Një 92-vjeçar kërkon që qeset që përdoren pas operacionit nga zorra e trashë të rimbursohen nga shteti.
Arshi Taullaraj kërkoi ndihmën e emisionit “Fiks Fare”, pasi prej shumë kohësh e ka të pamundur që të blejë në farmaci qese të tilla, duke qenë se i gjithë pensioni i tij dhe i bashkëshortes, shkon pikërisht për këtë produkt. I moshuari tha se bashkëshortja e tij është operuar disa muaj më parë nga zorra e tradhë. “1 qese e tillë kushton nga 3-6 mijë lekë të vjetra. Qesja duhet të hiqet brenda ditës, ose për 2 e maksimumi 3 ditë. Unë blej rreth 15 qese. Bashkëshortja merr një pension maksimumi 130 mijë lekë. Pensioni i saj shkon vetëm për këto qese. Po jetesa, ilaçet, drita, uji, shkalla?! Kush duhet t’i paguajë?” thotë i moshuari.
Ai pohon se ka shkuar në dhjetëra farmaci, te Onkologjiku apo edhe te vetë Ministria e Shëndetësisë. “Të gjithë më kanë dhënë të drejtë, por askush nuk vepron. Ka shumë si puna e bashkëshortes time në këtë gjendje. Ku t’i gjejmë lekët në pensionistët që t’i marrim. Tani erdhi edhe vera dhe qelbemi nëse nuk ia ndërrojmë” pohon ai. Sipas tij, mjekja e familjes e mban gjallë dh se ajo “nuk ka se çfarë të bëj. “Duhet që shteti të fusë edhe këtë produkt. Atje më thanë se duhet, por deri tani s’e kanë bërë” pohon 92-vjeçari.
Pas ankesës, grupi i Fiks Fare bashkë me të moshuarin shkojnë në disa farmaci, në zonën e Brrylit në Tiranë. Farmacistet tregojnë se këto qese, që në gjuhë shkencore quhen kolestomi, kanë çmime të ndryshme, edhe nga marka të ndryshme. Disa e kanë 3 mijë lekë, por që duhet ndërruar përditë apo janë 1 përdorimshme, të tjera nga 6 mijë dhe shkojnë në rreth 3 ditë. Të gjithë farmacistët që pyeti Fiksi dhe i moshuari thanë se këto qese nuk janë të lista e barnave të rimbursueshme, madje edhe te paketa higjeno-sanitare.
“Ne e kemi 350 lekë. Çmimet ndryshojnë sepse 1 ditë mund t’ma sjellë mua depoja më lirë, 1 ditë mund t’ma sjellë mua depoja më shtrenjtë. Marzhi gjithmonë është me 1 me 3, gjithmonë! Dmth, ma jep mua 3 mijë lekë ajo, unë e shumëzoj me 1.3 dhe nxjerr shitjen. Ma jep 3500 e shumëzoj me 1.3 dhe e nxjerr me shtrenjtë. Kështu që varet si e marr unë” thotë një farmaciste. I moshuari e pyeti se ai gjithmonë e blen me 4 mijë lekë. “Sepse ky është produkt me TVSH. Nuk është pa TVSH. Varet edhe ça modeli mund të jetë, varet dhe ça çmimi e marrim. Unë te kjo depo mund ta marr kaq, te një depo tjetër mund ta marr më shtrenjtë. Dhe rrjedhimisht e nxjerr më shtrenjtë” thotë farmacistja.
“Kështu i marr edhe unë me radhë kur më mbarojmë. Blej ku të jenë më lirë. Janë edhe të markave të ndryshme. Unë s’po kërkoj lëmoshë, por vetëm që këto qese të jenë të rimbursueshme” përfundon i moshuari.
***
Farmacia 1
Gazetari – Si jeni?
I moshuari – Unë doja një qeskë për jashtëqitjen!
Farmacistja – Kolestoma?
I moshuari – Konfort janë?
Farmacistja – Po, po të asaj linje janë!
I moshuari – Nejse, sa kushtojnë këto?
Gazetari – Sa kushtojnë?
Farmacistja – Ja, kjo është 3 mijë lekë të vjetra.
I moshuari – Epo s’është nga ato të fortat kjo!
Gazetari – Lloj tjetër ka?
Farmacistja – Vetëm nga këto ka.
Gazetari – Janë të rimbursueshme këto?
I moshuari – Janë të buta.
Farmacistja – Me sa di unë jo në fakt!
