Është zbuluar dinamika e plotë e atentatit të dështuar ndaj Durim Bamit, ngjarje kjo e ndodhur në muajin Nëntor 2020 në zonën e fshatit Qerek të Fushë-Krujës.
Mbi 13 plumba janë hedhur në makinën ku udhëtonte Bami dhe Ervin DurimKodra, por autorët nuk kanë mundur të ekzekutojnë asnjërin prej tyre.
Rasti i kësaj ngjarje të rëndë u hetua fillimisht nga prokuroria e Krujës, por nuk dha rezultat. Pas 4 vite, prokuroria e Posaçme SPAK, përmes aplikacionit “SKY” ka arritur të identifikojnë këtë tentativë vrasje kundër Durim Bamit, duke qartësuar emrat e organizatorëve Ervis Martinaj, Arben Ndoka, dhe dy personave të paraburgosur Emiljano Shullazi dhe Astrit Avdyli.
Shullazi dhe Avdyli, nga ambientet e burgut nr.313 drejtonin organizatat e tyre, ndërsa jepnin informacion periodik për lëvizjen e Durim Bamit, në zonën e Fushë-Krujës.
Informacioni mbi lëvizjet, vendin e qëndrimit, makinat që përdorte Durim Bami, i merrte nga burgu ish-deputeti i PS Arben Ndoka, më pas ky i fundit ja përcillte Ervis Martinaj dhe mandej biznesmeni i lojërave të fatit ka aktivizuar tre vrasës me pagesë të cilët ishin veshur si policë.
Tashmë gjuajtësit dhe organizatorët janë identifikuar falë bisedave të zhvilluara përmes aplikacionit “SKY” të zhvilluara për këtë ngjarje.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga Ora News, plot 13 plumba automatiku janë derdhur mbi automjetin “Range-Rover” me targa italiane, që drejtohej nga Durim Bami, por ekzekutimi i këtij personi, sërish nuk është arritur të kryhet nga kundërshtarët.
Bami, fatmirësisht ka mundur të shpëtojë pa pasur asnjë lëndim, megjithëse në makinën që ai drejtonte janë futur 6 predha kallashnikovi, ku njëra prej tyre ka plagosur në krahun e djathtë djalin e hallës së Bamit, Ervin Kodrën.
“Ora News” zbulon të plotë atë që ndodhi lidhur me atentatin e datës 4 nëntor, ku tre persona që besohet se kanë qenë të veshur si policë, kanë tentuar të vrasin me armë zjari, Durim Bamin nga Nikla, njërin nga personat më të njohur të botës së krimit në vend.
Ky i fundit ishte duke drekuar në fshatin Qerek me kushëririn e tij, ku pasi kanë mbaruar drekën në një lokal afër Rinasit, kanë vendosur të kthehen në Fushë-Krujë.
Por në ecje e sipër, makina me targa italiane “Range-Rover”, që drejtohej nga Durim Bami, është qëlluar me breshëri automatiku, plot 13 herë. 6 predha kanë prekur pjesë ballore të automjetit, i cili është qëlluar në lëvizje e sipër. Ndërkohë makina tip “Golf 5” e autorëve ka qenë e parkuar në rrugë.
Goditja ka qenë shumë e mirëorganizuar dhe dyshohet se Durim Bami, është mbajtur në vëzhgim për një periudhë kohe, duke organizuar pritën kundër tij, pikërisht në vendin e quajtur ura e Tapizës.
Në rrëfimin e të plagosurit Ervin Kodra, thuhet se Durim Bami, ka mundur të manovrojë me shpejtësi makinën, duke hyrë në anën tjetër të rrugës dhe më pas të përplaset në murin rrethues të një biznesi që merret me tregtimin e mermerit.
Ervin Kodra, u ka thënë policisë se në 4 nëntor 2020, rreth orës 13:00, është takuar me Durim Bamin, tek shtëpia e tij në Nikël, pasi Bamin e ka djalin e dajës.
Më pas janë larguar së bashku dhe kanë shkuar në fshatin Qerek, në afërsi të Rinasit, ku kanë ngrënë drekë në një lokal 1 katësh. Teksa kanë qëndruar deri në orën 15:00, me makinën e Durimit janë nisur duke udhëtuar drejt fshatit Nikël në Fushë-Krujë.
Drejtimin e makinës e ka patur Durim Bami ndërsa Ervin Kodra ka qëndruar si pasagjer në sediljen e parë të mjetit. Sapo kanë shkuar në hyrje të urës së Tapizës, në drejtim Kamëz-Fushë-Krujë, një automjet Golf 5 me ngjyrë gri ishte i ndaluar në trotuar, me kënd drejtimi nga asfalti i rrugës kryesore.
Dhe në një distancë prej rreth 20 metra, pa u afruar tek kjo makinë e parkuar, nga ky mjet është hapur zjarr në drejtim të makinës së Durim Bamit.
Kodra ka treguar se nga makina tip “Golf”, është hapur zjarr me breshëri armësh automatike, dhe në këtë moment sipas tij, Durimi ka prerë timonin e makinës majtas dhe kanë kaluar në krahun tjetër të rrugës, duke u futur në një rrugicë të vogël dhe duke përfunduar brenda rrethimit të një fabrike mermeri, ku janë përplasur në murin rrethues të saj.
Si Durim Bami dhe Ervin Kodra, kanë dalë nga automjeti duke rënë në tokë dhe pas disa minutash ka shkuar me shpejtësi Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, dhe ka dërguar në spitalin Ushtarak, Ervin Kodrën.
Ndërsa sipas dëshmisë së këtij të fundit për Durimin, ishte mësuar se ishte larguar në shtëpi.
Ervin Kodra, më tej ka treguar se në momentin kur janë qëlluar ka parë dhe ka fiksuar se brenda në automjetin tip “Golf 5”, kishte fiksuar 3 persona, ku njëri ishte shofer, tjetri pasagjer dhe i treti ka qenë në sediljen e pasme.
Sipas tij personi që ka qëlluar me breshëri ka qenë njeriu që ndodhej në sediljen e pasme të makinës dhe ky person në kokë mbante dhe kapele. Ndërsa dy personat e tjerë nuk ka mundur t’i fiksojë dhe nuk ka qenë në gjendje që t’i njihte tre personat që ndodheshin në makinën nga vinin të shtënat.
Lidhur me këtë ngjarje është marrë në pyetje Valter Bami, vëllai i Durimit, i cili ka treguar se si ka shkuar me urgjencë në fabrikën e mermerit, dhe kishte çuar në spital kushëririn e tij të plagosur.
Ndërkohë për tre ditë me radhë Durim Bami nuk është arritur të gjendet nga policia. Ai është vetëdorëzuar në polici tre ditë më pas dhe ka dhënë sqarime se nuk ka mundur të njohur autorët që i kishin ngritur pritën.
Për tre ditë me radhë Durim Bami nuk mundi të gjendej nga policia, vetëm kur u dorëzua vullnetarisht duke dhënë shpjegime mbi atë çfarë ndodhi./Ora News