Sot do t’ju tregojmë se si si skema ‘5B’, e drejtorëve të Belinda Ballukut nuk kanë zhvatur vetëm miliona euro nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë, por defakto ata kanë privatizuar edhe institucionet shtetërore.
Do të udhëtojmë sërish në qytetin e Durrësit, bashkia e dytë më e rëndësishme në vend, por edhe për nga niveli i abuzimeve korruptive.
Në fokus do të jenë dy ndër drejtorët më të besuar të Belinda Ballukut, Ceno Klosi dhe Spartak Kovaçi, që veç lidhjeve të gjakut dhe besimit te shefja e tyre, i lidh gjithashtu edhe angazhimi në aferat miliona euro. Po le t’ja nisim pa humbur kohë.
Skema dhe kompanitë që janë pjesë e investigimit të sotëm, përllogritet të kenë marrë të paktën 32 milionë euro tendera, prona publike, leje ndërtimi madje edhe me firmë të kryeministrit Edi Rama.
Drejtorët kushërinjë, Ceno Klosi dhe Spartak KOvaçi nuk janë vetëm vegla në betejen elektorale të zv. Kryeministres Belinda Balluku. Ata gjithashtu kanë shfaqur cilësi manaxheriale të suksesshme në thithjen e fondeve publike, edhe pse me një sukses po aq të admirueshëm në menaxhimin e institucioneve që kanë drejtuar.
Emri i Ceno Klosit nisi të lakohej në publik, me nisjen e karrierës pas fitores së rilindjes socialiste në vitin 2013. Për 7 vite ai ka mbajtur detyrën e Drejtorit Financiar në OSHEE, e me pas për disa muaj ka drejtuar AKUM pas largimit të Alqi Bllakos. Në vitin 2021, Belinda Balluku do t’i besonte një prej drejtorive më të rëndësishme, atë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2024, kohë kur Balluku do ta emëronte si zëvendës të saj në Ministrinë e Infrastruktrës dhe Energjisë.
Që prej marrjes së detyrës së parë në qeverisjen socialiste, Ceno Klosi nisi edhe punësimet nepotike, duke rregulluar të gjithë të afërmit e tij në zyrat shtetërore. Ndërsa ishte drejtor në OSHEE, Klosi u kujdes të punësone si Specialiste tregu kunatën e tij, shtetasen Eriselda Shehaj, bashkëshortja e vëllait, Genti Klosit. Por jo vetëm kaq, ai do të sigurohej që dhe motra e kunatës të mos mbetej rrugëve. Matilda Merdanaj do të punësohej gjithashtu pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Adela Koçaj, gjithashtu kunata e Cenos, do të punësohej si drejtore pranë Agjencia Ekonomike Mbështetëse, një institucion i krijuar në vitin 2018 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ndërsa punësimi i radhës do të ishte tezja, Donika Klima, e cila rezulton e punësuar pranë FSHU.
Në këndvështrimin e parë, gjithkush mund të merrte përsipër justifikimin e emërimeve nepotike, me argumentin se familjarët e drejtorëve nuk janë të përjashtuar nga punësimi në shtet. Por jo, nuk është vetëm kaq, familjarët e punësuar fal influencës së Ceno Klosit, me rritjen e tij në karrierë edhe ata do të shndërrohen në biznesmenë të suksesshëm, duke plotësur kështu panoramën e privatizimit defakto të disa prej drejtorive më të rëndësishme nga ku më pas do të merrnin miliona euro. Nga rrogëtar, familjarët e Klosit, gjatë pushtetit të rilindjes do të lulëzonin si biznesmenë.
Në vitin 2022 Adela Koçaj, kunata, dhe Edita Klosi, motra, themelojnë kompaninë FIPROP me objekt kryerjen e studimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Si administratore të kompanisë vendosin Eriselda Shehaj, nusja e vëllait të Cenos. Kompania e 3 rrogëtareve, që në vitin e parë të themelimit garantojnë një xhiro prej 280 mijë eurosh, nga të cilat 94 mijë euro neto, i deklarojnë si fitim.
