Saimir Beqiraj 40 vjeç u gjet i vrarë sot në oborrin e një lokali në periferi të Elbasanit, pranë karburantit të tij. Përpara dy vitesh, viktimës i është vrarë vëllai i tij, Gentian Beqiraj, i cili u ekzekutua brenda banesës së tij, ku po ruhej me oficerë policie.
Kujtojmë se vëllai i viktimës së sotme, Gentian Beqiraj, ishte nën arrest shtëpie për vrasjen e Sokol Çapjes, ku po ruhej me dy policë. Sipas ngjarjes së atëhershme, persona të paidentifikuar që ende nuk janë arrestuar edhe sot, u futën në banesën e Gentian Beqiraj dhe e ekzekutuan me dy plumba në kokë.
Brenda banesës ishte edhe babai i viktimës, i cili po ashtu ndërroi jetë nga infarkti për shkak të tronditjes nga vrasja e djalit. Sikurse të gjitha mediat raportuan në muajin Shkurt 2016, mes dy fiseve Çapja dhe Beqiraj është një histori e gjatë prej 11 vitesh hakmarrjesh dhe vrasjesh mes tyre.
Kujtojmë se më 3 shkurt 2016, pranë stadiumit ‘Elbasan Arena’ ndodhi krimi i rëndë që u etiketua si masakra e Elbasanit, ku u vranë 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë, të gjithë pjesëtarë të fisit Çapja.
Të plagosurit dhe viktimat e masakrës së Elbasanit më 3 shkurt 2016
Viktimat:
1. Agron Çapja 50 vjeç, banues në Elbasan
2. Ardit Sinakoli 27 vjeç, banues në Elbasan
3. Eno Bedalli 38 vjeç, banues në Elbasan
Të plagosurit:
1. Ardian Zharri 45 vjeç banues në Elbasan
2. Fejzulla Çapja 58 vjeç, banues në Elbasan
3. Ferit Muca 42 vjeç banues në Elbasan
4. Luan Muca 47 vjeç ,banues në Elbasan
5. Bujar Rreshka 40 vjeç banues në Librazhd
6. Florenc Çapja 35 vjeç banues në Elbasan
7. Arnold Çapja 23 vjeç, banues në Elbasan
8. Erdis Sulku 33 vjeç, banues në Elbasan
Të plagosurit që mbijetuan nga masakra, para dy muajsh deklaruan se ngjarja ishte një goditje e rëndë për familjen e tyre dhe se e dinë kush fshihet pas saj, megjithatë thanë se do t’ia lënë në dorë policisë të zbardhin vrasjet. Sipas hetimeve të policisë për këtë ngjarje, policia në atë kohë nuk përjashtoi as pista të tjera hetimi, kurse vet familja Beqiraj u distancua kategorikisht nga kjo masakër.
Mbërrijmë në ditën e sotme, 11 Prill, pak më shumë se dy muaj nga e ashtuquajtura masakra e Elbasanit, ku mëngjesin e sotëm u gjet i vrarë Saimir Beqiraj. Policia thotë se viktima është ekzekutuar gjatë natës, ndërsa trupi i pajetë i 40-vjeçarit po i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.
Policia ende nuk ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me këtë krim, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar edhe në pista të tjera, pasi Saimir Beqiraj ishte person me precedent të mëparshëm penal i përfshirë në trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni.