Qindra mbështetës të Partisë Socialiste u mblodhën mëngjesin e të mërkurës në kangjellat e Gjykatës së Posaçme duke protestuar kundër arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u arrestua të hënën me vendim të Gjykatës së Posaçme për veprën penale të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Me pankarta në duar ku shfaqeshin objekte publike të kryeqytetit, mbështetësit ishin mbledhur që para fillimit të seancës së verifikimit të masave të sigurimit personal të caktuara ndaj Erjon Veliajt, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe gjashtë biznesmenëve, duke thirrur njëzëri “lali, lali, lali”.
Tetë të hetuarit akuzohen për krijimin e një skeme korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa dhe grupit të biznesmenëve pranë tij, të cilët janë pjesë e hetimit, me vlerë transaksionesh prej më shumë se 1 milion euro.
Pak çaste para fillimit të seancës, e planifikuar për në orën 8:30, në ambjentet e Strukturës së Posaçme pati shkëputje të energjisë elektrike. Megjithatë, seanca u zhvillua dhe u ndërpre rreth orësn 09:30 me kërkesë të avokatëve mbrojtës të të hetuarve, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me të dhënat e fashikujve, për të rifilluar në orën 13:30.
Në dukje të organizuar mirë, protestuesit bllokuan një segment të rrugës Jordan Misja.
“Jam këtu për veprat e Erion Veliajt, flasin vetë. S’kanë nevojë për koment,” tha një protestuese me dy pankarta në duar, në njërën prej të cilave shfaqej projekti i Teatrit të ri.
“E mbështes për punët e mira që ka bërë deri më sot,” i tha BIRN një tjetër protestues që u prezantua si pensionist.
Një tjetër i pranishëm në tubim, shprehu pakënaqësinë se të tjerë që duhej të ishin në qeli, ishin duke “ngrënë e duke pirë”.
“Këtu njerëzit dënohen vetëm me dyshimin e arsyeshëm. Ky vend ka 34 vjet tranzicion dhe ata që janë për t’u kapur, nuk janë kapur. …Unë jam mbështetës me logjikë, nuk jam mbështetës kështu, budalla”, tha ai.
Për rreth një orë, mbështetësit e Veliajt bllokuan një segment të rrugës automobilistike duke penguar qarkullimin e automjeteve, ndërsa punonjësit e Policisë së Shtetit të pranishëm, dukeshin të pafuqishëm për të vendosur rregull.
“O djema hajdeni, o djema hajdeni,” u thirri disa herë njëri prej të pranishmëve protestuesve, që qëndronin më në distancë, duke u kërkuar atyre të afroheshin tek kangjellat e SPAK.
Rreth orës 09:10, Policia e Shtetit u vendos në dispozicion të protestuesve, duke ndaluar qarkullimin për automjetet në segmentin e rrugës ku gjendeshin ata. Drejtoria e Policisë së Tiranës nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këitj shkrimi nëse protestuesit kishin marrë leje për zhvillimin e tubimit dhe as për arsyen e ndalimit të qarkullimit të automjeteve në segmentin e rrugës së bllokuar nga mbështetësit e Veliajt.
Kur gjykata vendosi rreth orës 09:30 të ndërpresë seancën për t’u dhënë kohë të hetuarve dhe mbrojtësve të tyre të njiheshin me dosjen, grupi i protestuesve u shpërnda menjëherë.
Prej dy ditësh Veliaj ka marrë mbështetje e kryeministrit Edi Rama, i cili nuk i ka kursyer sulmet nga gjyqtarit të çështjes dhe prokurorëve të SPAK. Po ashtu, Rama deklaroi se nuk do ta shkarkojë Veliajn dhe i cilësoi akuzat kundër tij si “roman policesk”.
Përfaqësues të shoqërisë civile e shohin me shqetësim mbështetjen qeveritare ndaj Veliajt ndërsa ai akuzohet për korrupsion.
“Ata që duhet të dilnin në protestë për vjedhjet, sot dolën për të akuzuarit për vjedhje! Korrupsioni në Shqipëri nuk është më një fenomen por është kthyer në standart dhe kulturë dhe ç’rrënjosja e tij kërkon kohë dhe ka një faturë të rëndë që duhet paguar,” tha përmes një statusi Qëndresa Qytetare.
“Sot punonjës të administratës së Bashkisë Tiranë dolën në protestë para SPAK kundër procesit gjyqësor të Erion Veliajt. Mes protestuesëve ishin edhe efektivë të Policisë Bashkiake, të cilët protestonin përballë kolegëve të tyre të rendit”, shtoi më tej organizata.
Erion Veliaj, 45 vjeç shihej brenda Partisë Socialiste si “delfini” i kryeministrit Edi Rama dhe një pasues i mundshëm i tij, përpara se figura e tij politike të njollosej nga akuzat për aferën e inceneratorit të Tiranës apo një skemë korrupsioni e drejtorëve të Bashkisë së tij, e njohur si dosja 5D./ BIRN