Disa emigrantë të kthyer në Shqipëri përjetojnë rezultate më të këqija ekonomike sesa popullsia joemigrante.
Sipas INSTAT, emigrantët e kthyer kanë një shkallë papunësie prej rreth 47.2%, që është dukshëm më e lartë se mesatarja kombëtare prej 12% në vitin 2021. Për më tepër, shkalla e pasivitetit në mesin e emigrantëve të rikthyer është 18%.
Në mesin e emigrantëve të rikthyer, ata që vijnë vullnetarisht kanë integrim më të mirë ekonomik, pasi kanë një plan të qartë për të arritur këtë. Ndërsa te të kthyerit me forcë, situata ekonomike është më e rëndë dhe papunësia është më e lartë.
Studimet në lidhje me emigrantët e kthyer tregojnë se 63.2% raportuan se kishin humbur punën në vendin e tyre të banimit, krahasuar me vetëm 13.2% që thanë se kishte mundësi më të mira pune për ata në Shqipëri.
Për këta emigrantë të kthyer, shkalla e papunësisë pas kthimit të tyre ishte edhe më e lartë se sa para migrimit (60.3% pas kthimit krahasuar me 58.8% para migrimit). Gati 40% thanë se gjendja e tyre financiare në Shqipëri ishte më e keqe se ajo jashtë vendit, ndërsa vetëm 20% thanë se ishte përmirësuar.
Edhe imigrantët me kualifikim të lartë dhe me perspektivë të mjaftueshme për punë, u përballën me sfida në njohjen zyrtarisht të aftësive, certifikimeve dhe përvojës së tyre.
Vështirësitë e riintegrimit
Disa emigrantë të kthyer në Shqipëri përjetojnë rezultate më të këqija ekonomike sesa popullsia joemigrante. Sipas INSTAT, emigrantët e kthyer kanë një shkallë papunësie prej rreth 47.2%, që është dukshëm më e lartë se mesatarja kombëtare prej 12% në vitin 2021. Për më tepër, shkalla e pasivitetit në mesin e emigrantëve të rikthyer është 18%.
Riemigrimi
Duke pasur parasysh rezultatet e tyre të dobëta ekonomike, shumë imigrantë të kthyer kanë synimin të migrojnë përsëri. Anketa më e fundit e Migracionit në Familje zbuloi se mbi një e treta, 35% e të kthyerve, synonin të migronin përsëri, krahasuar me 38% që nuk planifikonin ta bënin këtë.
Banka Botërore analizon se azilkërkuesit dhe të gjithë ata që kthehen në mënyrë të pavullnetshme përballen me mundësi edhe më të këqija ekonomike dhe në masë dërrmuese preferojnë ri-emigrimin si një rrugë e përmirësimit të kushteve të tyre. Studimet kanë treguar se azilkërkuesit e kthyer kanë nivele arsimore më të ulëta se mesatarja e popullsisë dhe përfaqësojnë segmentet më të varfra të shoqërisë shqiptare.
Pas kthimit, ata përballen edhe më shumë nga të njëjtët faktorë që ndikuan në vendimin e tyre fillestar për migrimin, si varfëria papunësia, mungesa e mbrojtjes sociale dhe borxhet që morën kur u larguan.
Vetëm rreth 24% e azilkërkuesve të kthyer raportojnë se janë në punësim formal. Azilkërkuesit e rikthyer kanë më pak gjasa të bëhen sipërmarrës në krahasim me ata që planifikonin dhe kursenin për këtë qëllim.
Në vend që të kërkojnë punësim informal me paga të ulëta, shumica dërrmuese e azilkërkuesve të kthyer synojnë të emigrojnë sërish, duke e parë atë si mekanizmin më efektiv të përballimit të situatës së tyre të keqe ekonomike.
Shumë prej tyre aspirojnë ta bëjnë këtë përmes rrugëve jo-azil, dhe disa regjistrohen në arsim ose trajnim gjuhësor për t’u pajisur më mirë me aftësi për punësim jashtë vendit. Për më të pafavorizuarit, emigrimi sërish si azilkërkues mbetet një opsion kryesor. Përveç rezultateve të dobëta ekonomike, imigrantët e kthyer përballen me sfida që lidhen me rregullimin e jetës së tyre në Shqipëri.