I moshuari – Nuk janë, jo e di unë.
Farmacistja – Duhet të flas me mjekun, po unë e di që jo.
Farmacia 2
I moshuari – Përshëndetje motra!
Farmacistja – Përshëndetje!
I moshuari – Qeska desha, konfort. Për ato më …
Gazetari – Pas operacionit të zorrës së trashë.
Farmacistja – Jo, s’kam nga ato.
Gazetari – Po në dijeninë tënde, ato janë të rimbursueshme? Ti ke kontratë me Fondin?
Farmacistja – Po.
Gazetari – janë të rimbursueshme?
Farmacistja – Jo.
Gazetari – Qeset?!
Farmacistja – Jo.
Farmacia 3
Farmacistja – Qese kolestemie?
Gazetari – Po.
Farmacistja – Ë shiko se ç’kanë ca përmasa, ca gjëra duhet t’na i tregoni si i doni që të dimë si t’ua gjejmë!
Gazetari – Se ju ishit me kontratë te Fondi, këto janë të rimbursueshme?
Farmacistja – Jo, jo. S’kam asnjë çfarë të bëj.
Gazetari – S’ke momentalisht nga këto?
Farmacistja – Marr vetëm kur kam pacientë.
Gazetari – Ne na duhet çmimi dhe nëse janë apo jo në listën e barnave të rimbursueshme?
Farmacistja – Ta them unë që nuk janë!
Farmacia 4
Gazetari – Janë këto qeset pas operacionit të zorrës së trashë
Farmacistja – Kolestemie?
Gazetari – Po, kolestemia.
Farmacistja – E di po ato zakonisht janë afër farmacive afër spitalit.
Gazetari – Janë te lista e rimbursueshme?
Farmacistja – S’e besoj!
I moshuari – Ë paska zonja
Farmacistja – Jo nuk janë te rimbursimi.
I moshuari – I paska të mira!
Gazetari – Nuk janë?
Farmacistja – Ncnc. Vetëm nëse pyet të di kush mund të …, se mund të jetë ndonjë lloj tjetër, por që prapë se kjo që e tregton është depo private.
Gazetari – Këto sa janë, çfarë çmimi kanë?
I moshuari – Disa 3 mijë e 500, disa …
Gazetari – Do më japësh 3 copë?
Farmacistja – 2 janë! Ja ta shikoj edhe njëherë te (Lista e Barnave të Rimbursueshme). Jo!
Gazetari – Nuk janë të rimbursueshme?
Farmacistja – Jo, nuk janë të rimbursueshme! Në Shqipëri, thotë, qeset e kolestemisë nuk bëjnë pjesë në paketën higjieno-sanitare, e cila rimbursohet nga shteti. Dhe për këtë rrjedhojë pacientët e blejnë çdo ditë.
Gazetari – Do na japësh edhe 1 faturë!
Farmacistja – Faturën ta bëj me çmim shitje?
Gazetari – Me çmim shitje.
I moshuari – Pse mua ma japin 4 mijë moj motra.
Farmacistja – Kush ta ka dhënë 4 mijë?
I moshuari – Të gjitha farmacitë edhe këtu e kam marrë. Sa shitet?
Farmacistja – 3500 e kemi. Çmimet ndryshojnë sepse 1 ditë mund t’ma sjellë mua depoja më lirë, 1 ditë mund t’ma sjellë mua depoja më shtrenjtë. Marzhi gjithmonë është me 1 me 3, gjithmonë! Dmth, ma jep mua 3 mijë lekë ajo, unë e shumëzoj me 1.3 dhe nxjerr shitjen. Ma jep 3500 e shumëzoj me 1.3 dhe e nxjerr me shtrenjtë. Kështu që varet si e marr unë.
I moshuari – Unë e blej gjithmonë me 4. Disa …
Farmacistja – Sepse ky është produkt me TVSH. Nuk është pa TVSH.
Gazetari – Ky është me TVSH?
Farmacistja – Produkt me TVSH.
I moshuari – Disa më kërkojnë 6 nuk ua marr. Gjej me 4 e kam marrë.
Farmacistja – Varet si e marrin prandaj po të them. Varet edhe ça modeli mund të jetë, varet dhe ça çmimi e marrim. Unë te kjo depo mund ta marr kaq, te një depo tjetër mund ta marr më shtrenjtë. Dhe rrjedhimisht e nxjerr më shtrenjtë./ TCH