Nard Ndoka nga “Kthesa e Kamzës” tha se protesta e sotme, e cila konsistoi në bllokimin e 6 akseve rrugore nga veriu në jug të vendit, është sensibilizuese, “për të treguar se në Shqipëri ka një problem, për faktin se kryeministri ka bllokuar sistemin, ka kapur drejtësinë dhe ka bllokuar rotacionin”.
“Protesta ishte sensibilizimi në tërësi. Ishte një plan i mire koordinuar me të gjithë aktorët politikë, duke vendosur edhe një lloj standardi për ne pasi mosbindja civile ka forma dhe mënyra nga më të ndryshmet, nuk është vetëm përplasje, ballafaqime, dhunë. Nuk është ky qëllimi ynë. Por nëse ne kemi një kryeministër përballë që nuk reagon nga këto protesta.
Nëse ai nuk e kupton me prova dhe fakte që në Durrës ka tre deputetë që kanë dalë me vota të grupeve kriminale. Një kryeministër i kapur në përmasa të tilla kriminale, që është diktuar nga grupet kriminale për të futur një kandidat në listë, ai duhej të largohej menjëherë”, deklaroi Ndoka.
I pyetur nëse me këtë formë proteste do të ndryshojë qasja e kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës, Ndoka tha se shefi i qeverisë është i papërgjegjshëm. Kreu i Demokristjanëve tha se ai nuk hyn në kategorinëq e politikanëve që beson se Rama rrëzohet me 1 apo 2 protesta.
“Ne kemi përballë një kryeministër të papërgjegjshëm. Unë nuk besoj asnjëherë që ia ndjen kryeministrit por kjo është më tepër për sensibilizimin e qytetarëve, të ndërkombëtarëve për t’i treguar se në Shqipëri ka një problem të thellë në jetën politike.
Ka një shqetësim nga opozita por edhe nga qytetarët. Kjo është ajo që pritet nga protesta. Nuk hyj te ata politikanë që mendojnë se me 1, 2, 3 protesta do ta rrëzojmë qeverinë, por pa diskutim që duhet këmbëngulje dhe përballje e vazhdueshme”, u shpreh Ndoka për A2.
Ai më tej shtoi se hapat që do të ndiqen në vijim nga opozita do të shkojnë deri në “ballafaqim në Parlament dhëmbë për dhëmbë e ballazi me Edi Ramën duke ia bërë atij stërr”. Kjo pasi sipas Ndokës, kryeministri nuk e njeh Parlamentin, nuk e njeh drejtësinë, as sistemin gjyqësor.
Ndoka nuk kurseu as batutat duke thënë se ambulanca e tretë, së cilës protestuesit i hapën rrugën te Kthesa e Kamzës ka kryeministrin brenda.
“Kjo është me Edi Ramën, se Edi Rama është me apandesit, e kapi”, tha Ndoka me ironi.