Nga Armand Shkullaku
Në 12 vite si kryeministër, Edi Rama nuk është dukur më keq se dy ditët e fundit, pas dërgimit në qeli të atij që ishte projektuar si pasardhës i tij në Partinë Socialiste. Me pamjen e një korbi të rrëgjuar, të cilit po i bien pendët duke i zbuluar lëkurën e sëmurë, kreu i organizatës së Rilindjes, është dorëzuar më në fund duke pranuar se parimet apo standartet e propaganduara prej tij deri më tani, kanë qenë thjesht pallavra.
I kushtëzuar prej peshës politiko- mediatike të Veliajt që ai vetë ia ka dhënë, i panikuar se një “tigër nr.2” mund të klithë nga qelia dhe nën paranojën se “heronjtë” e SPAK po i paraprijnë një erë tjetër që fryn përtej oqeanit e mund t’i dalin nga kontrolli, kryeministri “reformator” ka dalë me tezën e rrezikut të një Republike Prokurorësh.
I përbetuari se nuk do të komentonte kurrë veprimet e drejtësisë së re, akuzoi në cilësinë e kryeministrit prokurorë e gjyqtarë si kamikazë të opozitës e sigurimsa, u përmendi rrogat e larta dhe i shantazhoi se nëse merr mandatin e katërt do të vendosë të tjera standarte për drejtësinë. Me këtë qëndrim, ai ua ka mbushur gojën me diçka që do t’i pengojë të flasin, të gjithë atyre që alarmoheshin nga gjuha e Berishës, i cili nuk e ka fuqinë e kryeministrit për të ndikuar e shantazhuar drejtësinë.
Më keq se kaq, Edi Rama u detyrua të shfaqet si langaraq përpara organizatës dhe “dëshmorëve” të saj, të cilëve deri dje u kishte trumpetuar se përgjegjësia është individuale dhe se partia nuk është zyrë avokatie për ata që hanë dardha pas shpinës së tij, porse në rastin e Veliajt përgjegjësia qenka e standarteve të drejtësisë së re.
Deputetët e organizatës, që rrinë si pula të shushatura kur bossi i tyre ndërron qëndrim 180 gradë, dëgjuan se ai ishte i ndjeshëm për faktin se kush do ta çonte në shkollë djalin e Erjonit, por nuk i kujtuan fjala vjen se përse nuk u prek për foshnjen e Arben Ahmetajt apo vajzat e rritura që duhet të lexonin lajmet për vibratorë në shtëpinë e babait të tyre. Edi Rama me të drejtë mund të kërkojë prova për burgosjen e Velisë, por si kryeministër pse nuk i kërkoi edhe për Fredi Belerin e Sali Berishën? Atij i ardhkërka keq që një artisti iu mor telefoni nga SPAK, por fërkoi duart kur ish presidenti dhe njeriu që i dha pushtetin si në Bashki ashtu dhe në qeveri, u tërhoq zvarrë nga policë me maska.
Këto standarte të dyfishta nuk vlejnë aq për të treguar moralin e Edi Ramës, se sa për t’u dëshmuar vetë socialistëve se lideri i organizatës ka mbërritur në pikën ku nuk mund të mbrojë e të tregojë asgjë bindëse përballë tyre, veç piruetave boshe dhe trashjes së zërit ndaj vartësve kur i ikën interneti.
Me burgosjen e Velisë, teza e fajit individual ka rënë. Normalisht, në një vend ku demokracia funksionon, një kryeministër me kreun e bashkisë dhe numrin dy të partisë në qeli, me ministrat kryesorë në burg e një varg të tërë zyrtarësh e deputetësh të dënuar apo nën akuzë, të gjithë për korrupsion, do kishte dhënë dorëheqjen me kohë. Për të shmangur këtë përgjegjësi mëse normale, Ramës nuk i mbetej gjë tjetër veçse sulmi absurd ndaj një drejtësie që kurrë s’ka guxuar të shkojë deri tek ai apo tek krimi elektoral që e mban atë në pushtet.
Rama sot nuk është i poshtëruar në sytë e atyre që e kanë zgjedhur, vetëm për faktin se ka ngritur një sistem të korruptuar. Ai është i menderosur përballë socialistëve të thjeshtë që po shohin çdo ditë se në çfarë luksi e kanë shndërruar votën e tyre Edi Rama me shokë. Erjoni nuk vesh fustan, u mundua të shfajësohet kryeministri, por nuk tha se 900 mijë euro blerje online Ajolës nuk ia ka dhënë “tata për bajrom”, por abuzimi dhe arroganca me një pushtet që konsiderohet i përjetshëm. Kryeminstri, qejfli i verave të shtrenjta, fluturimeve charter, ulëseve VIP në NBA, nuk mund të jepte shpjegim tjetër. Ai mund të shpenzojë për detokse fiziologjike, por është i dorëzuar përballë helmatisjes që u ka shkaktuar shqiptarëve.
Prandaj këtë herë, kur trashjen e abuzimit 10 vjeçar në bashkinë e Tiranës nuk kishte rrjetë që ta lëshonte dot, Edi Rama nuk mund ta justifikonte me dardha e mollë. Bahçja e tij e korrupsionit ka dalë sheshit, bashkë me rrënimin e imazhit të një njeriu që erdhi si shpresë për vendin dhe përfundoi si kapo e një bande keqbërësish. Me daljet e fundit në publik, ai do të mbahet mend edhe si rekordi i një politikani që iu harxhuan alibitë për të mbuluar abuzimet dhe skandalet që prodhoi. Prandaj nuk po arrin të bëjë më bla bla bla, por vetëm kra kra kra.
/Lapsi.al