Prokurori i Vlorës, Xhemal Saliaj u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, më 7 tetor 2024, pasi u konkludua se nuk arriti nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe se në vlerësimin tërësor kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia. Vendimi u mor me votat e shumicës së trupës së KPK, të përbërë nga kryesuesja Alma Faskaj dhe anëtarja Xhensila Pine. Relatorja e çështjes, Pamela Qirko doli në pakicë duke çmuar se Saliaj arriti nivel të besueshëm për të tri kriteret e rivlerësimit dhe se duhej konfirmuar në detyrë.
Xhemal Saliaj e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si prokuror në Prokurorinë e Beratit, ku ka ushtruar dhe funksionin e drejtuesit. Prej vitit 2013 e deri në shkarkimin nga detyra, Saliaj e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Rrethit Vlorë.
Vlerësimet për pasurinë
Shumica ka arritur në përfundimin se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm lidhur me një apartament me sipërfaqe 71.71 m2 në Vlorë, si dhe se ka pasur mungesë të burimeve financiare për pagesën e çmimit dhe shlyerjen para kohe të kredisë. Saliaj ka deklaruar se apartamentin e ka blerë në vitin 2004 kundrejt çmimit 3.5 milionë lekë, me burim krijimi një kredi 35 mijë euro.
Nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se në maj të vitit 2004 është lidhur kontratë për kredinë 35 mijë euro me afat 10-vjeçar dhe është dakordësuar që të vendoset si garanci apartamenti që do të blihej dhe një tjetër pasuri e subjektit me vlerë prej 250 mijë lekësh. Vlera e kredisë, në masën 4.3 milionë lekë është derdhur në llogarinë e palës shitëse. Ndërkohë, në dosjen e kredisë ka rezultuar se është përcaktuar se borxhi prej 4.4 milionë lekësh është pjesa mbetur e detyrimit për blerjen e shtëpisë së re tek firma e ndërtimit. Po ashtu, është shënuar se klienti ka paguar një shumë prej 15 mijë euro, nga të cilat 10 mijë euro janë pagesë kësti, ndërsa 5000 euro për meremetime që e njëjta firmë ndërtimi do të bëjë tek apartamenti i ri.
KPK e ka kryer analizën financiare paraprake duke konsideruar shpenzime për blerjen e apartamentit vlerën 50 mijë euro, sipas dokumentacionit të administruar në bankë. Kredia nuk është përfshirë si burim, pasi është disbursuar më vonë nga data kur është nënshkruar kontrata e shitblerjes, ku shënohej se gjithë vlera ishte shlyer. Për rrjedhojë, ka rezultuar bilanc negativ në shumën 6 milionë lekë.
Komisioni i ka kaluar subjektit barrë prove për deklarim të rremë të çmimit të apartamentit, pasi vlera e shënuar në kontratë duket se është fiktiv, i vendosur me marrëveshje mes palëve.
Subjekti ka shpjeguar se çmimi i paguar shitësit është kryer pas disbursimit të kredisë. Ai ka theksuar se në kontratë është shënuar se ishte shlyer çmimi, në dakordësi me palën shitëse, me qëllim që apartamenti të regjistrohej në hipotekë në emër të tij si kredimarrës, pasi ishte kusht i panegociueshëm i bankës për dhënien e huasë. Po ashtu, ai ka kundërshtuar si të pabazuar vendosjen e çmimit prej 50 mijë euro, duke pretenduar se vlera e vendosur në dokumentacionin e administruar nga banka nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të bankës, pasi dokumenti është i panënshkruar nga ndonjë punonjës dhe i pavulosur.
Por, shumica vlerëson se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës lidhur me vlerën e deklaruar të paguar për përfitimin e kësaj pasurie, si dhe për pamundësinë financiare të konstatuar në vitin 2004. Sipas shumicës, edhe nëse në analizën përfundimtare financiare të kryer do të merrte në konsideratë vlerën e kredisë së përfituar pas pagimit të pasurisë, si burim krijimi për apartamentin në vlerën 4.4 milionë lekë, analiza financiare e subjektit do të rezultonte me pamundësi financiare për pagimin e shumës 15 mijë euro po në atë vit. Po ashtu, konkludohet se deklarimi i subjektit në deklaratën veting, mbi vlerën e përfitimit të pasurisë, e vendos atë në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm.
Komisioni ka konstatuar se prokurori Saliaj nuk ka vërtetuar mundësinë për shylerjen e kredisë brenda tre viteve, me një hua 17 mijë euro të marrë nga motra, pasi ka dështuar të jetë bindës mbi burimin e ligjshëm të kësaj huaje.
Qirko kundërshton konkluzionin e shumicës në lidhje me përcaktimin e vlerës së pasurisë në shumën 50 mijë euro, duke e konsideruar të pabazuar në prova. Ajo i cilëson në harmoni me njëra-tjetrën shpjegimet dhe aktet e depozituara nga subjekti për të kundërshtuar barrën e provës.
