Nga Boldnews.al
Aty ka një incinerator, por vitin e shkuar vetëm 24 ditë punoi, ndërsa këtë vit ka punuar me orë, duke bërë një mal të madh me mbetje. Plehrat e Elbasanit shtohen, e bashkë me ta edhe “mbeturina” politike lokale, që si vlerë njohin propagandën, duke mos dhënë llogari për problemin jetik që ka ky qytet i ndotur përjetësisht që nga Metalurgjiku i dikurshëm e në vazhdim.
Inceneratori u ngrit, me një mal të madh zbuzimesh dhe korrupsioni, duke ngrënë disa koka turku të PS-së, por mbetjet në Elbasan, as nuk incenerohen e as nuk sigurohet energji elektrike, sikurse e përfshin kontrata. Aktualisht inceneratori rrangallë administrohet nga shoqëria “Eco Alb”, e themeluar nga aksionerët e saj në vitin 2021, ku Bashkia Elbasan zotëron 52 % të aksioneve, pra në mazhorancë për të marrë vendimet.
Projekti ishte për incenerim mbetjesh dhe prodhim energjie, por e vetmja “energji” që prodhohet nga inceneratori është propaganda e nisur nga kryeministri Rama dhe e vijuar në Elbasan nga kryebashkiaku Gledian Llatja. Një nga “kuajt e betejës” në fushatën për zgjedhjet lokale të kryebashkiakut Gledian Llatja ishte se Elbasani është i pastër dhe kjo falë Investimit serioz të qeverisë dhe vetë bashkisë që ka nën administrim këtë “vepër të madhe”.
Teksa Rama prezantonte Gledian Llatjen foli edhe për inceneratorin e Elbasanit që sipas tij jo vetëm punonte, por e kishte bërë Elbasanin shumë më të pastër dhe se opozita nuk donte që ta shihte këtë “ndryshim të madh”. Të njëjtën linjë ndoqi edhe kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, i cili akuzoi kundërshtarin e tij politik se po hidhte “vrer e baltë” në lidhje me punën e inceneratorit. Më 7 prill, sipas një kronike të parapërgatitur televizive, Llatja u shfaq në ambientet e incineratorit për ta vënë atë në punë pas një remonti. “Në fakt, ja ku është impianti. Mund ta shikoni në të gjitha proceset e tij. Qytetarët dinë ta dallojnë gënjeshtrën nga realiteti,” deklaroi ai.
Po ku është sot Llatja dhe inceneratori? Ai jo vetëm nuk është funksional, por bashkë me mbetjet mbytëse po përpin edhe taksat e qytetarëve që “paguajnë për incenerim”, ndonëse incenerim nuk kryhet. Nga një anë shpenzohet e në anën tjetër mali me plehra bëhet edhe më i madh. Anëtarë të Këshillit Bashkiak që përfaqësojnë opozitën, kanë kërkuar disa herë informacion dhe shpjegime nga ana e kryetarit Llatja si “kryeaksioner” i inceneratorit se përse nuk punon dhe si do jetë e ardhmja e qytetarëve që do u duhet të mbyten pafundësisht nga mbetjet urbane, por prej tij nuk ka përgjigje.
Behet fjalë për mbi 100 mijë ton mbetje që janë grumbulluara pranë inceneratorit rrangallë që “funksionon virtualisht” vetëm për propgandë, pasi praktikisht është i fikur me kohë. Vetë shoqëria pranon se “Kapaciteti landfillit është tejkaluar pa llogaritur këtu sasinë e mbetjeve ekzistuese në landfill para nënshkrimit të kontratës së qirasë midis shoqërisë sonë AAPSK. Mbi situatën që ndodhet ‘Eco Alb’ sha, ka njoftuar bashkitë e qarkut Elbasan që janë aksionerë të shoqërisë dhe instanca të tjera”-thuhet në reagimin e shoqërisë.
Përtej faktit se Elbasani është mbytur nga mbetjet, Inceneratori jo vetëm vuan nga “defektet” duke mos punuar normalisht, por po u merr dyfish taksat qytetarëve, nën argumentin se “mbetejet inceneraohen”. Këtë shqetësim e ka ngritur pak kohë më parë edhe këshilltarja e Bashkisë Elbasan, përfaqësuesja e PD-së, Bjanka Çopja. “Qytetarët e Elbasanit paguajnë 2,500 lekë/ton iceneratorit për ti shërbyer por që në fakt jo vetëm nuk i shërben po i zhvat dhe i helmon njëkohësisht”-thotë ajo.
Në fakt zgjidhja e shpejtë që bashkia e drejtuar nga Llatja ka gjetur është zjarrvënie e malit me plehra, duke e ndotur shumëfish këtë qytet që prej dekadash është më i ndoturi në Shqipëri, jo vetëm nga mbetjet urbane, por edhe “mbetjet” politike me shkrepse në dorë…!