Jo vetëm gratë e familjes, por sukses duket se ka patur edhe Genti Kloi, vëllai i zëvendëses së Belinda Ballukut. Në vitin 2017, Genti Klosi regjistron një ‘Bar-Kafe’ me të ardhura modeste. Por gjërat do të ndryshonin shpejtë për Genti Klosin, që sot mund të konsiderohet si një nga biznesmenët më të suksesshëm, e çdo gjë e arritur në një kohë rekord.
Në vitin 2019 në QKB regjistrohet kompania T.O.V 2019 me Ortak Orgest Totojani dhe Vera Musmuça. Kjo e fundit largohet si pronare e kësaj kompanie 4 muaj më vonë dhe çuditërisht nga pronare figuron e punësuar si Operatore në Call Center. Aksionerët e rinj janë Mikel Lesaj dhe Ermal Arapi. Në vitin 2020, në këtë kompani hynë në lojë Gent Klosi, i cili blen 50 % të aksioneve nga Orges Totojani dhe tashmë bëhet pronar i gjysmës së kësaj kompanie, apo Vilës Feliz, një restorant luksoz në periferi të Tiranës. Në bilancin e vitit 2019 kjo kompani deklaron makineri dhe pajisje në vlerën 1.2 milion lekë dhe nuk deklaron se ka në pronësi tokë apo ndërtesë. Gjatë vitit 2020-2021 kjo kompani deklaron detyrime të cilat arrijnë në vlerën 21.000.000 lekë ose rreth 210.000 euro dhe në pronësi tashmë rezulton një ndërtese. Ndërsa në letra, kompania ku Genti Klosi u bë pronar, kishte aktivitet, befas më pas rezulton që ka edhe pronësi dhe ndërtesë, çka ngre dyshime, se si ish-pronarët u treguan aq zemërgjerë me vëllain e zv. Ministrit Klosi. Në vitin 2022, ortakët e tjerë tregohen po aq zemërgjerë dhe me kontratë i dhurojnë Genti Klosit edhe 50% të aksioneve të tjera dhe tashmë ai bëhet ortak i vetëm i kompanisë T.O.V 2019. Sipas kontratës, këta ortakë përpara noterit deklarojnë së nuk kanë detyrime, por bilanci flet ndryshe pasi deri në vitin 2021 kjo kompani kishte 210.000 euro detyrime. Pra bilancet dhe transaksionet e kryera mes ish-pronarëve dhe Genti Klosit ngrenë pikëpyetje të mëdha, se si një pronë me vlerë qindra milionë lekë, dhurohet me vetëm një firmë.
Po aq i dyshimtë është edhe lulëzimi i kësaj kompanie, pasi Genti Klosi bëhet pronat i vetëm i Vils Feliz. Ndërsa deri dje, rezultonte me detyrime të prapambetura, në vitin 2022, kompania njeh një bum financiar, duke trefishuar xhiron, të paktën kështu deklarohej në tatimet e drejtuara nga vëllai Ceno Klosi. Për vitin 2022 kjo kompani në fushën e restoracionit 630.000 euro xhiro dhe fitim 200.000 euro. Për vitin 2023 kompania faturon 660.000 euro dhe fitim 230.000 euro. Por nuk ndalet këtu, Genti Klosi nga një lokal modest, shndërrohet në pronar i një restoranti luksoz, e tashmë do të kalojë në një tjetër nivel, si investitor në bregdet, një investim miliona euro, ku në lojë do të hyjnë edhe personazhe të tjerë.
