Opozita ka mbajtur mbrëmjen e kësaj të enjte një protestë kombëtare para godinës së Kryeministrisë, ku mijëra qytetarë mbushëb bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Protesta ka zgjatur për rreth 2 orë, ku ka nisur rreth orës 20:30 dhe është mbyllur rreth orës 22:30.
Kjo protestë e thirrur nga PD ishte e para në këto përmasa që pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila vendosi t’i jepte vulën e partisë Sali Berishës. Veç protestimit kundër skandaleve të qeverisë, fokusi i protestës ishte tek thirrja drejtuar mazhorancës për të pranuar qeveri teknike para zgjedhjeve. Opozita pretendon se me kryeministrin Edi Rama nuk mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Po ashtu, protestuesit kërkuan dhe lirimin e liderit të tyre Sali Berisha, duke e konsideruar si politik vendimin e gjykatave për vendosjen ndaj tij të masës “arrest shtëpie” në lidhje me hetimet për dosjen “Partizani”, pasi pretendojnë se ndaj tij nuk ka prova.
Protestës i ishin bashkuar edhe aleatët e Partisë Demokratikë, teksa nuk munguan edhe disa prej deputetëve që para pak kohësh kanë mbajtur qëndrim ndryshe nga grupimi i Berishës si Jorida Tabaku apo Kreshnik Çollaku.
Fjalimet e mbajtura para Kryeministrisë ishin të pakta, ku ishin vendosur të mos flisnin shumë eksponentë politikë, përveç dy liderëve të partive kryesore opozitare, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Fjalimi i Metës ka qenë me tone të ashpra, si ndaj opozitarëve që nuk dalin në protestë apo i bëjnë “furça” SPAK-ut, sipas tij, po ashtu edhe ndaj prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe kreut të saj Altin Dumani.
Gjithashtu, Meta nuk nguroi dhe të akuzonte kryeministrin Edi Rama se paguhet në Washington dhe Bruksel për t’i ngulur thika Kosovës, teksa sipas tij as Vuçiç nuk i ka bërë atë dëm Kosovës që i ka bërë kreu i qeverisë shqiptare.
Ilir Meta: Turp për ata që përtojnë të vijnë këtu për të përmbysur regjimin më kriminal dhe më antikombëtar që ka njohur kjo tokë. Turp për të gjitha ata këshilltare opozitar që nuk janë me Tedi Blushin, me Klevis Balliun përballë kryehajdutit të Tiranës. Turp për ata që nuk janë përball hajdutëve në bashki. Turp për ata opozitar që kanë hallin e autoritetit të SPAK-ut. Turp për të gjithë ata këshilltarë opozitarë që nuk janë në protestë te bashkia se kanë frikë SPAK-un. Më keni dëgjuar kur them regjimi i Dum Dumanit. Ky (Edi Rama) e ka bazuar pushtetin e tij kriminal te Dum Dumanët, të cilët thonë afërmendsh që gjykatat do të vendosin atë që kërkon prokuroria. Turp për çdo opozitar që i bën furçë SPAK, ose ka ndonjë hall me SPAK, ose ka në hall se nuk i japin vizën për të shkuar gjëkundi.
Duhet të mblidhemi të gjithë, t’i vëmë vizën një herë e përgjithmonë këtij regjimi që po zhbën identitetin tonë kombëtar dhe kulturor. Që kur u çlirua Kosova, armiqtë tanë ndoqën politikë të mençur dhe nuk arritëm dot në kohë të kuptonim një strategji që lexohet qartë nga kushdo, u përpoqën të marrin kalanë nga brenda me Kalin e Trojës. Nuk është zoti i kësaj loje, ai është sllav i tyre, në shërbim të interesave të tyre. Ai është armiku më i madh i Kosovës. Nuk ia ka bërë kurrë Vuçiç atë dëm Kosovës siç ja ka bërë Edi Rama për llogari të Vuçiç. Meqë takova këtu vëllezër nga Gjakova, u bëj thirrje shqiptarëve të Kosovës të bashkohemi të shporrur armikun më të egër të Kosovës, që quhet Edi Rama. Të gjithë duhet të dimë që Rama lobohet në Bruksel e Uashington nga armiqtë e Kosovës, për t’i ngulur thika Kosovës. Mos harroni se çfarë tha Rama në Kuvendin e Kosovës, tha se shikonte Shqipërinë e Kosovën me President të përbashkët. Ai donte të thonte atëherë që mos ta njihnin Kosovën, pasi në fund shtetet tona do të bashkoheshin. Kosova nuk ka asnjë njohje që kur është bërë Rama kryeministër, ka vetëm çnjohje. Është në shërbim të Serbisë.
