Në një mëngjes të kthjellët pranvere në maj, një patrullë policie në veriun e Shqipërisë u dërgua në një shpat mali pranë fshatit Morinë, jo shumë larg kufirit me Kosovën, për të hetuar një raportim për aktivitet të dyshimtë. Një grup burrash ishin parë duke pushuar nën hijen e një peme, në një zonë të përshkuar nga trafikantë qeniesh njerëzore.
Ajo që nisi si një kontroll rutinë u përshkallëzua shpejt në një përplasje me armë zjarri, megjithatë, duke lënë të plagosur një oficer dhe një civil.
Përleshja nuk ishte fatale, por arrestimet në të cilat ajo çoi – pesë sirianë dhe një algjerian – hapën një dritare në një operacion trafikimi qeniesh njerëzore që shtrihej nga Turqia në Evropën Perëndimore, duke kaluar nëpër Ballkan.
Kjo është një rrugë që është bërë gjithnjë e më e dhunshme, paralelisht me masat gjithnjë e më të ashpra të përdorura nga Bashkimi Evropian – dhe vendet e Ballkanit që aspirojnë të bashkohen me bllokun – për të frenuar fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve.
Ekspertët në terren thonë se masa të tilla po i çojnë azilkërkuesit e dëshpëruar në duart e trafikantëve që vënë fitimet në radhë të parë dhe nuk hezitojnë ta mbrojnë terrenin e tyre me armë. Incidentet e dhunshme si ai i parë në shpatin e malit pranë Morinës po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.
“Vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë, gjatë dy muajve të fundit, janë regjistruar më shumë se pesë përleshje të dhunshme, duke përfshirë armë zjarri dhe thika”, tha Anesa Agovic, Koordinatore në terren për Bosnjën dhe Hercegovinën në Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, GI-TOC.
“Është raportuar gjithashtu bashkëpunim mes grupeve kriminale lokale dhe rrjeteve të trafikimit të emigrantëve. Duke pasur parasysh shumat e mëdha të parave të përfshira, kanë lindur konflikte mes emigrantëve të përfshirë në trafikim.”
“Trafikimi i emigrantëve është një formë e krimit të organizuar që është rritur vitet e fundit në një kuadër global, si dhe në Ballkan”, tha Agovic për BIRN, duke folur në anglisht.
Eksperti i sigurisë Redion Qirjazi tha se Shqipëria ka qenë një rrugë “e suksesshme” për emigrantët “për sa kohë që ata mund të kalonin tranzit pa shumë probleme”.
“Megjithatë, me rritjen e rrezikut për t’u zbuluar, emigrantët janë bërë më të organizuar”, tha ai, “shpesh duke bashkëpunuar me strukturat kriminale për të siguruar një kalim më të sigurt dhe më të shpejtë drejt BE-së.”
“Duhet t’i heqim qafe”
Sipas Frontex, forca kufitare e BE-së, 99,000 “emigrantë të paligjshëm” përdorën rrugën ballkanike për të arritur në bllok vitin e kaluar. Kjo është një rënie prej 31 për qind në krahasim me shifrat e vitit 2022. Këtë vit, numri ka rënë edhe më tej, në afro 19,000 deri më tani, duke shënuar rënien më të ndjeshme të numrit të të gjitha rrugëve kryesore të migracionit të përdorura për të arritur në BE.
Një pjesë e rënies është rezultat i masave shtesë të kontrollit dhe mbikëqyrjes kufitare në Bullgari, me ndihmën e Komisionit Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së. Vitin e kaluar, Bullgaria mori 69.5 milionë euro sipas një skeme pilot për të parandaluar “ardhjet e parregullta” dhe për të forcuar “menaxhimin e kufirit dhe migracionit”.
Frontex ka rritur gjithashtu praninë e saj në Bullgari, e cila kufizohet me Turqinë, me oficerë që marrin pjesë në patrullimet e përbashkëta me rojet kufitare bullgare në xhipa dhe furgona të gjithë terrenit të pajisur me teknologji të kontrollit termik. Frontex ka gjithashtu oficerë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, të dyja kufizohen me Greqinë.
