Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe shqyrtimin përfundimtar të çështjes, pa u rikthyer ajo për rigjykim në gjykatat më të ulëta.
Sot është hedhur shorti për caktimin e gjyqtarit që do të shqyrtojë kërkesën, ndërsa çështja i ka kaluar gjyqtarit Ilir Panda.
Në argumentet e paraqitura, mbrojtja thekson se çështja është kryesisht me natyrë juridike dhe kushtetuese, ndaj Gjykata e Lartë ka të gjitha kompetencat për të marrë një vendim përfundimtar, pa qenë e nevojshme administrimi i provave të reja apo rivlerësimi i fakteve.
Avokatët kërkojnë që gjykata të analizojë nëse masa e arrestit vijon të jetë e nevojshme dhe proporcionale, nëse ekzistojnë realisht rreziqet procedurale të pretenduara nga prokuroria, si dhe nëse janë shqyrtuar seriozisht masa alternative të sigurisë.
Në kërkesë kundërshtohet edhe mbajtja e Veliajt në kafazin prej xhami gjatë seancave gjyqësore. Mbrojtja argumenton se kjo praktikë cenon dinjitetin e tij dhe bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë, duke kërkuar që ai të mos mbahet më në këto kushte gjatë proceseve gjyqësore.
Një tjetër argument lidhet me mandatin e kryebashkiakut. Sipas mbrojtjes, arresti po e pengon Veliajn të ushtrojë funksionin për të cilin është zgjedhur deri në qershor të vitit 2027, duke cenuar jo vetëm të drejtat e tij, por edhe vullnetin e qytetarëve që e kanë votuar.
Avokatët paralajmërojnë se rikthimi i çështjes për rigjykim do të sillte zvarritje të mëtejshme të procesit, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e mandatit të përfundojë përpara se të merret një vendim përfundimtar. Për këtë arsye, ata i kërkojnë Gjykatës së Lartë të ndryshojë masën e sigurisë dhe të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të Erion Veliajt.