Po e mbyll me regjimin e DumDumanit. Dëgjoj që thonë: uu e arrestuan Ilir Beqaj, uu edhe Artan Lame, DumDumani është 4 vjet me vonesë që nuk ka arrestuar Ramën, me vetëdije ka firmosur 17 vendime qeverie. E zeza mbi të bardhë. Kanë qenë ministra që i kanë kundërshtuar këto vendime. Inceneratorë nuk ka. Gjithë shteti është 5D. Erion Veliaj është me 4 vjet vonesë që nuk është në burg. Boll. Ka vjedhur publikisht e zeza në të bardhë. Ka futur në borxh gjithë Tiranën dhe gjithë qarkun. DumDumani thotë nuk e bllokoj kam hallin e arbitrazhin. Kur ke hallin e arbitrazhit o DumDuman pse nuk arreston Ramën dhe Veliajn. Pse nuk e ka hallin e arbitrazhit Rama që me aferën e Portit të Durrësit ka çuar në arbitrazh gjithë ato kompani gjermane. Ka ardhur koha ti paguaj të gjitha Rama. Të bashkuar të vendosemi në një rrugë pa kthim. I themi çdo prokurori si ai i Metamorfozës, dhe ata shokët e McGonigal që janë atje në SPAK do ta paguani dhe do jua bëjmë vetingun dhe juve që fshini krimet e Edi Ramës dhe mbani të arrestuar Sali Berishën për llogari të Edi Ramës. Ju horra e vagabonda pa personalitet që ju merret goja.
Ndërkohë, kreu i PD-së Sali Berisha e nisi fjalimin e tij me akuza ndaj Qeverisë dhe shqetësimin e largimit masiv të shqiptarëve. Lideri demokrat tha se spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh falë Edi Ramës, teksa sipas tij, platforma e Çubrilloviçit dhe regjimi i sotëm i Ramës ngjasojnë si dy pika uji.
Ndërkohë, Berisha deklaroi dhe se drejtësia e re është bërë për të zbatuar urdhrat e Edi Ramës, për procese politike dhe për të prodhuar statistika kallp për mashtrimin e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sipas tij, kjo drejtësi amniston Edi Ramën, Ilir Beqajn, Erion Veliaj dhe gjithë të korruptuarit e Qeverisë.
Berisha e krahasoi Shqipërinë me Rusinë e drejtuar nga Putin, ku sipas tij,ndiqen dhe persekutohen nga prokurorët politikë, drejtuesit e forcave kryesore opozitare.
“Drejtësia e re është bërë për të zbatuar urdhrat e Edi Ramës, për procese politike dhe për të prodhuar statistika kallp për mashtrimin e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sepse drejtësia e re është bërë për t’u nxirë jetën shqiptarëve duke pritur për një vendim gjyqësor 15 vite. Se ajo është bërë për t’u mohuar drejtësinë shqiptarëve dhe ky është një krim i shëmtuar. Miqtë e mi, të gjithë këto zhvillime kanë sjellë një realitet të ri alarmant për shqiptarët. Ato kanë sjellë urinë e fëmijëve, vdekjen e shqiptarëve për ilaçe. Ato kanë sjellë instalimin, vendosjen në Shqipëri të diktaturës së bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, vjedhjen dhe drogën. Shndërrimin e votës në krim dhe krimit në votë dhe bllokimin e rotacionit politik. Sot në Shqipëri, si në Rusinë e Putinit, ndiqen dhe persekutohen nga prokurorët politikë, drejtuesit e forcave kryesore opozitare. Kandidatët e opozitës që zgjidhen kryetarë bashkie burgosen vetëm pse nuk plotësojnë interesat mafioze të Edi Ramës. Ndërsa Edi Rama, rilindësit e tij të shpifur kanë siguruar të paktën 15 breza dhe në mos më shumë me pasuri përrallore të vjedhura shqiptarëve.” – tha Berisha.
Gjithashtu, kreu i opozitës tha se nëse çmimi për të mbrojtur shqiptarët, interesat, dinjitetin, sovranitetin e tyre, qenka një “non-grata”, qenka një arrest pa prova, do ta bënte prapë, jo një, por edhe 1000 herë të tjera.
Berisha më tej, i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama për të pranuar qeverinë teknike, teksa iu bëri thirrje demokratëve dhe opozitarëve për t’u bashkuar.
