Nga Boldnews.al
Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, krahas aspektit penal, ka një ndikim të fort edhe në rrafshin politik.
Ai është parë prej kohësh si pasuesi i mundshëm i Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste dhe duket se kjo dëshirë “i hëngri kokën”, përballë kryeministrit që ka kontroll absolut mbi forcën politike, por edhe në sistemin e drejtësisë.
Vite më parë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, krijoi kupolën e tij të Policisë së Shtetit, njerëz të besuar dhe “tepelens”, duke krijuar një pol të rëndësishëm politik. Fati i Tahirit tashmë është i njohur.
Veliaj duket se eci në të njëjtat gjurmë të Tahirit, duke krijuar një pol të tijin të rëndësishëm brenda Partisë, por, kësaj radhe, jo me Policinë e Shtetit, por me drejtësinë.
Në krye të “Polit Veliaj” në drejtësi qëndron Fatmir Xhafaj. Ish-“babai” i Reformës në Drejtësi, Xhafaj u largua nga posti i Ministrit të Brendshëm në vitin 2018, pasi vëllai i tij, Agron (Geron) Xhafaj, u detyrua të udhëtonte drejt Italisë, ku duhej të vuante dënimin prej 7 vitesh burgim për përfshirje në organizatë kriminale të narko-trafikut. Geroni ishte dënuar në vitin 2012, por vëllai i tij ministër e mbrojti për disa vite, derisa skandali u publikua dhe Rama nuk mund ta mbante më Fatmirin në kabinet qeveritar, pasi “i prishte imazhin”.

Pas shkarkimit, Xhafaj u mënjanua nga jeta e politike e kupolës së Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e vitit 2021, Rama e vendosi Xhafajn në “fund të listës” së kandidatëve për deputet në Qarkun e Tiranës.
Falë angazhimit personal të Veliaj, si drejtues politik i fushatës së PS-së në kryeqytet, si edhe përfshirjes së fuqishme të “çunave të 5D”, ish-drejtorët tashmë të arrestuar të Bashkisë së kryqytetit, Fatmir Xhafaj arriti të marrë votat e nevojshme për thyerjen e herësit dhe të dalë deputet.
Në krah të Fatmir Xhafajt, më saktë një lloj “ushtari”, ka qenë dhe vijon të jetë Sokol Sadushi. Ish-Drejtor i Shkollës së Magjistraturës në kohën e hartimit të Reformës në Drejtësi, Sadushi u katapultua në krye të Gjykatës së Lartë.

Kjo ndodhi pasi Xhafaj, me një ndërhyrje ligjore “të momentit të fundit”, hoqi kufizimin për emërimin në poste të larta të drejtësisë të Ekspertëve të Lartë të Reformës në Drejtësi.
Trekëndëshin e “polit Veliaj” në sistemin e drejtësisë e plotëson Ilir Toska. Një ish-gjyqtar Apeli, Toska u emërua në Gjykatën Kushtetuese.
Ai konsiderohet si “kallauzi” i Xhafajt në Kushtetuese dhe zbatuesi i rrëmujës së krijuar me mandatet e anëtarëve të asaj gjykate. Ilir Toska, falë mbështetjes “Xhafaj-Sadushi” besohet se do të marrë drejtimin e Gjykatës Kushtetuese, pas zëvendësimit të kryetares aktuale, Holta Zaçaj.

Tentakulat e Veliajt në drejtësi përfshihen edhe në drejtime të tjera. Një ish-vartëse e tij e përbetuar në organizatën “Mjaft”, Klotilda Bushka (Ferhati), drejton Komisionin Parlamentar të Ligjeve.

Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e Veliajt, përmendet edhe Bushka, si një person që “ka penguar veprimet e drejtësisë”. Emri i saj është regjistruar në regjistrimin e procedimeve penale, gjë që do të thotë se brenda pak orësh apo ditësh, Klotilda Bushka do të merret e pandehur.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka luajtur shpesh në dy fusha. Ai nuk ka pasur asnjëherë guximit të dalë kundër linjës “Veliaj-Xhafaj”, por, natyrisht, as nuk duket se e ka çuar ndërmend që të dalë kundër Ramës.

Brenda Prokurorisë së Posaçme, SPAK, ka një grup që konsiderohen si “prokurorët e Erion Veliaj”. Ata mund të mos kenë lidhje drejtëpërdrejtë me kryetarin e arrestuar të Bashkisë së Tiranës, por janë falenderuar për detyrën që kanë vullnetit të Fatmir Xhafajt dhe rrjetit të këtij të fundit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe në strukturat e Vetingut.
Tashmë, arrestimi i Veliajt, “pasuesit”, pritet të krijojë pështjellim edhe në ‘polin e tij të drejtësisë”.
Varianti i parë është që ky pol të rebelohet ndaj Edi Ramës. Ky variant nuk duket i besueshëm. Secili prej këtyre personazhe, edhe pse janë pjesë e sistemit të drejtësisë, e dinë shumë mirë që nuk ka prokuror që të mos zbatojë vullnetin e shefit të Qeverisë, në rast se ky i fundit vendos t’i dërgojë pas hekurave.
Varianti i dytë, edhe më i mundshëm është që “poli i Veliajt në drejtësi” të qëndrojë urtë, në pritje të një dështimi të mundshëm politik të Ramës dhe më pas të ringjallen.
Varianti i tretë është që “poli” të shesë politikisht sa më shpejt Erion Veliajn dhe t’i betohen për përulje Edi Ramës, me shpresën që do t’i mbajë në konsideratë.