nga Drejtoreshë e AlbControl, në ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë do të shoqërohej paralelisht me zhvillimin ekonomik të “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”.
Mallkimi i tenderave të Unazës së Tiranës me fondet e ARRSH-së nuk do të mbyllej me kaq, pasi ashtu si paraardhësi i saj Gjiknuri, edhe Balluku do të ishte pjesë e një skandali për paracaktimin e fituesve me institucionet në varësi të saj. “Vetting” ka zbuluar afera të tjera që lidhen me tenderin e mirëmbajtjes dhe tenderin e Unazës së Jashtme të Tiranës. Më 11 prill 2022, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të hapte garën për Marrëveshjen Kuadër për mirëmbajtjen e rrugëve të Rajonit Verior dhe Qendror me fond limit 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë euro.
Ky tender do të njollosej nga gara pa garë, pasi në 6 Qershor 2022 dy kompanitë “Alko” që administrohen nga Arbër Abazi do të fitonin tenderin pa patur asnjë konkurrent, duke u shënuar me flamur të kuq. Sipas platformës “Openprocurement.al” të AIS-it, kjo procedurë paraqet dyshime për korrupsion dhe favorizime nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Nga verifikimi i kushteve për të fituar tenderin, “Vetting” ka zbuluar se dy kompanitë nuk plotësojnë kushtin 2.2.1, të cilat lidhen me kapacitetet ekonomike dhe financiare të kompanive që marrin pjesë në garë.
Sipas pikës 2.2.1, “për të provuar kapacitetet financiare dhe ekonomike, Operatorët ekonomikë duhet të paraqesin vërtetim nga administrata tatimore, për xhiron vjetore për vitet financiare 2018, 2019, 2020, ku vlera e xhiros për të paktën një nga vitet e periudhës së kërkuar duhet të jetë jo më e vogël se vlera e parashikuar e kontratës që prokurohet”.
Në rastin konkret, duke bashkuar të dyja xhirot e kompanive, në qoftë se përllogarisim xhirot maksimale për këto vite, zbulojmë se në asnjë moment ato nuk arrijnë xhiron vjetore totale 1.4 miliardë lekë, e cila është edhe vlera e fondit limit.
Në vend që t’i skualifikonte kompanitë dhe të anullonte tenderin, ish-Drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi ka bërë të kundërtën duke shpallur fituese kompanitë në kundërshtim me ligjin e Prokurimeve Publike.
Sipas avokatit Llangozi, shqetësimi i ngritur nga drejtuesi i SPAK Altin Dumani për mungesën e kallëzimeve nga institucionet shtetërore është një problem që nuk ka marrë zgjidhje.
“Rastet e shkeljes së procedurave të tenderave janë të shumta, por institucionet nuk denoncojnë, gjë e cila është evidentuar edhe nga drejtuesi i SPAK-ut Altin Dumani”, deklaroi avokati Llangozi.
Verdho dhe Berberi favorizuan duopolin e tenderave në ARRSH
Në maj 2018, kompania “ALKO-IMPEX General Construction” dhe “2 T” sh.p.k do të themelonin kompaninë koncesionare “ECO CLEANING”, e cila do të ndryshonte dhe pozitat e këtyre kompanive në tregun shqiptar, të cilat më së shumti veprojnë në fushën e ndërtimit të rrugëve dhe mbetjeve. Në këtë rast “2T” dhe “ALKO-IMPEX General Construction” zotërojnë një kompani koncesionare, e cila ka lidhur kontratë pastrimi me Bashkinë Kamëz. Ky bashkim operatorësh do të ndryshonte edhe kushtet e garës për këto kompani, pasi të dyja do të garonin për tenderat e shpallur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Nga kërkimi i “Vetting” rezulton se këto kompani do të garonin disa herë në të njëjtin tender, duke shkelur vetë kushtet e pranimit.