Në vitin 2022 kompania T.O.V shpk e Gent Klosi sëbashku me Petrit Kovaçin dhe Ushina shpk në kuota të barabarta, themelojnë Adriatik Union. Sipas të dhënave të bilancit kjo kompani që nga themelimi zotëron një tokë dhe ndërtesë në vlerën 760.000 euro. Nuk dihet sesi dhe nga kush është blerë apo zotëruar kjo pronë por i mbetët SPAK ta vërtetojë, pasi edhe në këtë rast për familjen Klosi, pronat mbijnë nga hiçi. Në vitin 2023 largohet ortaku Ushina dhe tashmë aksioner janë Petrit Kovaçi dhe Genti Klosi, kushërinjë mes tyre. Sapo Ushina largohet, për Adriatik Union, kryeministri Edi Rama miraton një leje ndërtimi për një hotel 9 kate mbi tokë dhe 2 kate parkim nëntokë, në buzë të detit Adriatik.
Në nëntor të vitit 2023, pasi mediat filluan të denoncojnë këtë lejë ndërtimi për hotelin e Petrit Kovaçit, babai i Drejtorit të Ujësjellësit Durrës Spartak Kovaçi dhe Genti Klosit vëllai i Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, ky i fundit largohet nga kompania. Në këtë moment regjistrohet edhe një tjetër transaksion i dyshimtë nga vëllai i ish-drejtorit të Tatimeve. Një kompani e cila zotëron 760 mijë euro prona dhe një leje ndërtimi për një hotel 9 kate buzë deti në Durrës, Genti Klosi i shet për vetëm 500 euro, aksionet takuese. Ajo që ngre dyshime të mëtejshmë janë të dhënat e pronës në lejen e ndërtimit të miratuar nga Rama. Në të cilën përcaktohet se sipërfaqja totale e truallit është 1104.5 m2 nga të cilat 183 m2 janë shtet.
Lidhja mes Spartak Kovaçit dhe Ceno Klosit zbulohet pikërisht nga kompania Adriatik Union, ku aksioner rezultonin Babai i Drejtorit të Ujësjellësit Durrës dhe vëllai i zv. ministrit të Belinda Ballukut. Edhe Spartak Kovaçi ka një ngjitje në karrierë dhe një veprimtari thuajse identike me Ceno Klosin. Me punësime nepotike, shndërrim të tyre në biznesmenë, e më pas suksese me miliona euro.
Spartak Kovaçi emërohet si drejtor i Ujësjellësit Durrës në tetor të vitit 2013. Sipas të dhënave në deklaratën e pasurisë të depozituar në ILDKPI, ai deklaron së deri në tetor ishte i punësuar pranë kompanisë PUTIGNIANO, kurse e bashkëshortja, Serena Kovaçi, në Bashkinë Durrës. Kompania PUTIGNIANO është e panjohur deri më sot për publikun, por nga investigimi i sotëm do të zbulojmë të dhëna interesante, të padëgjuara më parë.
Por le të vijojmë njëherë me familjen Kovaçi, të cilët shkëlqejnë si zyrtarë dhe biznesmenë njëkohësisht. Xhaxhai Saimir Kovaçi është i punësuar pranë UKD kurse e shoqja e tij Rozeta Kovaçi rezulton e punësuar pranë Bashkisë Durrës. Rozeta Kovaçi rezulton e përfshirë dhe në dosjen hetimore të Vangjush Dakos pasi ka mbajtur dhe funksionin e Sekretares së Këshillit Urbanistik të Bashkisë Durrës.
Një tjetër familjare e Spartak Kovaçit rezulton e punësuar pranë Bashkisë Durrës dhe ajo është Vilma Hyseni, e cila është dhe koordinatore për të drejtën e informimit. Por punësimet e familjarëve Klosi-Kovaçi nuk përfundojnë këtu. Marsel Doçi kunati i Spartak Kovaçit dhe bashkëshortja e tij Orjada Tupa, rezultojnë të punësuar pranë operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe operatorit të Shpërndarjes së Energjisë.