Emigrantët që kanë kaluar shumë vite jashtë vendit dhe kanë krijuar familje kanë nevoja shëndetësore dhe arsimore pas kthimit. Familjet e të kthyerve mund të përballen me sfida me gjuhën shqipe dhe me institucionet shqiptare.
Banka Botërore referon se ata mund të izolohen, të ndihen me stigmë dhe të luftojnë për t’u riintegruar në shoqëri. Këto sfida shtesë janë të ndërlidhura dhe mund të ndikojnë në aftësinë e të kthyerve për të siguruar një jetë normale për veten dhe familjen.
Disa grupe përballen me diskriminim shtesë që mund të pengojë riintegrimin. Minoritetet rome dhe egjiptianët ballkanikë, ndonëse përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të imigrantëve të kthyer, përballen me barriera edhe më të mprehta për riintegrim.
Mungesa e dokumentacionit, niveli i ulët arsimor, mungesa e burimeve financiare dhe diskriminimi janë shpesh ndër sfidat shtesë që e bëjnë këtë grup më të cenueshëm dhe kanë nevojë për më shumë mbështetje pas kthimit.
Sfidat
Sfidat me të cilat përballen imigrantët e kthyer janë të komplikuara nga faktorë kontekstualë dhe institucionalë, sipas anketave që kanë zhvilluar ekspertët ilir Gëdeshi dhe Russell King.
Ata theksojnë se këto sfida thellohen nga mungesa e shërbimeve në dispozicion apo faktorë institucionalë që pengojnë efektivitetin e tyre. Disa imigrantë nuk janë identifikuar si të tillë dhe për këtë arsye nuk janë në gjendje të marrin mbështetje.
Rregullat e paqarta ose në ndryshim të përshtatshmërisë do të thotë se shumë të kthyer janë të përjashtuar nga ndihma ekonomike. Gjithashtu, shkalla e lartë e informalitetit në tregun shqiptar mund ta bëjë të vështirë për donatorët përmbushjen e kërkesave të nevojshme për disbursimin e fondeve.
Për shembull, subvencionet e qirasë shpesh nuk janë në gjendje të ofrohen për shkak të mungesës së kontratave formale të strehimit.
Në mënyrë të ngjashme, disa programe të përputhjes së pagave nuk mund të zbatohen në rastin e punëve informale. Të gjithë këta faktorë kombinohen duke krijuar sfida të rëndësishme shumëdimensionale për emigrantët që mund t’i lënë ata të ndihen të pambështetur dhe të anashkaluar.
Anketat e fundit tregojnë se mungesa e punonjësve dhe aftësive në përgjithësi është problemi më i madh që janë duke u përballur sipërmarrjet në Shqipëri.
Mungesat e fuqisë punëtore e ndikojnë negativisht produktivitetin e punës dhe rritjen ekonomike.
Të dhënat paraprake nga rezultatet e cens 2023 tregojnë se popullsia në moshë pune ishte 1,555,080 persona, nga 1,903,987, me rënie 18.3% në krahasim me të dhënat e cens 2011.
Rënien më të madhe të popullsisë në moshë pune e kishin grupmoshat 15 deri në 19 vjeç, të cilat pësuan tkurrje me 46.8% dhe grupmosha 20-24 vjeç që u reduktua me 41%.
Grupmoshat me rënie të fortë të popullsisë në moshë pune ishin 25-29 vjeç, me rreth 25%, 40-44 vjeç, me 25.6% dhe 45-49 vjeç, me 25.4%.
Në të kundërt, popullsia në moshë pune në prag pensioni 60-64 vjeç ka shënuar rritje me 48.8% dhe grupmosha 45-59 vjeç, rritje me 9.6%
Siç shihet, popullsia në moshë punë në vendin tonë jo vetëm që është reduktuar në mënyrë të ndjeshme gjatë një dekade, por është përkeqësuar në strukturë, pasi ka një rritje të personave në prag pensioni dhe ulje të ndjeshme në grupet e reja të moshave.
Ekonomia shqiptare, kurrë më parë, nuk është përballur me këtë fenomen. Kjo është dekada e parë që ekonomia dhe bizneset duhet të operojnë me të panjohurën më të madhe, mungesën e punonjësve.
