Drejtuesi i SPAK i qëndroi ankimit ndaj konfirmimit të gjyqtarit të Lezhës, Artan Hajredinaj dhe kërkoi shkarkimin e tij për probleme në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit, të konsideruara në vlerësimin tërësor, ndërsa subjekti i kundërshtoi shkaqet e ngritura dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të hënën më 7 prill me parashtrimet në çështjen e vetingut të gjyqtarit të Lezhës, Artan Hajredinaj. Prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson në këtë proces drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, deklaroi se u qëndronin gjithë shkaqeve të ankimit. Ai konstatoi se Hajredinaj nuk ka përmbysur dot barrat e provës dhe se gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë. Po ashtu, kërkoi konsiderimin e gjetjeve për pasurinë dhe profesionalizmin në vlerësimin tërësor, në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Hajredinaj paraqiti pretendimet e tij kundër shkaqeve të ankimit në aspektin profesional. Për gjetjet në kriterin e pasurisë, dha shpjegime përfaqësuesja e tij ligjore, avokatja Romina Zano, duke kërkuar lënien në fuqi të konfirmimit.
Gyqtari Artan Hajredinaj u konfirmua në detyrë më 19 mars 2024, pasi Komisioni i gjeti bindëse shpjegimet dhe provat e tij për konstatimet e hetimit paraprak lidhur me pamundësi financiare në krijimin e pasurive e mbulimin e shpenzimeve, si dhe dyshimet e ngritura për fshehjen e një apartamenti.
Ish-Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e KPK për Hajredinajn duke ngritur shkaqe në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit dhe vlerësoi se ky subjekt rivlerësimi nuk arrin nivel të besueshëm.
Para se të emërohej si gjyqtar në vitin 2007, Hajredinaj ka punuar si noter dhe përmbarues. Ai e ka ushtruar funksionin Gjykatën e Tropojës në vitet 2007-2016, ndërsa gjatë nëntë viteve të fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Shkaqet për pasurinë
Subjekti ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 113.1 m2 në Tiranë, të fituar nëpërmjet një kontrate sipërmarrje të vitit 2006 për çmimin 45 mijë euro dhe 30 mijë euro të shpenzuara për punime e mobilim. Si burim krijimi ka deklaruar të ardhurat si noter, shitje të një toke bujqësore dhe një kredi.
Braho deklaroi se ndajnë vlerësim të ndryshëm nga Komisioni lidhur me këtë pasuri, përsa i përket saktësinë e deklarimeve të subjektit të rivlerësimit mbi vlerën e blerjes së kësaj pasurie, si dhe mjaftueshmërisë së burimeve të ligjshme të përdorura për blerjen e saj.
Në përfundim të hetimit administrativ paraprak, KPK i ka kaluar subjektit barrë prove për deklarime të pasakta në vite, si dhe bilanc negativ. Kjo, pasi ishin ngritur dyshime për shitje fiktive të dy ngastrave me vreshtë të blera disa herë më lirë nga sa ishin shitur, të ardhura që janë deklaruar si një ndër burimet e krijimit të kësaj pasurie.
Megjithatë, në përfundim Komisioni vlerësoi se nuk mund të konkludohet për shitje fiktive të këtyre pronave, kur në atë kohë subjekti nuk ka qenë gjyqtar dhe as subjekt deklarues. Ndërsa pasaktësitë janë vlerësuar se nuk janë kryer me ndonjë qëllim të caktuar.
Sipas ankimit, Hajredinaj nuk ka deklaruar në vite posedim të kursimeve cash me burim nga shitja e dy pasurive, nga për rrjedhojë vlerësohet e pabazuar marrja e mirëqenë e këtij burimi nga ana e Komisionit.
Braho solli në vëmendje se ka kontradikta në deklarimet e subjektit lidhur me shumën e marrë kredi. Kjo, pasi vlera e kredisë ka kaluar në llogarinë e administratorit të shoqërisë me përshkrimin e pagesës për apartamentin e Hajredinajt, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se shuma e përfituar nga kredia bankare është tërhequr dhe poseduar në cash nga ai vetë, duke e përdorur për rikonstruksion e mobilim.
