Unioni Turistik Shqiptar ka kërkuar që nga institucionet në vend të merren masa për të garantuar një turizëm cilësor me ndërhyrje në disa aspekte që ose janë problematike ndër vite ose janë shtuar së fundmi.
Përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale Kryetari i këtij Unioni Rrahman Kasa nënvizon se zonat turistike janë shpesh të përfshira nga ndërtime dhe kantiere ndërtimi teksa problem është bërë mungesa e ujit, infrastruktura e pamjaftueshme apo aspak në standarde në disa zona turistike.
Kasa nënvizon se qasja e qeverisë duhet të jetë e tillë që të orientojë një buxhet të dedikuar për investimet në shërbim të turizmit duke pasur parasysh efektin e drejtpërdrejtë por edhe atë indirekt që ka ky sektor në ekonomi. Unioni propozon një sërë masash fiskale që mund të merren dhe po kështu i bën thirrje edhe vetë bizneseve të turizmit të jenë të përgjegjshme me çmimet dhe shërbimin.
“Si Kryetar i “Unionit Turistik Shqiptar” (ATU), dëshiroj të ndaj me ju shqetësimet dhe problematikat që na janë adresuar nga bizneset e turizmit, një pjesë e të cilave janë të hershme, por disa prej tyre janë shfaqur ose janë rritur kohët e fundit.
Për këtë arsye, i kam propozuar autoriteteve mbajtjen e një takimi ndërinstitucional, ku, përveç MTM-së, të marrin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Transportit, Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, Drejtorisë së Policisë Rrugore, Drejtorisë së Agjencisë Kombëtare të Bregdetit etj., me qëllim që të diskutojmë mbi sfidat dhe problematikat, të koordinojmë një bashkëpunim të përbashkët për të identifikuar pengesat e sektorit të turizmit dhe të hartojmë një diagnozë të gjendjes aktuale.
Qëllimi është të arrijmë në një konsensus mbi fushëveprimin e institucioneve, të përcaktojmë objektivat dhe veprimet që duhen ndërmarrë për të mirën e kësaj industrie të rëndësishme të ekonomisë sonë.
Aktualisht, disa vende të rajonit po përballen me një reduktim të ndjeshëm të numrit të turistëve, për shkak të vetëkënaqësisë dhe mungesës së vëmendjes ndaj problematikave të sektorit. Nëse nuk merren masa, ekziston rreziku që e njëjta situatë të ndodhë edhe tek ne në vitet në vijim. Disa nga shqetësimet kryesore që duam të sjellim në vëmendje janë:
- Ndërtimet dhe ambientet e rrënuara në disa zona turistike
Në shumë zona, turisti përballet me ambiente në ndërtim, të pakuruara dhe të papastra. Më e theksuar kjo dukuri është në zonën bregdetare të Golemit, e cila është kthyer në një kantier ndërtimi. Partnerët ndërkombëtarë që kanë kontraktuar hotelet në këtë zonë janë tejet të shqetësuar.
Golemi është sot në një gjendje katastrofale: i mbuluar nga inertet, me vinça, kamionë dhe eskavatorë që punojnë në mes të sezonit. Turistët ankohen për zhurmën, pluhurin, rrugët e bllokuara. Autobusët janë të detyruar të ndalojnë larg hoteleve dhe turistët tërheqin valixhet 300-400 metra në rrugë me gurë e inerte. Ironikisht, disa kanë thënë se duhet t’u kishim thënë të merrnin kaska dhe rroba pune, jo rroba plazhi.
- Mungesa e ujit
Një shqetësim i madh sidomos në zonën e Golemit dhe në bregdetin e Jugut gjatë sezonit veror, që dëmton rëndë funksionimin e bizneseve turistike.
- Informaliteti dhe aktivitetet pa licencë
Kemi propozuar ngritjen e një Task-Force të posaçme që të monitorojë dhe luftojë fenomenet e informalitetit dhe konkurrencës së pandershme. Kjo strukturë nuk duhet të ngatërrohet me Komitetin e Menaxhimit të Sezonit Turistik, i cili ka vetëm rol koordinues, por nuk ka autoritet për kontroll dhe ndëshkim.
