Tre persona janë arrestuar në Shkodër gjatë operacionit policor të koduar ‘Siguria’, i zhvilluar në kuadër të goditjes së rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit, policia arriti të sekuestroi një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, si dhe sasi të dyshuara të kokainës dhe cannabis sativa.
Në pranga ranë një 42-vjeçar nga Shkodra dhe dy të rinj 18-vjeçarë, njëri banues në Shkodër dhe tjetri në Londër. Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit në ambientet e një lokali në lagjen ‘Vasil Shanto’, 42-vjeçarit iu gjetën pistoleta, municioni dhe një dozë e dyshuar kokaine.
Njoftimi i policise
Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “SIGURIA”.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe sasi të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar ” SIGURIA”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
• E. K., 42 vjeç, banues në Shkodër;
• A. I., 18 vjeç, banues në Shkodër;
• I. A., 18 vjeç, banues në Londër.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit E. K., i cili ndodhej në ambientet e një lokali në lagjen “Vasil Shanto”, në Shkodër, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, dhe një doze të lëndës së dyshuar narkotike kokainë.
Gjithashtu, në momentin e kontrollit, së bashku me shtetasin E. K. ndodheshin shtetasit A. I. dhe I. A., të cilët u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Gjithashtu gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. I. u gjet dhe u sekuestrua një cigare me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.