“Nga analizimi i veprimeve dhe deklarimeve të kohës dhe në mungesë të ndonjë akti tjetër që të provojë të kundërtën, çmohet bindës fakti se pasuria objekt vlerësimi ka pasur vlerën 3,500,000 lekë dhe se subjekti përtej kësaj vlere i ka paguar shoqërisë së ndërtimit edhe vlerën e investimit të mobilieve”, vlerëson Qirko dhe shton se çdo lloj dyshimi tjetër për çmimin, qoftë edhe i arsyeshëm, nuk do të ishte i drejtë në vlerësimin e subjektit nëse nuk do të ishte i bazuar në prova.
Ajo vëren se shumica nuk është bazuar në akte zyrtare, por në dokumente që përmbajnë shënime të punonjësve të bankës, që nuk kanë as ekstremitetet e një akti zyrtar.
Qirko kundërshton dhe konkluzionin e shumicës për moskonsiderimin e huasë nga motra, duke sjellë në vëmendje se Saliaj paraqiti akte shtesë që jepnin informacion të detajuar në lidhje me të ardhurat e akumuluara për shkak të punësimit në shtetin grek për periudhën 2002 – 2008, të bashkëshortit të huadhënëses.
Në përfundim relatorja Qirko vlerëson se për shlyerjen e kredisë, subjekti gjendet me bilanc negativ në shumën 437 mijë lekë, që bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit nuk mund të sjellë penalizim.
Për blerjen e një apartamenti tjetër në vitin 2016 me burim të ardhurat nga shitja e banesës së mëparshme, kursimet nga pagat dhe një kredi, nuk janë gjetur probleme penalizuese.
Shumica vlerëson se prokurori Saliaj nuk arriti të provonte se nëna ishte pronarja reale e një automjeti të përdorur prej tij. Makina është blerë në emër të nënës në vitin 2010, e cila për shkak të gjendjes shëndetësore përfitonte nga statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik. Komisioni konstaton pamundësi të nënës për blerjen e makinës me të ardhurat nga pensioni.
Po ashtu, sipas shumicës, subjekti i rivlerësimit ka përfituar nga statusi i nënës së tij si invalide, me qëllim krijimin e lehtësirave fiskale për blerjen dhe gëzimin e kësaj pasurie, duke sjellë për rrjedhojë cenim të etikës dhe integritetit të tij si prokuror. “[…]pasi kjo mënyrë sjelljeje e zgjedhur prej tij duket se tregon një qasje të caktuar në raport me respektimin e ligjit, zbatimi i të cilit është detyrë themelore e magjistratit edhe jashtë ushtrimit të funksionit të tij”, vërejnë Faskaj dhe Pine dhe e kanë konsideruar këtë rrethanë në vlerësimin e përgjithshëm.
Qirko kundërshton qëndrimin e shumicës dhe çmon se nëna Saliajt ka pasur mundësi për blerjen e mjetit, nga të ardhurat e përfituara si invalide paraplegjike sipas ligjit, si dhe të ardhurat e tjera nga pensioni i pleqërisë. Po ashtu, relatorja vlerëson se subjekti ka pasur mundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie në vitin 2010.
Ajo konstaton se subjekti nuk ka kryer fshehje të pasurisë, pasi ai e ka deklaruar përdorimin e automjetit në deklaratën e rivlerësimit kalimtar, si dhe ka konfirmuar gjatë hetimit administrativ përdorimin e tij për një kohë të gjatë.
Qirko çmon se sa i përket kriterit të pasurisë, mungesa e burimeve të ligjshme në shumën prej 437 mijë lekësh për mbylljen e parakohshme të kredisë, nuk mund të konsiderohet se e vendos subjektin në kushtet e mosarritjes së një niveli të besueshëm.
Vlerësimi tërësor
Nga analizimi dosjeve profesionale të subjektit, shumica ka konstatuar se në dy çështje ai nuk ka kryer veprimet hetimore ezauruese për të provuar shkeljet e konstatuara, ndërkohë që në një rast tjetër nuk janë respektuar elementet e një procesi të rregullt ligjor duke i mohuar personit në hetim të drejtën për të marrë avokat.
Po ashtu, shumica vlerëson se kur subjekti ka mbajtur funksionin e drejtuesit, nuk ka ushtruar detyrën në mënyrë të plotë dhe ezauruese.
Në një rast konstatohet se Saliaj e ka ushtruar funksionin e tij në kushtet e konfliktit të interesit në dukje.
Megjithëse gjetjet në kriterin profesional nuk vlerësohen penalizuese nga ana e shumicës së trupës së KPK, ato janë konsideruar në vlerësimin e përgjithshëm, lidhur me cënimin e besimit.
Qirko ka dalë kundër dhe për konstatimet në aspektin profesional, duke i cilësuar ato të pabazuara. Sipas relatores, nuk qëndron as konstatimi për konfliktin e interesit në dukje dhe çmon se prokurori Xhemal Saliaj ka arritur nivel të besueshëm në të tre krietret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit dhe duhej të ishte konfirmuar në detyrë./BIRN