- Ofrues të pakualifikuar shërbimesh
Agjenci udhëtimi dhe guida turistike që nuk respektojnë rregullat dhe standardet.Guida të huaja që operojnë në informalitet, duke ofruar shërbime të ulëta në cilësi dhe duke rrezikuar sigurinë e turistëve.
- Transportues turistik pa standarde
Shumë mjete transporti janë të paçertifikuara dhe në shkelje të ligjit, duke rrezikuar jetën e turistëve dhe imazhin e vendit. Sipas INSTAT, vetëm 1 në 5 vizitorë qëndron në struktura të licencuara. Pjesa tjetër ndjek forma informale si Airbnb, shtëpi pritëse e bujtina, që duhet të evidentohen dhe të monitorohen nga strukturat përkatëse. Këto problematika mund të ishin parandaluar nëse do të ishte marrë në konsideratë propozimi ynë për ngritjen e një Task-Force, e cila të evidentojë subjektet e paregullta dhe të ndërhyjë ndaj mjeteve e strukturave në shkelje të ligjit.
- Mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara
Turizmi dhe udhëtimet gjeneruan 93,500 vende pune në 2024, që përfaqëson 7.7% të punësimit total. Për 2025 nevojiten edhe 20,000 vende të reja pune.
- Burokracitë për pajisjen e të huajve me leje qëndrimi
Ka barriera serioze në procesin e pajisjes me leje qëndrimi të punonjësve të huaj, që janë të kontraktuar rregullisht nga bizneset, kryesisht nga Azia dhe Afrika. Zvarritja e këtij procesi po dëmton hotelet, të cilat mbeten pa staf dhe, për pasojë, ofrojnë shërbime të mangëta.
- Mbingarkesa e infrastrukturës rrugore
Segmentet drejt destinacioneve të rëndësishme turistike si Lumi i Shalës, Shëngjini, Ksamil, etj., nuk po përballojnë dot fluksin, duke ndikuar negativisht në përvojën e turistëve.
- Rritja e investimeve publike në turizëm
Investimet publike nuk janë në përpjesëtim të drejtë me të ardhurat që turizmi gjeneron. Ne propozojmë që të paktën 20% e të ardhurave nga turizmi të rikthehen në formën e investimeve publike, kryesisht në: Infrastrukturën rrugore; akses në atraksione turistike; subvencionimin e strukturave akomoduese për të reduktuar sezonalitetin.
Këto çështje janë ngritur edhe nga partnerët ndërkombëtarë që operojnë në Shqipëri. Sipas vlerësimeve të tyre, është rritur ndjeshëm numri i komenteve negative këtë vit.
Është e vërtetë që Shqipëria ka pika të forta: turizmin patriotik, diasporën, çmimet konkurruese, mikpritjen, kulinarinë, atraksionet natyrore dhe historike, eksplorimin dhe linjat “loë cost” që e bëjnë më të aksesueshme për turistë individualë (të cilët përbëjnë mbi 85% të totalit). Por nuk mjaftojnë. Për të përballuar sfidat dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme, kërkohet një bashkëpunim më i ngushtë me komunitetin e biznesit, për të mos keqmenaxhuar këtë industri që kontribuon me rreth 25% në PBB.
Duhet të:
-Rishikohen politikat fiskale (ATU propozon unifikimin e TVSH-së në 10% për të gjitha kategoritë),
-Subvencionohen punonjësit e strukturave akomoduese gjatë sezonit dimëror,
-Mbështeten Tour Operatorët që sjellin turistë të organizuar jashtë sezonit,
-Plotësohet kuadri ligjor dhe përputhshmëria me standardet europiane,
– Luftohet informaliteti dhe konkurrenca e pandershme.
-Nga ana tjetër, edhe bizneset duhet të jenë më të kujdesshme me cilësinë e shërbimit, politikat e çmimeve dhe menaxhimin profesional” thuhet në deklaratën e Unionit.