Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka vendosur të shkelë haptazi çdo ligj dhe vendim të organeve supreme për ta çuar tenderin 1.7 milionë euro për rindërtimin e një pallati në Durrës tek kompania e preferuar e saj, Rajli Ndërtim.
Bëhet fjalë për një tender të kufizuar rindërtimi për “Riaftësimin strukturor të pallatit nr.167 ”Viko” lagjja 13, Plazh, Rruga Pavarësia. Skandali është aq i madh sa që e ka detyruar Komisionin e Prokurimeve Publike të ndërhyjë me dy vendime, pasi Sako refuzon t’i zbatojë.
Tenderi
Tenderi për rindërtimin e pallatit u zhvillua nga Bashkia e Durrësit në datën 17 prill. Në të u paraqitën 6 oferta nga kompani apo bashkime kompanish të ndryshme. Bashkia e Durrësit skualifikoi 5 ofertat duke kualifikuar vetëm kompaninë e saj të preferuar, Rajli Ndërtim.
Por menjëherë pas vendimit të Bashkisë për të skualifikuar të gjitha ofertat, përveç asaj të Rajlit, një bashkim kompanish i përbërë nga Lis Konstruksion dhe Murati u ankuan në Komisionin e Prokurimeve Publike.
Në datën 28 prill KPP e shqyrtoi ankesën e dy kompanive dhe urdhëroi Bashkinë e Durrësit që të rivlerësonte procedurën e prokurimit dhe skualifikimin e kompanive në fjalë.
Dy ditë më vonë, Bashkia i kthen përgjigje Komisionit të Prokurimeve duke e informuar se e ka rivlerësuar procedurën në përputhje me vendimin e KPP. Por kjo nuk ishte e vërtetë, çka e ka detyruar Komisionin e Prokurimit Publik të ndërhyjë me një tjetër vendim ku i kërkon Sakos që të zbatojë vendimin e parë të KPP-së.
“Nga verifikimi i raportit të auditit në sistemin e prokurimit elektronik, KPP konstaton se, autoriteti kontraktor ka kryer ri-vlerësimin e procedurës në sistemin e prokurimit elektronik dhe ka rivlerësuar bashkimin e operatorëve ekonomikë “Lis Konstruksion” Shpk & “Murati” Shpk, duke moszbatuar konstatimet referuar vendimit të KPP-së Nr.571/2025, datë 28.04.2025,” konstaton KPP.
Për shkak të kësaj situate, KPP ka vendosur të pezullojë tenderin duke e ndaluar Bashkinë e Durrësit të vijojë më tej me procedurën, pa zbatuar më parë vendimin e parë të KPP-së.
Kjo është nga të paktat herë kur titullari i një autoriteti kontraktor ekspozohet kaq haptazi për ta dërguar tenderin tek një kompani e caktuar, e cila në fakt është kompani e lidhur shumë ngushtë me zyrtarët e Partisë Socialiste në Durrës.
Kompani manare
Rajli është një kompani, e cila ekziston vetëm për të kanalizuar paratë e rindërtimit nga arka publike në llogari private. Sipas të dhënave zyrtare nga Open Data Albania, në pesë vitet e fundit kjo kompani ka përfituar gjithsej 11.3 milionë euro pagesa nga fondet publike. Nga këto 11 milionë euro kanë ardhur vetëm nga Bashkia e Durrësit.
Me pak fjalë, Rajli është kompania manare e Bashkisë së Durrësit dhe ekziston vetëm për të marrë para nga kjo bashki. Në qytetin e Durrësit përflitet se Rajli Ndërtim është një kompani që si pronarë faktikë ka funksionarë të lartë të Partisë Socialiste të Durrësit. Shifrat zyrtare dhe ekspozimi haptaz kundër ligjit i Emiriana Sakos për Rajlin e përforcojnë jo pak këtë version.
Por përballë të gjitha këtyre fakteve, nuk ndodh asgjë./kapitali.al