Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim Sokol Mjacajn, i cili akuzohet për vrasjen e Arben Lleshit, ngjarje kjo e ndodhur në qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Peqin, mesditën e 15 dhjetorit 2023. Në atë ngjarje mbeti i plagosur dhe Indrit Shaqja, i cili vuante dënimin në burgun e Peqinit.
Mjacaj akuzohet për kryerjen e veprave penale “vrasje në rrethana cilësuese”, “mbajtjen dhe prodhimin e armëve”, dhe “futjen e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.
Hetimet paraprake kanë përfunduar edhe për 12 zyrtarë të burgut të Peqinit në atë kohë, më konkretisht drejtori i burgut, Kamber Hoxha, Qani Muça, shefi i regjimit të godinës “41 biss”, Nikolin Gjonpalaj, ish-shefi i policisë së burgut të Peqinit, Vilson Shima, shef i regjimit të godinës B, Arben Dulellari, Specialist informacioni, salla operative IEVP Peqin, Fatos Pire, polic shërbimi, përgjegjës sektori kati i parë, godina B, Ilir Balla, punonjës shërbimi godina B, Florenc Mile, polic shërbimi tek godina B, Genci Muça, shërbim në kollonë, godina B, Indrit Dubali, punonjës roli bazë, godina B , Klement Haka, punonjës i rolit bazë, godina B dhe Erjon Çela, polic shërbimi, godina B në IEDP, Peqin. Zyrtarët e burgut akuzohen për kryerjen e veprës penale “shpërdorim detyre”.
Sokol Mjacaj dyshohet se armën e zjarrit pistoletë të përdorur në krim e kishte futur në burg disa javë përpara ngjarjes. Vrasja ndodhi në një kohë kur në media u publikua lajmi se Sokol Mjacaj do të futej në regjimin “41 Biss”.
Në dëshminë e dhënë për grupin hetimor, Sokol Mjacaj deklaroi se kishte një konflikt me Arben Lleshin, por Prokuroria e konsideron këtë vetëm një alibi, duke e parë si një vrasje me pagesë. Ai nuk ka qenë shumë bashkëpunues me drejtësinë, duke ngritur edhe më tej dyshimet.
Sokol Mjacaj ndërkohë është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek, ngjarje kjo ndodhur në Prekal të Malësisë së Madhe në vitin 2015.
Pas vrasjes brenda qelisë, trupi i pajetë i Arben Lleshit qëndroi për rreth një vit në morg, dhe më pas u varros nga vetë shteti në Mat, pasi familja Lleshi nga fshati Rukaj i Burrelit e braktisi për shkak të frikës së vijimit të sagës se hakmarrjes.
Arben Lleshi ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen dhe më pas djegien e trupit të pajetë të Agim Hoxhës në 2012 në Britaninë e Madhe. Lleshi u vra brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë ne Peqin nga Sokol Mjacaj edhe ky i dënuar me burg përjetë për vrasjen e dy turistëve cekë gjatë një tentativë grabitje në 2015.
Ekzekutimi i Arben Lleshit dyshohet të jetë kryer për motive gjakmarrje. Më herët, persona të paidentifikuar kanë vrarë dy xhaxhallarët e tij ndërsa i kanë rrëmbyer e zhdukur pa gjurmë dy kushërinjtë e parë. Pavarësisht se familja Lleshi deri më tani ka humbur 5 pjesëtarë, sërish ata i frikësohen hakmarrjes, edhe pse rezulton se të afërmit e kishin braktisur 37-vjeçarin dhe asnjë prej tyre se kishte takuar në burg vitet e fundit.
Gjithsesi, deri më tani Prokuroria nuk ka mundur të identifikojë ende urdhëruesit e krimit, ndonëse konfliktet mes dy familjeve janë të njohura prej 12 vitesh.