BE-ja gjithashtu ka shkurtuar fondet për organizatat humanitare në Ballkanin Perëndimor, gjë që ka rezultuar në më pak monitorim të flukseve migratore, ndërsa dhuna e ushtruar nga forcat kufitare kombëtare, duke përfshirë “kthimet e paligjshme pas”, i ka shtyrë refugjatët dhe emigrantët të kërkojnë rrugë më pak të dukshme të kontrolluara nga rrjete trafikimi. Në fakt, të dhënat zyrtare mund të mos pasqyrojnë me saktësi situatën në terren.
Ndërsa autoritetet thonë se po ia dalin, ekspertët dhe aktivistët në terren thonë se janë trafikantët ata që po përfitojnë, pasi kërkesa më e lartë përkthehet në fitime më të mëdha.
“Presioni i BE-së mbi vendet e Ballkanit, dhe më parë ndaj Turqisë, për të mbyllur kufijtë me çdo kusht, nuk i pengon refugjatët që të përpiqen ende”, tha Vuk Vuckovic nga Klikaktiv, një organizatë jofitimprurëse për të drejtat e njeriut në Beograd.
“Përkundrazi”, tha ai, “kjo vetëm i shtyn ata në duart e grupeve të trafikimit të emigrantëve, rrjetet e të cilëve po bëhen gjithnjë e më të organizuara dhe agresive ndaj refugjatëve”.
Gjashtë të dyshuarit e arrestuar në veri të Shqipërisë në maj i përkisnin dy bandave rivale të përfshira në trafikimin e emigrantëve dhe refugjatëve përmes tokës nga kufijtë e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë në Kosovë, duke përdorur shoferë vendas.
Sipas një aktakuze kundër tyre, të siguruar nga BIRN, bandat ishin rivale, por efektivisht vepronin nën të njëjtin grup ombrellë që kalonte emigrantët dhe refugjatët në të gjithë kontinentin.
“Udhëheqësit e këtij grupi kriminal janë persona të paidentifikuar që janë përgjegjës për koordinimin e shpërndarjes së parave sipas shërbimeve të ofruara nga grupet kriminale; personi përgjegjës për transportin dhe furnizimin me ushqime për grupet dhe personi që gjen dhe siguron emigrantët”, shkruan prokurorët shqiptarë në aktakuzë.
Anëtarët e bandës komunikonin kryesisht përmes aplikacioneve të mesazheve, ndërsa pagesat bëheshin me para elektronike nëpërmjet platformave të tilla si Moneybox. Ata merrnin porosi dhe udhëzime nga jashtë nëpërmjet mesazheve zanore.
“Këto dy grupe organizojnë operacione… për emigrantët që hyjnë në territorin shqiptar nga Greqia apo Maqedonia e Veriut”, thuhet në aktakuzë. “Udhëtimi i emigrantëve përtej Serbisë e më tej organizohet nga grupe të tjera sipas udhëzimeve të drejtuesve të grupit më të madh kriminal.”
Megjithatë, rivaliteti mes bandave që vepronin në Shqipëri shpërtheu në një konflikt të hapur përpara incidentit të majit, kur drejtuesi i një grupi, i identifikuar nga prokurorët si “shefi Abu Serda”, dyshohet se i dërgoi një armë dhe 20 plumba një ushtari dhe dha një urdhër.
“Ke ardhur për punë; ata të ,orën punën, s’po bën asgjë”, shkroi ai në një mesazh të gjetur nga hetuesit. “Duhet t’i heqim qafe, kështu që shko t’i kapësh nesër dhe më informo.”
Në fshehtësi dhe larg syve
Fotografi të publikuara nga policia shqiptare pas arrestimeve të trafikantëve të dyshuar të emigrantëve në maj. Fotot: Policia Shqiptare.
Në kufi me vendet anëtare të BE-së, Kroacinë dhe Hungarinë, të dyja pjesë e zonës Shengen të Evropës, Serbia është një vend vendimtar tranzit në rrugën ballkanike që përdoret nga një pjesë e madhe e emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia që përpiqen të arrijnë Evropën Perëndimore.
Të motivuara nga fitimet masive, bandat e trafikimit të emigrantëve kanë shënjuar secila territoret e veta në Serbinë veriore, veçanërisht zonën afër kufirit hungarez.
Lufta për territor dhe fitimet që vijnë me të u bënë gjithnjë e më e dhunshme në 2022 dhe 2023, veçanërisht midis trafikantëve afganë, derisa shteti u detyrua të vepronte, duke vendosur 800 policë shtesë, helikopterë, automjete luftarake, dronë dhe pajisje të tjera.