- ‘ERIL B&B’, kompania e ‘fshehtë’ e Kovaçit, qindra mijëra euro tendera nga Bashkia e Durrësit
32 milionë euro nga vetëm një kompani. Duket se shifra mbi 30 milionë euro është standard i çdo skeme korruptive të drejtorëve të Belinda Ballukut, që sot janë edhe krahu i saj i djahthë në zgjedhje. Por nga analizimi i të dhënave për secilën kompani, krijohet një zinxhir kompanishë, që gjithashti rezultojnë përfituese, apo janë përdorur për të qarkulluar mes tyre milionat e tenderave. Në vijim do të ndalemi edhe tek disa kompani që gjithashtu rezultojnë të themeluara nga të afërm e të punsuar të Kovaçit e Klosit.
Gjatë investigimit të PLUG në një nga tenderat e shpallur fitues kompania ADRIATIK ka bashkëpunuar me kompaninë ERIL B&B. Kjo kompani u themelua në vitin 2018 me aksioner shtetasit Ilir Shabani dhe Ergert Deliallisi. Në gusht të vitit 2018 administrator i kësaj kompanie emërohet Tedi Spahi. Në vitin 2021 dhe pse nje kompani e cila fiton tendera publik dhe fitimprurëse, ortaku Ilir Shabani shet aksionet në vlerën 500 euro ortakut tjetër Erger Deliallisi… Këto ishin disa indicie për të cilat PLUG investigoi dhe më tej…
Rezulton se kompania Eril B&B është themeluar nga dy punonjës të kompanisë ADRIATIK shpk. Madje siç në çdo skemë korruptive në të shkuarën, edhe në këtë rast, të dyja kompanitë kanë të njëjtit punonjës, çka nënkupton edhe fiktivitetin e tyre, e të krijuara enkas për fshehje gjurmësh apo kryerje transaksionesh për efekte justifikuese të projekteve. Nëse do të analizojmë listën e të punësuarve për vitin 2021 për të dyja kompanitë rezulton se:
Ergert Deliallisi punonjës i Adriatik është bashkpronar i ERIL B&B
Ilir Shabani punonjës i Adriatik dhe bashkpronar ERIL B&B
Hazret Mulgeci punonjës i Adriatik njëkohësisht është edhe punonjës ERIL B&B
Elona Dollaku punjës finance i Adriatik gjithashtu mban financat e ERIL B&B
Enli Kaculi punonjës i Adriatik dhe punonjës ERIL B&B
Ruzhdi Shahini punonjës i Adriatik dhe punonjës ERIL B&B
Ilir Merja punonjës i Adriatik dhe punonjës ERIL B&B
Këta janë vetëm disa nga punonjësit pasi lista është dhe pak më e gjatë, por që faktohet qartë se kjo është një kompani e krijuar nga ADRIATIK shpk. Ky nuk është rasti i parë që kemi bërë publik që kompanitë e familjarëve të pushtetarëve që jo vetëm që fitonin tendera drejtëpërdrejtë por krijonin dhe kompani të tjera për të fshehur gjurmët. ERIL B&B e cila sot ka ndryshuar emër në ERIL CO ka përfituar pagesa na thesari për vitet 2019-2024 në vlerën 820.000 euro. Të gjitha janë pagesa të degës së thesarit Durrës pra janë institucione të qytetit bregdetar si Bashkia Durrës, Hekurudha Durrës, Ndërmarrja Komunale Durrës, Spitali Psiqiatrik Vlorë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave etj.