Sipas prokurorit Braho, deklarimet kontradiktore të subjektit mbi vlerën e blerjes dhe destinacionin e kredisë bankare, konsiderohen si përpjekje të tij për të paraqitur ndryshe këtë situatë. Braho shtoi se këto rrethana tregojnë për një sjellje të subjektit të rivlerësimit, e cila duket se nuk përkon me qëllimin e procesit të rivlerësimit për rikthimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.
Në përfundim, lidhur me këtë pasuri Braho tha se Hajredinaj nuk provoi të kundërtën e barrës së provës mbi vlerën dhe burimet e ligjshme të deklaruara të përdorura për blerjen e apartamentit në Tiranë.
Avokatja Romina Zano parashtroi qëndrimin e subjektit lidhur me të ardhurat nga shitja e ngastrave të tokës dhe kredia. Sipas Zanos, ishte e përcaktuar se qëllimi i marrjes së kredisë ishte për berjen e apartamentit dhe punimet. Ajo vërejti se shuma e kredisë ishte tërhequr cash dhe kishte shërbyer për investimet në banesë.
Zano pohoi se ishte rënë dakord që vlera e kredisë të kalonte përmes kompanisë dhe se i ishte kaluar subjektit që më pas i ka përdorur për mobilimin e punimet në apartament.
Për transaksionet e kryer me vreshtat, vlera e shitjes së të cilëve është deklaruar si burim për apartamentin, Zano konstatoi se ky transaksion ishte kryer para fillimit të detyrës kur subjekti ishte noter dhe se nuk mund të ketë ndonjë indice për veprime fiktive që lidhen me funksionin e tij si gjyqtar.
Avokatja shpjegoi se subjekti ka dashur të investojë në këto pasuri pasi ishin afër qendrës së qytetit, por më vonë e ka tjetërsuar dhe janë paguar detyrimet. Sipas Zanos, përderisa të gjitha veprimet janë kryer sipas ligjit, të ardhurat janë të ligjshme dhe duhen konsideruar në analizë. Ajo shtoi se edhe blerësi i cili ishte biznesmen, ka dashur të investojë në agroturizëm.
Tjetër argument që parashtroi Zano, ishte dhe fakti se pala blerëse kishte depozituar deklaratë noteriale lidhur me këto transaksione dhe nëse nuk do kishte qenë dakord, nuk do e kishte bërë një gjë të tillë.
Sipas Zanos, rezulton se subjekti ka pasur burime të ligjshme për investimet e kryera në apartament, si para ashtu dhe gjatë detyrës.
Hajredinaj ka deklaruar të ardhura nga shitja e disa njësive shërbimi në Bajram Curri. KPK i kaloi subjektit barrë prove për pamundësi për investimet e kryera në këto pasuri, për mosdeklarimin e tyre në vitin 2009, si dhe për deklarime të pasakta e të paplota në vite e gjatë procesit lidhur me sipërfaqet e tyre dhe burimin e krijimit. Po ashtu, u konsiderua e paqartë arsyeja e dhurimit të dy njësive një shtetasi tjetër në vitin 2016, rreth 7 vjet pas regjistrimit të tyre.
Subjekti kundërshtoi gjetjet e KPK duke shpjeguar se veprimet ishin kryer në kohën kur ishte noter. Sipas tij, njësitë egzistonin dhe se kishte kryer vetëm një shtesë. Po ashtu, sqaroi se personi të cilit i kishte dhuruar njësitë në vitin 2016, kishte hequr dorë nga pasuritë me qëllim që të realizohej leja ndërtimore, por se kishte qenë gjithmonë pronari de facto i dy njësive që i kishte dhuruar.
Pretendimet e Hajredinajt për këtë pasuri u gjetën të besueshme nga Komisioni, por ish-Komisioneri Publik i ankimoi duke vlerësuar se subjekti ka kryer deklarime kontradiktore dhe nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës për vlerën dhe kohën e investimit.