Projeksionet në nivel ekonomie tregojnë se Shqipëria do të përballet me mungesa të mëtejshme të fuqisë punëtore. Këto mungesa do të jenë veçanërisht të theksuara midis vendeve të punës të nivelit të ulët të arsimit, të cilat parashikohen të bien, por do të vazhdojnë të përbëjnë pjesën më të lartë në punësimin total deri në vitin 2030.
Gjithashtu skenarët për “emigracion neto” zero janë ende të largëta duke e ndërlikuar situatën në vijim.
Nuk ka përpjekje
Për të plotësuar nevojat për punonjës, bizneset po i drejtohen tregut global nga Azia. Albin Gega, drejtori i Përgjithshëm i Punësimit dhe Arsimit Profesional në Ministrinë e Ekonomisë tha më herët ketë vit se qeveria është përfshirë në negociata me një vend për të siguruar 30-40 mijë punonjës që do të punësohen në sektorin e fasonerisë dhe në atë të turizmit.
Por qeveria e Shqipërisë nuk ka asnjë të dhënë apo studim në lidhje me emigrantët që duan të rikthehen dhe që mund të jenë një potencial i madh. IOM, dega e OKB-së për çështjet emigracionit, referon se në Shqipëri nuk janë kryer vlerësime kombëtare për monitorimin e rregullt të kërkesës për imigrantë në tregun e punës.
IOM vë në dukje se Agjencia për Punësim dhe Aftësi nuk ka krijuar një mekanizëm për të vlerësuar nevojat në tregun e punës në baza të rregullta. Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) zhvillon anketën kombëtare tremujore të forcës së punës, por ajo jep një vlerësim kombëtar që monitoron kërkesën e tregut të punës për të imigrantët.
IOM vlerëson se kryerja e vlerësimeve kombëtare për monitorimin e ofertës për punë dhe efektet e emigrantëve në tregun e punës është një fushë me potencial për zhvillim të mëtejshëm.
Ende nuk ka asnjë hulumtim që e analizon ofertën e brendshme të tregut të punës dhe efektet e emigrantëve në tregun e brendshëm të punës.
Shembulli i Irlandës
Ka plot shembuj që tregojnë se si mund të zhvillohen politika për të tërhequr fuqinë punëtore nga jashtë për qëllime zhvillimi. Banka Botërore analizon se ngjashëm me Shqipërinë e sotme, emigracioni ishte një tipar përcaktues i përvojës demografike dhe ekonomike të Irlandës gjatë shekullit të 20-të.
Ndërsa ekonomia u rrit, Irlanda ndërmori hapa për të zhvilluar lidhje me diasporën e saj dhe për të ndërtuar një identitet më të globalizuar. Ata e zhvendosën paradigmën nga trajtimi i emigrantëve si ‘tradhtarë’ në heronj që lidhën vendin me ekonominë globale dhe ‘hapën Irlandën për biznes’.
Irlanda ofroi programe mbështetëse për imigrantët e kthyer dhe diasporën. Shërbimet e tyre variojnë nga ofrimi i ndihmës për zhvendosjen deri te hapja e bizneseve me synimin për të qenë një qendër për emigrantët irlandezë anembanë botës.
Gjithashtu Bosnja dhe Hercegovina, së fundi nisi një projekt me fonde nga USAID që u fokusua në shfrytëzimin e kontributeve të diasporës për zhvillim, duke identifikuar pengesat në mjedisin që mundëson biznesin, duke ofruar grante dhe asistencë teknike për bizneset e vogla dhe duke lehtësuar investimet nga diaspora.
Projekti dha 2 milionë dollarë grante, i cili gjeneroi një investim prej 22 milionë dollarësh nga kapitali i diasporës dhe krijoi 1,571 vende të reja pune.
Projekti pati ndikim të madh veçanërisht në komunat më të vogla nga e kishin origjinën imigrantët. Për Shqipërinë, provat e mëparshme tashmë tregojnë se fuqia punëtore globale mund të jetë një aset, ndërsa tendencat e ardhshme sugjerojnë se ata do të bëhen një burim edhe më i vlefshëm për trajtimin e aftësive./Monitor