TENDERAT QE KA FITUAR ERIL B&B
BASHKIA DURRES
1. Blerje Materiale Ndertimi per Sektorin Funeral 4,592,500.00
2. Rikonstruksion rruga Shekspiri 2,441,900.00
3. Blerje Materiale Ndertimi 3,279,100.00
4. Blerje Materiale Ndertimi 2,480,500.00
5. Rikonstruksion i Rrugës Integrimi 5,859,200.00
6. Rikonstruksion rruga Papa Klementi II 10,495,350.00
7. Mirembajtje e banesave sociale 1,755,840.00
8. Rikonstruksion rruga Kastrioti 8,945,733.00
9. Rikonstruksion rruga Syri i detit 4,466,180.00
10. Blerje Materiale Ndertimi 3,279,100
TENDERA NGA ENTITETE TE TJERA
1. Mirembajtja e objekteve ne Spitalin “Ali Mihali” Vlore 4,380,000.00
2. Blerje traversa Druri 30,038,112
3. Rikonstruksion i Linjes Milot-Lezhe 7,398,713.00
4. Blerje materiale ndihmese per sektorin e varrezave 551,090
Më sipër ju shpjeguam se si Olsi Graceni, kunati i ortakut të babait, ishte emërimi i parë i Spartak Kovaçit në Drejtorinë e ujësjellësit. Edhe për Gracenin, skema e përdorur me çdo familjar të kovaçit e Klosit do të rezultonte e suksesshme. Veç punës si drejtues i UKD, Graceni njëkohësisht rezulton edhe biznesmen i suksesshëm. Në maj të vitit 2021 themelohet kompania OLPUMPS ose thënë shqip POMPAT E OLSIT. Ortakë themelues Plarent Gjinari dhe Olsi Graceni. Objekti I aktivitetit ishte Instalime dhe mirëmbajtje të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura dhe të pijshëm. Asistencë dhe konsulencë teknike. Pra Olsi e kishte detyrë funksionale këtë për qytetarët e Durrësit, por e ushtronte edhe privatisht. Në qershor të vitit 2022 largohet nga kompania ortaku Gjinari dhe tashmë OLPUMPS zotërohet 100% nga OLSI GRACENI. Në korrik të vitit 2022 adresa zyrtare e kompanisë bëhet DURRES; Lagjja 14, rruga Bajram Tusha, e cila është e njëhjtë me adresën e kompanisë ADRIATIK. Në shtator të vitit 2022 kompania pezullon aktivitetin, dhe në nëntor 2022 e aktivizon sërisht për ta pezulluar në shkur të vitit 2023. Pas largimit nga UKD, Graceni tashmë i dedikohet me kohë të plotë kompanisë së tij, duke e riaktivizuat. Me gjithë pezullimet dhe riaktivizimet e vazhdueshme, Olsi Graceni rezulton një magjistar biznesi. Për 10 muaj punë në vitin 2022 ai ka një xhiro 129.000 euro. Por magjia e vërtetë ndodh në vitin 2023 ku kjo kompani sipas të dhënave të QKB ka punuar vetëm 2 muaj dhe ka faturuar rreth 140.000 euro me një fitim neto 120.000 euro. Shifra këto të pajutfikueshme me asnjë llojë metode financiare, por për SPAK janë gjurmë të mjaftueshme për të hetuar transaksionet fiktive me qëllim justifikimin e milionave në kurrit të qytetarëve durrsakë dhe jo vetëm.
Ajo që është emërtuar si 5B, duket se mund te jëtë 10 apo 15B. Pas çdo drejtori të Belinda Ballukut del edhe një skemë korruptive. Ndërsa SPAK ka kohë të mendohet për këtë faturë të përllogaritur në 40 milionë euro, vetëm në emisionin e sotëm, ne do të ndahemi këtu. Por nuk mbaron me kaq, pasi Spartak Kovaçi nuk është drejtori i vetëm që i jep tendera vetes apo familjarëve, të mërkurrën e ardhshme një tjetër drejtor i UKD do të jetë nën fokusin e investigimeve tona. Deri atëherë, le të shpresojmë që këto miliona të mos jenë injektuar për blerjen e votave.