Braho tha se deklarimet e subjektit për këto pasuri janë të pasakta, të paplota e të pamjaftueshme, duke e bërë të pamundur verifikimin e tyre.
Pamundësia e kontrollit të këtyre pasurive, sipas Brahos afekton dhe krijimin e një llogarie bankare në vlerën 80 mijë euro, si dhe dhënien e dy huave, me burim të ardhurat nga shitja e njësive.
Po ashtu, Braho konstatoi se për të ardhurat e deklaruara nga qiradhënia e njësive janë paguar detyrimet tatimore në vitin 2021, që ngrenë dyshime se janë kryer në funksion të procesit të rivlerësimit. Ai kërkoi që këto rrethana dhe veprimet e kryera për njësitë, të konsiderohen në vlerësimin tërësor së bashku me shkaqet e tjera.
Zano konstatoi se njësitë janë blerë nga subjekti para fillimit të detyrës. Ajo shpjegoi se Hajredinaj ka qenë pronari i truallit ku do ndërtohej shtesa e njësive dhe leja mund të jepej vetëm në emër të pronarit të tokës. Sipas saj, për këtë arsye ishte rëndë dakord. Po ashtu, shpenzimet i ka kryer personi të cilit subjekti i ka dhuruar dy njësitë.
Avokatja e subjektit argumentoi se kjo situatë provohej jo vetëm nga deklarimet e personit që ka përfituar dy njësitë me dhurim nga subjekti, por dhe për faktin se ky i fundit nuk i ka përdorur ato, si dhe nuk ka deklaruar shfrytëzimin e tyre apo përfitime. Zano theksoi se ato dy njësi janë zotëruar gjithmonë nga personi tjetër dhe jo nga subjekti.
Ndërsa lidhur me të ardhurat nga dhënia me qira e njësive që Hajredinajt ka poseduar, Zano sqaroi se ai nuk e ka ditur se qiramarrësi nuk i kishte shlyer detyrimet, mëgjithëse kishte qenë detyrimi i këtij të fundit. Megjithatë, ajo shtoi se edhe nëse nuk konsiderohen të ardhurat nga qiradhënia e njësive, nuk afektohet bilanci pozitiv.
Komisioni ka konstatuar mosdeklarimin nga subjekti të përdorimit të një apartamenti në Bajram Curri. Hajredinaj ka shpjeguar se, në kushtet kur nuk kishte të drejta mbi këtë pasuri, si dhe nuk gjendej përpara aktit të shitjes, dhurimit apo marrëdhënies së huasë, ka konsideruar se e kishte ezauruar deklarimin e përdorimit të kësaj pasurie duke përcaktuar vetëm adresën e deklarimit në gjendje civile.
Ndryshe nga KPK që nuk ka gjetur probleme, Braho u shpreh se subjekti nuk ka përmbushur detyrimet ligjore për deklarimin e kësaj pasurie.
Avokatja Zano nënvizoi se, ndryshe nga sa pretendohet në ankim, subjekti nuk ka qenë posedues i kësaj pasurie në kohën kur ka pasur detyrimin për deklarim.
Prokurori Braho paraqiti pretendimet dhe për një apartament tjetër në Shëngjin, pasuri për të cilën subjekti ka deklaruar se e ka prenotuar për vëllain në vitin 2007. Kontrata e shitblerjes është nënshkruar nga i vëllai. Hajredinaj ka shpjeguar se e ka përdorur këtë banesë gjatë pushimeve verore.
Komisioni ngriti fillimisht dyshime se ky apartament mund të ishte pasuri e fshehur e subjektit. Por, në përfundim u konkludua se vëllai i Hajredinajt jetonte prej vitesh në Angli dhe se në ditën kur është nënshkruar kontrata e sipërmarrjes ka qenë në pamundësi objektive të ishte i pranishëm. Po ashtu, për shkak se nuk ka qenë i pajisur me dokument identiteti në Angli në atë kohë, ka qenë në pamundësi për të lëshuar një prokurë përfaqësimi për vëllain e tij, gjyqtarin Hajredinaj.