Sali Berisha: Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtim i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Bashkoheni me ne për qeveri teknike, zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë! Kushtrimi im sot, shkon për çdo demokrate dhe demokratë, për socialistët e zhgënjyer dhe qytetarët e paparti, për shqiptarët kudo që janë. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtim i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Bashkohuni me ne për të lidhur besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë! Kushtrimi im sot, është kushtrimi i flamurit kuq e zi. Është kushtrimi i një kombi që po tretet dhe po grabitet në mënyrë të lemeritshme. Të bashkohemi për t’i thënë STOP me votën e lirë zbrazjes së Shqipërisë. Me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Kushtrimi im është thirrja për bashkim! Për çdo shqiptar. Nëse kërkoni shpresë, kujtohuni që shpresa jeni ju. Nëse kërkoni ndryshim, kujtohuni që ndryshimi jeni ju. Nëse doni që Shqipëria të shpëtoj, mos harroni që jeni shqiptarë. Jeni shqiptarët e trashëgimisë epike të Gjergj Kastriotit, të heroizmit të studentëve të ‘90. Prandaj tani, si një front i madh opozitar, le të përballemi ne me pushtuesin më armiqësor të shqiptarëve të shekullit 21. Prandaj shqiptarët do bashkohen në këtë luftë. Jo për Sali Berishën. Jo për Partinë Demokratike. Jo për politikë. Do bashkohemi për çdo prindër që nuk siguron dot vaktet e fëmijëve. Do bashkohemi për çdo fëmijë që nuk merr dot më shumë se një – dy vakte në ditë. Do bashkohemi për çdo të sëmurë, që i dorëzohet sëmundjeve sepse nuk ka ilaçet jetike. Do bashkohemi për çdo të ri, që nuk ka asnjë mundësi për të nisur jetën në këtë vend të grabitur. Do bashkohemi për t’iu rikthyer dinjitetin shqiptarëve. Për t’i rikthyer votën e lirë shqiptarëve. Për t’i kthyer Shqipërisë demokracinë dhe çelur asaj dyert e integrimit në BE. Dhe rrugën e këtij bashkimi kombëtar, Partia Demokratike e ka shtruar. Duke vendosur shembullin e bashkimit tonë në diversitet. Çdo parti e madhe europiane, çdo partie e madhe amerikane, është e tillë sepse njerëz të ndryshëm, madje edhe kundërshtarë të ndryshëm, bashkohen në diversitet, për një të mirë madhore. Sot edhe Shqipëria ka një parti të tillë. Ajo është Partia Demokratike e Shqipërisë. Partia që tani ka mision të vetëm shpëtimin e Shqipërisë. Dhe për këtë mision, bashkimi në diversitet i çdo force opozitare, do na bëj të pandalshëm. Dhe siç na mëson historia, kur shqiptarët bëhen bashkë, mrekullitë ndodhin. Me bashkim, Partia Demokratike e shpëtoi opozitën e vërtetë dhe flamurin e saj. Me bashkim dhe mosbindje civile do arrijmë qeverinë teknike, zgjedhjet e lira dhe rotacionin politik. Me bashkim, shqiptarët do shpëtojnë Shqipërinë dhe flamurin kombëtar. Edi Rama e ka mbyllur ciklin e tij. Vetëm i çmenduri mund ta imagjinoj se Edi Rama do qeverisë 4 vite të tjera. Prandaj, sot në emër të Partisë Demokratike, në emër të frontit të gjerë opozitar, në emër të çdo shqiptari që ka mbi trup edhe shpirt plagët e Rilindjes dhe në emër të flamurit kuq e zi, unë sot i jap këtë paralajmërim Edi Ramës: Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme. Qeveria teknike është zgjidhja më e thjeshtë për ty. Ke bërë genocid ndaj shqiptarëve Edi Rama. Nëse vetë ndërgjegja jote, do zgjohej një çast për të kuptuar çfarë i ke bërë Shqipërisë, ajo do ulërinte.
E përsëris Edi Rama, në emër të shqiptarëve, mos e drejto Shqipërinë drejt abisit, greminës. Prano qeveri teknike. Me urgjencë. Në gjithë Europën, sot po fryn era e ndryshimit. Rotacionet po ndodhin në çdo shtet të Europës. Por nëse në Europë, rotacionet po ndodhin, për zgjidhje të problemeve të botës së pare, Shqipëria sot po vuan problemet e një vendi në pushtim. Prandaj, nuk ka si mos ndodhë rotacioni edhe në Shqipëri. Nuk ka si të mos ndodhi rotacioni në Shqipëri, kur është shteti i vetëm në Europë që ka humbur 40% të popullsisë. Rotacioni është çlirim! Nuk ka si mos ndodhi rotacioni në Shqipëri, kur është shteti i vetëm në Europë me 47% fëmijë të kequshqyer. Rotacioni është mirëqënie! Nuk ka si mos ndodhi rotacioni në Shqipëri, kur është shteti i vetëm në Europë me liderin e opozitës të arrestuar. Rotacioni është rikthim i Demokracisë! Dhe me këtë rotacion, Shqipërinë e presin më në fund kohë të bukura. Forca që shqiptarët kanë fituar nga 10 vjeçari dramatik i Edi Ramës, do t’i sjellin Shqipërisë demokracinë, zhvillimin dhe progresin e merituar.
Gjatë fjalës së mbajtur nga Berisha, disa prej protestuesve hodhin disa molotovë në drejtim të godinë së Kryeministrisë, por pa shkaktuar përplasje me efektivët e Policisë.
Ndërkohë, pas fjalimit të Berishës, protestuesit u zhvendosën para godinës së Bashkisë së Tiranës për të protestuar kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Folësi i protestës e konsideroi institucionin e bashkisë si djepin e korrupsionit, ndërsa Veliajn si hajdut.
Protestuesit hodhën molotovë në drejtim të godinë së Bashkisë së Tiranës, teksa tentuan të çanin edhe koordonin e Policisë. Pas disa minuatsh përplasjesh me uniformat blu, protestuesit u larguan drejt selisë blu ku u mbyll dhe protesta.