- Spartak Kovaçi drejtor i ujësjellësit në Durrës, miliona euro tendera kompanisë së babait
Deri tani folëm për lidhjet, punësimet dhe bizneset familjare të kushërinjve Ceno Klosi dhe Spartak Kovaçi, dhe disa përfitime të dyshimta të familjarëve të Ceno Klosit, të cilat i takon SPAK të hetojë të gjithë paqartësitë, apo mënyrën se si nga hiçi u krijuan biznese me vlerë miliona euro. Por në vijim do të ndalemi te kompania Adriatik shpk, kompani e cila ka përfituar 32 milionë euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Kompania Adriatik SHPK u themelua në nëntor të vitit 1993 me ortakë themelues shtetasin Ardjan Mustafaraj. Në vitin 1998 Mustafaraj i dhuron 50% të aksioneve shtetasit Petrit Kovaçit. Në vitin 2007 shoqëria kryen një rritje kapitali në vlerën 79 milionë lekë si pasojë e fitimeve të realizuara që nga themelimi. Deri në vitin 2013, kjo kompani ka një aktivitet normal, por gjithçka ndryshon këtë vit, kohë kur Spartak Kovaçi emërohet Drejtor i UKD. Në dhjetor të vitit 2013 Ardjan Mustafaraj dhe Petrit Kovaçi vendosin për herë të parë që nga themelimi të shpërndajnë dividend në vlerën 290 milionë lekë. Nga ky divident Petrit Kovaçi vendos t’i dhurojë të birit Drejtor Ujësjellës Kanalizime Durrës në dhjetor të vitit 2014, 100 mijë euro të cilat ky i fundit i deklaron në ILDKPI.
Spartak Kovaçi menjëherë pas emërimit të tij kujdeset që të sistemojë në detyrën e Drejtorit të Trajtimit të Ujërave kunatin e ortakut të babait Olsi Graceni, dhe kjo duket se nuk ndodh aq rastësisht, por do e detajomë në vijim të investigimit tonë.
Në QKB nuk jepen të dhëna të plota për kompaninë Adriatik shpk por sipas të dhënave analitike të OPENDATA Albania kompania që nga themelimi ka patur një fitim 10-20-40 milion lekë në vit. Por viti 2013 do të sillte një fitim marramëndës për këtë kompani në vlerën e 155 milion lekëve ose thënë më thjeshtë 4 herë më të lartë se vitet e tjera. Plug investigoi dhe më tej dhe gjeti dokumentacion që të ardhurat e kompanisë Adriatik për vitin 2013 të çojnë të një tjetër investim publik po në qytetin e Durrësit.
Ky investim është marrë në dorëzim nga UKD, ku Spartak Kovaçi është drejtor. Sipas këtij dokumenti Adriatik shpk ka qënë nënkontraktor dhe sidomos punonjësi tashmë drejtor Olsi Graceni ka kryer punime në këtë objekt.
Në vitin 2019 kompania Giovanni Putignano and Figli SRL, e regjistruar në QKB, firmos një tjetër kontratë për ndërtimin e Ujësjellës Kanalizme Lushnje dhe sipas të dhënave nënkontraktor kompaninë HIDRO MENTORI shpk.
Në bilancet e kompanisë Giovanni Putignano and Figli SRL të vitit 2020 rezulton se nënkontraktori kryesor për këtë investim është Adriatik shpk. Pra dhe në këtë rast fondet e dhëna për Ujësjellës Kanalizime Lushnje përfundojnë te familjarët e Ceno Klosit dhe Spartak Kovaçit. Sipas të dhënave në Opendata Albania rezulton se Adriatik sh.p.k ka fituar disa prodecura tenderuese, prej të cilave edhe në shkelje flagrante të ligjit, ku kompania e babait fiton tender drejtëpërsëdrejti nga institucioni i drejtuar nga i biri. Bëhet fjalë për tenderin e shtatorit të vitit 2022, ku autoritet kontraktues është Bashkia Durrës, por projekti është përgatitur nga UKD, për Sistemimin KUB në rrugën Taulantia. Vlera e projektit është mbi 40 milionë lekë të reja dhe sipas Open Data, nuk ka patur garë. Pra e thënë më qartë Spartak Kovaçi përgatit specifikimet dhe kushtet e tenderit, dhe kriteret për tu shpallur fitues i plotëson vetëm kompania e babait.
