Pasi gjyqtarët italianë prishën një përpjekje të dytë për të dërguar emigrantë për përpunim në Shqipëri, kritikët thonë se marrëveshja mes dy vendeve është në telashe të mëdha.
Goditja e fundit e marrëveshjes mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe homologut të saj shqiptar, Edi Rama, për dërgimin e emigrantëve të kapur në det për të trajtuar kërkesat e tyre për azil në Shqipëri, është mirëpritur nga kritikët e saj.
Shtatë emigrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi u dërguan në Itali të martën jo shumë kohë pasi u dërguan me kosto të lartë në Shqipëri – kthimi i dytë i kryer javët e fundit, gjë kjo e shkaktuar nga një vendim nga një gjykatë në Romë.
Rigels Xhemollari, nga OJQ-ja Qëndresa Qytetare me qendër në Tiranë, i tha BIRN se marrëveshja ka dështuar.
“Me vendimin më të fundit të gjykatës së Romës, i cili zgjeron edhe më shumë kriteret e një vendi ‘të sigurt’ për emigrantët, kampi i Gjadrit në Shqipëri do të jetë një dështim i marrëveshjes”, tha Xhemollari.
Pra, përveç dështimit të investimit, hapësira do të mbetet si mësim për këtë sjellje të liderëve që nuk e marrin në konsideratë konsultimin publik dhe institucional si një nga hapat kryesorë të një qeverisjeje demokratike”, shtoi ai.
Gentjan Sejrani, një avokat dhe aktivist shqiptar që ka kundërshtuar marrëveshjen për shkak të shkeljeve të mundshme të të drejtave të njeriut, tha për BIRN se, pas dy vendimeve të gjykatës, ai gjithashtu mendon se marrëveshja është efektivisht e vjetëruar.
“Duke iu referuar dy vendimeve të gjykatës italiane, mund të themi se marrëveshja Rama-Meloni ka dështuar. Kostot financiare të vetëm dy udhëtimeve tregojnë se shteti italian praktikisht nuk ka arsye të vazhdojë të sjellë emigrantë në vendin tonë”, tha Sejrani.
“Edhe një herë duhet kuptuar se të drejtat e emigrantëve janë të drejta njerëzore dhe nuk mund të shkelen në asnjë mënyrë dhe nga asnjë qeveri”, shtoi ai.
Në vendimin e tyre të parë më 18 tetor, gjyqtarët në Romë e shpallën të papranueshëm ndalimin në Shqipëri të 12 emigrantëve nga Bangladeshi dhe Egjipti, të cilët u kapën nga Italia në det.
Gjykata vendosi se vendet e tyre të origjinës nuk mund të konsideroheshin të sigurta sipas ligjit evropian dhe për këtë arsye ata kanë të drejtë të shqyrtojnë kërkesat e tyre për azil në Itali.
Vendimi u bazua në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila arriti në përfundimin se një vend origjine nuk mund të vlerësohet si “i sigurt” nëse edhe pjesë të tij nuk janë të tilla.
Në vendimin e fundit të së hënës, vendimi për miratimin e ndalimeve është pezulluar dhe dërguar për vlerësim në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, e cila do të duhet të trajtojë pyetjet e ngritura nga gjyqtarët italianë.
Gjyqtarët kërkuan një procedurë të përshpejtuar për shkak të urgjencës së rastit. Nëse Gjykata Evropiane e pranon këtë, vendimi do të merret pas disa muajsh. Përndryshe, “mund të duhen deri në tre vjet”, tha për BIRN Anna Brambilla, një avokate dhe anëtare e Shoqatës Italiane për Studime Juridike mbi Emigracionin.
Në mes të dy vendimeve, qeveria e Melonit u përpoq ta detyronte gjyqësorin duke miratuar një dekret që përditëson listën e vendeve që Italia i konsideron “të sigurta”. Qeveria shpresonte të përdorte një mekanizëm ligjor për të anashkaluar rregulloret evropiane për këtë çështje.
Një përpjekje e re është e mundur
Ekspertët i thanë BIRN se qeveria italiane nuk ka gjasa të presë Gjykatën Evropiane të Drejtësisë përpara se të bëjë përpjekje të tjera për të vënë në veprim marrëveshjen e emigrantëve.
“Për mendimin tim, operacionet do të përsëriten së shpejti. Qeveria mund të veprojë sërish duke caktuar një gjyqtar tjetër me juridiksion mbi vlefshmërinë ndalimit”, parashikoi Brambilla.
“Ose ata mund të ndryshojnë edhe bazat për caktimin e ndalimit në kufi, duke futur një kategori të re individësh që mund të ndalohen, të ndryshëm nga ata që vijnë nga një ‘vend i sigurt origjine’”, shtoi ajo.
Çfarëdo që të ndodhë më pas me qendrën shqiptare të përpunimit të emigrantëve, vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë mund të formësojë legjislacionin evropian, besojnë ekspertët.
Dy vitet e ardhshme do të shohin zbatimin e Paktit të ri të BE-së për Azilin dhe Migracionin, dhe përkufizimi i “vendit të tretë të sigurt” është një pjesë qendrore e tij.
Aktualisht, të ashtuquajturat “procedura të përshpejtuara” mund të përdoren vetëm me qytetarët e vendeve “të sigurta” që hyjnë në mënyrë të parregullt në BE. Ata mund të mbahen në objekte kufitare si ato në Shqipëri, derisa të merret një vendim për kërkesën e tyre për azil.
Brambilla tha se një nga pyetjet e ngritura nga gjyqtarët italianë kur ata e referuan çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë ka të bëjë me mundësinë që një gjyqtar “të përdorë burime informacioni” për të vendosur nëse një vend është mjaftueshëm i sigurt për t’i kthyer mbrapsht aty emigrantët, në vend që të mbështetemi në një përkufizim të qeverisë për atë që është e sigurt.
Një vendim në secilin drejtim do të ketë implikime të rëndësishme për të ardhmen e përpjekjeve për të trajtuar migracionin në Evropë, parashikoi ajo.
/BIRN