Braho konstatoi se subjekti e ka përdorur këtë pasuri me tagra të plota, ndërkohë që nuk ka arritur të provojë mundësinë financiare të krijimit të kësaj pasurie nga i vëllai.
Në përfundim, Braho deklaroi se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë dhe kërkoi që shkaqet e ngritura në ankim të vlerësohet dhe në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.
Avokatja Zano kundërshtoi shkaqet e ankimit për apartamentin në Shëngjin, duke argumentuar se ishte përcaktuar në kontratë se kjo pasuri po porositej për të vëllanë. Sipas saj, pavarësisht se ishte nënshkruar nga gjyqtari Hajredinaj, do të sillte pasoja ligjore për vëllain e tij. Zano shtoi se ky apartament është përdorur dhe nga anëtarët e tjerë të familjes së origjinës për pushime dhe jo vetëm prej subjektit. Ajo theksoi se është vëllai i subjektit ai i cili ka nënshkruar kontratën përfundimtare të shitblerjes, duke konfirmuar se është pasuri e tij.
Po ashtu, Zano e cilësoi të pavërtetë pretendimin në ankim se KPK nuk ka hetuar për mundësinë e vëllait për blerjen e apartamentit. Sipas saj, janë verifikuar të ardhurat nga puna e tij në Mbretërinë e Bahskuar, si dhe nga një kredi që ai ka marrë atje – shuma që janë kaluar tek subjekti nga bashkëshortja e të vëllait.
Lidhur me kursimet cash, u shpjegua se ka qenë një pakujdesi e subjektit dhe ILDKPKI-së, që ka sjellë plotësimin me vonesë të deklaratës para fillimit të detyrës. Por, sipas Zanos, pasaktësitë e subjektit në deklarime, nuk shoqërohen me pamundësi financiare.
Profesionalizmi
Braho e videntoi se Hajredinaj ka marrë disa vendime për ulje dënimi të të dënuarve, në zbatim të gabuar të ligjit. Po ashtu, në çështje të tjera të denoncuara nga publiku, janë gjetur mangësi në drejtim të njohuive ligjore dhe arsyetimit ligjor.
Ndryshe nga Komisioni që e ka transferuar një çështje për shyqrtim të mëtejshëm pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Braho tha se duhej të trajtohet në vlerësimin tërësor, së bashku me gjetjet e tjera.
Në përfundim, Braho u shpreh se gjyqtari Hajredinaj nuk arin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë dhe kërkoi shkarkimin e tij.
Gjyqtari Hajredinaj vërejti se KPK kishte konkluduar se ai ka arritur nivel kualifikues në aspektin profesional. Ai parashtroi mbrojtjen e tij ndaj gjithë shkaqeve të ankimit. Lidhur me vendimet për ulje dënimi, ai këmbënguli se kishte zbatuar legjislacionin dhe se kishte arsyetuar rrethanat. Subjekti shtoi se ishte bazuar dhe në praktikën e gjykatës dhe se vendimarrjet kanë qenë të dakordësuara nga palët dhe se nuk ka pasur ankim.
Për disa prej çështjeve konstatoi se janë ende në fazën e shqyrtimit apo në pritje të gjykimit, ndërsa për të tjera tha se shkaqet e ankimit kapërcejnë objektin e vetingut. Hajredinaj pranoi mangësi në një çështje, por solli në vëmendje ngarkesën e lartë në punë.
Duke theksuar se pretendimet e tij janë të plota dhe bindëse, ai deklaroi se një mangësi në një prej çështjeve të shqyrtuara nuk mund të sjellë pasojë. Në përfundim, gjyqtari Artan Hajredinaj kërkoi konfirmimin në detyrë.
Për një denoncim të ri, prokurori Klodian Braho konstatoi se çështja është ende në shyqrtim dhe për rrjedhojë nuk mund të sjelli ndikim në procesin e rivlerësimit.
Kolegji vendosi çeljen e shqyrtimit gjyqësor dhe administroi provat e reja të sjella nga subjekti. Palët u ftuan të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës që u caktua të zhvillohet më datë 28 prill, në orën 14:00.
/BIRN