Ndërsa lidhjet dhe marrëdhëniet mes drejtorëve të rilindjes faktohen të forta, të tilla janë edhe pazaret mes tyre, e këtu na del në skenë dhe lidhjet edhe me ‘5D’ e Erion Veliajt, ku dy skemat korruptive, gërshetohen mes tyre. Ndërsa ‘5D’ e drejtorëve të Erion Veliajt fitonin tendera nga OSHEE në Durrës, po në të njëjtën periudhë drejtorët e Belinda Ballukut fitonin tendera në Tiranë, pikërisht nga institucionet e drejtuara nga 5D, madje në një prej rasteve si koperim mes dy kompanive Adriatik shpk dhe 5D. Nga verifikimet rezultoi, se Adriatik SHPK në bashkëpunim me 5D, në dhjetor të vitit 2020 kanë fituar nga Ujësjellës Kanalizimet Tiranë tenderin për ‘Ndërtim tubacioni transmetimi, depo Daias’. Vlera e projektit ishte 771 milionë lekë, apo 7. 7 milionë euro. Një tjetër tender i fituar nga Adriatik shpk tek UKT është edhe ai për “Ndërtim linje transmetimi nga puseta Yzberisht deri në Depo Kombinat”, vlera e të cilit është 760 mijë euro. Në korrik të 2016, Adriatik shpk fitoi edhe tenderin “furnizimi me ujë në rrugën ”Thoma Koxhaj”” me vlerë 400 mijë euro. Të gjithë tenderat e fituar nga Adriatik shpk në UKT janë me flamur të kuq, çka nënkupton shkelje dhe pa garë. Por jo vetëm kaq, tendera të tjerë të fituar nga Adriatik shpk janë edhe “Mirëmbajtja e objekteve ndërtimore në Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë” nga Operatori i Blerjeve të përqëndruara me vlerë 4. 4 milionë lekë.
Ky tender është fituar në bashkëpunim me kompaninë ERIL B&B e cila është pjesë e këtij investigimi. Ndërsa i biri drejtonte Ujësjellës Kanalizimet në Durrës, kompania e babait rezultonte e suksesshme në të gjitha Drejtoritë e Ujësjellsave të vendit, që gjithashtu janë në varësi të Belinda Ballukut dhe Ceno Klosit. Në vitin 2021, Adriatik shpk ka fituar një tender të majmë nga Bashkia Pogradec. Projekti me vlerë 264 milionë lekë, apo 2. 6 milionë euro parashikonte ndërtimin e Ujësjellësit të Mokrës, Faza 2. Edhe ky tender është me flamur të kuq e pa garë.
Një nga tenderat më flagrantë që ka përfituar kompania Adriatik shpk, është ai i për sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit, faza e parë, projekt i financuar nga Programi i rindërtimit. Vlera e këtij tenderi të fituar në tetor të vitit 2021, është 19 milionë euro. Për të kuptuar më qartë qytetarët e Durrësit, abuzimi me këtë tender është pikërisht arsyeja, se pse sa herë bie shi, rrugët e Durrësit përmbyten.
Ky projekt parashikonte edhe ndërtimin e një hidrovori të ri shumë larg atij të vjetrit, çka duket se e ka bërë atë jo funksional dhe ende vijojnë testimet me të në kurriz të qytetarëve, që përmbyten çdo dimër, apo periudhë me rreshje. E ndodhur përballë akuzave të mediave, kryebashkiakja e Durrësi Emirjona Sako është përpjekur ta jutifikojë dështimin e projektit 19 milionë euro me problemet e shpronësimeve, por kjo nuk ka penguar lëvrimin e milionave për kompaninë e Petrit kovaçit, që gjatë periudhës 2022-2023 ka marrë 3. 3 milionë euro.
Shkurtimisht, që prej emërimit të Spartak Kovaçit si drejtor të Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës, kompania e babait të tij ka njohur një rritje të menjëhershme me një xhiro prej 32 milionë euro, të përfituara drejtëpërdrejtë apo si nënkontraktor, para të cilat do duhet të hetohen nga SPAK. Ndërkohë që faturimi i kësaj kompanie për periudhën kohore 2014-2023 është mbi 37 milion euro./ Emisioni “PLUG”