“Vetting” ka zbuluar se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave te Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka evidentuar lidhjen midis dy kompanive, të cilat janë në shkelje të ligjit. Edhe pse kanë shkelur disa herë kushtet e dokumenteve standarde, edhe pse janë shpallur fituese nga institucioni që varet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përsëri ky fakt nuk është bërë evident, as nga Autoriteti Rrugor Shqiptar që duhet t’i kishte skualifikuar, as nga Autoriteti i Konkurrencës.
Sipas Ligjit nr. 9121 dt 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, neni 10, përqendrime të ndërmarrjeve kemi në rastet kur shkaktohet një ndryshim i qëndrueshëm i kontrollit si rrjedhojë e bashkimit të dy ose më shumë ndërmarrjeve ose pjesë ndërmarrjesh të pavarura nga njëra–tjetra.
Në këtë rast, sipas nenit 12, të po këtij ligji, njoftimi duhet të bëhet kur xhiroja vjetore në tregun e brendshëm e bashkimit të këtyre dy kompanive arrin më shumë se 400 milionë lekë ose njëra prej këtyre kompanive duhet ta ketë xhiron në tregun e brendshëm mbi 200 milionë lekë.
Të dyja kompanitë kanë xhiro vjetore më të lartë se 400 milionë lekë dhe për të verifikuar rastin, “Vetting” kontaktoi Autoritetin e Konkurrencës nëse këto kompani kishin bërë njoftimin, që e kanë detyrim ligjor për krijimin e një kompanie të re si bashkim ndërmarrjesh.
Në kthim-përgjigje për “Vetting”, Sekretari i Përgjithshëm, Endri Çekani deklaroi se rasti do të merrej në shqyrtim, duke sqaruar se do të ketë masa në rast të mungesës së njoftimit.
Për “Vetting”, Autoriteti i Konkurrencës konfirmoi se të dyja kompanitë nuk kishin bërë njoftimin, pra ishin në shkelje, por duke qenë se kanë kaluar më shumë se 5 vite nga këto raste, sipas nenit 78, pika 2, vendosja e gjobave u nënshtrohet afateve të parashkrimit sipas rastit në nenin 74 të ligjit të Konkurrencës. Pra, gjoba u falet kompanive sepse rasti është evidentuar shumë vonë, edhe pse në këtë rast miliona euro janë fituar duke dëmtuar konkurrencën.
Por ka një problem, kontratat publike janë firmosur në vitin 2020 dhe 2021 dhe për këtë duhet të reagojë jo vetëm Autoriteti i Konkurrencës, por edhe Agjencia e Prokurimeve Publike pasi kemi hapur një shkelje që nuk mund të amnistohet.
Në të paktën 4 raste, “Vetting” ka konstatuar se bashkimi i kompanive “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe “ALKO-IMPEX General Construction” kanë garuar, në të njëjtat tendera me kompaninë “2 T” sh.p.k, kompani me të cilën Arbër Abazi rezulton i lidhur nëpërmjet kompanisë “ECO-CLEANING”.
Rasti i parë lidhet me Marrëveshjen Kuadër për mirëmbajtjen me performancë e rrugëve të Rajoni Qendror, Loti 6 me fond limit 302 milionë lekë me afat 48 muaj. Gara për tenderin u shpall në korrik 2020, ku të vetmit që garonin për fondet publike ishte konsorciumi i “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe “ALKO-IMPEX General Construction” kundra kompanisë “2 T” sh.p.k.
Më 12 tetor 2020, Ergys Verdho do të shpallte fitues të kontratës me ofertë 301 milionë lekë osë 3 milionë euro bashkimin e kompanive, që menaxhohen nga Arbër Abazi. Në vend të dytë, do të renditej “2 T” sh.p.k, me ofertë 400 mijë lekë më pak se bashkimi i operatorëve ALKO.
Dyshimet janë të forta për tender të paracaktuar pasi ofertat nga të dyja kompanitë garuese janë 99.9 % e fondit limit dhe në këtë rast, Ergys Verdho duhet të kishte anuluar tenderin.
Sipas ligjit të Prokurimit Publik, neni 2 citon se gara ka si synim të sigurojë mirëpërdorim të fondeve publike dhe të nxisë konkurrencën, e cila nuk është arritur te tenderi i mirëmbajtjes.
