Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet prej 4 muajsh në qelitë e paraburgimit në Durrës, pasi akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, ka dhënë një mesash të koduar nga TikTok, platforma e bllokuar nga kryeministri Edi Rama.
Në një video të postuar në këtë rrjet social, Veliaj thumbon personazhin anonim që e denoncoi në SPAK dhe si pasojë e hapjes së hetimeve, tashmë ndodhet me arrest me burg nga GJKKO.
Veliaj shkruan në rrjetin social të bllokuar nga Rama, se rosaku që ai mban në dorë, është i vogël, qesharak, i zhurmshëm por përballë meje duket si mizë. (https://vm.tiktok.com/ZMSy9v8Tq/)
“Rosaku që po mbaj në dorë quhet Nesti A. Është i vogël, qesharak, i zhurmshëm por përballë meje duket si mizë”.
Po ashtu në këtë video Veliaj nuk lë pa kërcënuar edhe kundërshtarët e tij, për të cilët shkruan se janë të hidhëruar nga videot e tij në TikTok.
“S’jam i habitur që kundërshtarët e mi, me veç një certifikatë lindjeje dhe hidhërim brezash, nuk flenë dot nga ca video në TikTok. Rrini të tërbuar dhe mos u qetësoni kurrë”, shkruan Veliaj në postimin e tij në Tik Tok.
Kush është Nesti Angoni?
Në datën 19 korrik 2023, Prokuroria e Posaçme mori kallëzimin nga shtetasi Nesti Angoni, i cili në dokumente thotë se jeton në rrugën “5 Maji” në Tiranë. Kallëzimi i tij përfshin disa akuza për veprime korruptive të kryebashkiakut, duke treguar lidhje të Veliaj me kompani dhe biznesmenë.
Angoni përmend një sërë transaksionesh dhe marrëdhëniesh, përfshirë ato mes Veliajt dhe Gentian Sulës, pronarit të kompanisë “AGI CONS”.
Sipas kallëzuesit, në kohën kur shtetasi Erion Veliaj u emërua Ministër i Punës, ai bleu një pasuri të paluajtshme – një banesë – të ndodhur në bllokun rezidencial “Kodra e Diellit”, në pronësi të bisnesmenit Sula. Pas kësaj, bashkëshortja e këtij të fundit u emërua zëvendësministre në Ministrinë ku Veliaj ishte titullar. Më pas, banesa në fjalë është zgjeruar me një kat dhe për të është ndërtuar një ashensor i veçantë.
Po ashtu, në këtë kallëzim shpjegohet se marrëdhënia e këtyre dy shtetasve ka qenë e pandarë që nga ajo kohë. Kompania “AGI CONS”, me pronar shtetasin Genti Sula, është përfshirë gjithashtu edhe në projektin e ndërtimit të Teatrit Kombëtar.
Për më tepër, kallëzimi përmend se Erion Veliaj aktualisht posedon tre vila në një kompleks rezidencial në Kavajë, të ndërtuara nga kompania “AGI CONS” e shtetasit Genti Sula. Njëra nga këto vila është në pronësi të vëllait të Veliajt, ndërsa vila e tretë është shkatërruar dhe dy vilat ekzistuese janë rikonstruktuar. Vlera e këtyre vilave, sipas kallëzuesit, arrin rreth 500 mijë euro. Për vilën e tretë, kallëzuesi thekson se Erion Veliaj e ka prishur duke shpërdoruar 500,000 euro me qëllim krijimin e hapësirave shtesë. Për prishjen e objektit janë shfrytëzuar makineritë e Ujësjellësit të Kavajës. Kallëzuesi ngre pyetjen nëse për këtë shembje është marrë një leje ndërtimi dhe nëse ekzistojnë dokumenta që vërtetojnë shpenzimet e bëra.
Gjithashtu, kallëzuesi shton se këto fakte të ndërlidhura krijojnë dyshime për burimin e mundësive financiare të Erion Veliajt, duke kërkuar hetime mbi dokumentet e blerjeve, pagesave bankare dhe të tjera që mund të provojnë ligjshmërinë e veprimeve të tij.
Me administrimin e kallëzimit në Prokurorinë e Posaçme, nga ana e Hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit janë kryer disa verifikime paraprake, të cilat kanë rezultuar në mungesën e të dhënave për shtetasin Nesti Angoni, i cili e ka paraqitur kallëzimin.