Goditja i ka bërë emigrantët dhe refugjatët të operojnë në fshehtësi, por dhuna vazhdon, duke përfshirë një mori rrëmbimesh edhe në kryeqytetin, Beograd.
Në një video të siguruar nga BIRN nga dy burime të pavarura, një grup emigrantësh mund të shihen të gjunjëzuar në një dhomë dhe teksa po rrihen nga një grup burrash – të identifikuar nga burimet si trafikantë – dhe teksa kërcënohen me thika dhe armë. Burimet thanë se emigrantët ishin pakistanezë dhe se ata ishin mbajtur në Mirijevo, një periferi e Beogradit.
Një nga burimet, një aktivist i OJQ-së që merret me refugjatë dhe që foli në kushte anonimiteti, tha për BIRN: “Raportimin e morëm nga një refugjat. Për rastin kemi njoftuar policinë. Kjo është gjithnjë e më e shpeshtë.”
Vuckovic nga Klikaktiv tha se goditja e policisë thjesht i kishte bërë edhe më të largëta operacionet e trafikimit, duke rritur rreziqet e përfshira për emigrantët dhe refugjatët.
“Më e rëndësishmja, refugjatët po bëhen gjithnjë e më pak të dukshëm për aktorët përkatës, nga institucionet shtetërore e deri te sektori joqeveritar, sepse një pjesë e madhe e rrjeteve të trafikimit e transferuan plotësisht operacionin e tyre në akomodime private, gjë që në fakt e bën më të vështirë pozicionin e refugjatëve”, tha Vuckovic për BIRN.
Ata e gjejnë veten, tha ai, “në një mjedis edhe më të pasigurt ku mund të bëhen viktima të dhunës apo rrëmbimit edhe më lehtë”.
Thika, armë, rrëmbime dhe tortura
Vrima plumbash në një tabelë në Velika Kladusa afër kufirit të Bosnjës me Kroacinë. Foto: Tommaso Siviero/BIRN.
Në veçanti gjatë vitit të kaluar, Bosnja ka qenë dëshmitare e një sërë incidentesh të dhunshme dhe shpesh fatale që përfshijnë trafikantë dhe emigrantë.
Së fundmi, në fillim të shtatorit, një emigrant i ri u qëllua për vdekje në mes të ditës në Stup, një periferi e kryeqytetit, Sarajevë. Mediat raportojnë se u bënë disa arrestime.
“Ata pritën që ai të merrte ca para. E vranë për 100 euro të qelbura, teorikisht”, tha për BIRN një trafikant pakistanez i njohur me rastin në kushte anonimiteti.
Ditën e fundit të vitit 2023, një afgan u gjet i plagosur rëndë pranë një qendre pritjeje në Lipa, pranë kufirit kroat, dhe më pas ai vdiq në spital. Tre javë më vonë, një 18-vjeçar afgan u arrestua në lidhje me këtë rast.
Rreth të njëjtës kohë, gjithashtu në Lipa, një emigrant sirian u godit për vdekje me thikë dhe një tjetër u plagos, ndërsa në maj një emigrant mori plagë me armë zjarri në Sarajevë.
Gjatë bastisjeve të policisë në kampet e emigrantëve gjenden rregullisht armë zjarri dhe armë të tjera, ndërkohë që ka raportime të rregullta në media për rrëmbime, zhvatje dhe tortura të emigrantëve dhe refugjatëve.
Një varg arrestimesh tregojnë se sa larg kanë arritur bandat kriminale.
Në tetor, pesë persona u kapën në Bosanski Brod, në kufirin verior të Bosnjës me Kroacinë, me dyshimin se punonin për një grup të organizuar kriminal përgjegjës për trafikimin në Kroaci të rreth 100 personave me origjinë turke, siriane, irakiane dhe kineze.
Në janar të vitit 2024, katër shtetas afganë u arrestuan dhe u akuzuan për rrëmbim dhe torturim të tre iranianëve, të cilët u liruan vetëm pasi familjet e tyre paguanin gjithsej 18,000 euro si shpërblim.
Prokurorët mësuan se afganët i përkisnin një bande të armatosur trafikimi të njohur si BËK që operon në Bihac dhe Velika Kladusa në Bosnjën veriperëndimore. Një tjetër anëtar i dyshuar i BËK, i identifikuar si shtetasi afgan 19-vjeçar Abdurahman Tahn, u arrestua në mesin e vitit 2024./ BIRN