Madje, ky ligj ka të parashikuar edhe masat e përgjithshme për parandalimin e korrupsionit, ku sipas nenit 18, shkruhet qartë se “Operatorët ekonomikë me veprimet e tyre nuk duhet të shkelin parimet e konkurrencës, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.”
Rasti i dytë lidhet me Marrëveshjen Kuadër për mirëmbajtjen e rrugëve të Rajonit Qëndror – Loti 4 me fond limit 263 milionë lekë me afat 48 muaj. Edhe në këtë tender, në shkurt 2021, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të shpallte fitues bashkimin e kompanive “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe “Alko-Impex General Construction” me ofertë fituese 223 milionë lekë.
Përsëri në të njëjtën garë, ku ishin binjakët ALKO do të merrte pjesë kompania “2 T” shpk, por kësaj radhe do të kishte edhe konkurrentë të tjerë si kompanitë “I.D.K Konstruksion & 4A-M” dhe “VICTORIA INVEST”. Kjo e fundit do të skualifikohej nga gara pasi do të bënte ankesë për vendimin e grupit që organizonte tenderin nën drejtimin e Ergys Verdhos.
Më 14 dhjetor 2021, “Victoria Invest” do të paraqiste ankesë te Komisioni i Prokurimit Publik, institucion që drejtohej nga Jonaid Myzyri. Në ankesë, kjo kompani kundërshtonte vlerësimin me pikë nga ARRSH-ja, si dhe kërkonte skualifikimin e të dyja kompanive, konsorciumit të ALKO-ve dhe kompanisë “2 T”, të cilat rezultojnë si bashkëpronare të kompanisë “ECO-CLEANING”.
Në fakt “Victoria Invest” sh.p.k ka ofertë më të volitshme se të dyja kompanitë, por sipas ARRSH-së është skualifikuar sepse nuk ka marrë shumë pikë te kriteret e tjera, si eksperienca dhe makineritë. Përpara se të bënte ankesë te KPP-ja, kompania ka bërë ankesë te Autoriteti Rrugor Shqiptar, ku sipas “Victoria Invest”, ARRSH-ja nuk i kishte shpjeguar arsyet se pse kompania me ofertën më të mirë ishte në fund të renditjes me pikë. Madje, theksohet se është vendosur një kriter për pikët midis kompanive konkurruese, i cili është në kundërshtim me vet kushtet e tenderit (DST).
Por ajo që bie në sy është standardi i dyfishtë i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ku nga institucioni publik kërkohet që makineritë, të cilat do të përdorin kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve të mos jenë në përdorim në kontratat e tjera. Në këtë rast, “Victoria Invest” sjell si shembull vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik në shtator 2020, për tenderin “kryerja e sherbimit te pastrimit ne qytetin e Elbasanit”, ku ankues ishte “ALKO-IMPEX General Construction”. KPP-ja e ka pranuar ankesën dhe e ka gjykuar këtë kusht në kundërshtim me ligjin për Prokurimet Publike. Edhe pse ka bërë ankesë të gjatë dhe të argumentuar, Komisioni i Prokurimit Publik ka refuzuar ankesën e “Victoria Invest”, duke e skualifikuar plotësisht nga gara.
Kjo nuk është hera e parë, që Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Komisioni i Prokurimeve Publike koordinohen në sinkron me njëra-tjetrën për fituesit e tenderave, edhe kur këta të fundit nuk plotësojnë të gjitha kushtet e vendosura te Dokumentat Standardte. Është e qartë se ekziston një autoritet mbi të tjerët, që favorizon këtë kompani dhe kjo sjell dyshimet drejt njerëzve, që lidhen me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Përpara se të kalonte si drejtues i Agjencisë së Prokurimeve Publike, Myzyri ka qënë pjesë e Komisionit të Prokurimeve Publike te njësia e Ministrisë së Infrastrukturës, nën drejtimin e zv. kryeministres Balluku./ Emisioni VETTING