Bashkimi Evropian i është afruar heqjes së masave kufizuese ndaj Kosovës, të vendosura para një viti nga ana e Komisionit Evropian, si pasojë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.
Masat përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale. Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).
Radio Evropa e Lirë nga disa burime diplomatike në BE mëson se shumica e madhe e vendeve anëtare janë në favor të heqjes së të gjitha masave, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.
Kundër heqjes së masave, sipas këtyre burimeve, nuk është shprehur asnjë vend anëtarë i BE-së. Kjo përshtypje është vërejtur në diskutimin e fundit që është zhvilluar në BE të martën mbrëma për situatën aktuale në Kosovë. Diskutimi është bërë në Komitetin për politikë edhe siguri të BE-së (PSC) ku janë ambasadorët e 27 vendeve anëtare.
“Shumica e vendeve anëtare duan që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës, por janë disa vende, në mesin e tyre edhe tri vendet e QUINT-it (Gjermania, Franca dhe Italia) që duan heqjen graduale të masave ndaj Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një burim diplomatikë i BE-së.
Të njëjtat burime kanë thënë se edhe Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) është në favor të heqjes së masave ndaj Kosovës, por hezitim deri tash ka pasur më shumë nga Komisioni Evropian, ku ndikim të madh ka komisionari për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi.
Gjatë diskutimeve të fundit është folur për hapat që ka ndërmarrë Kosova për të përmbushur kushtet për heqjen e masave, por edhe për hapat që, sipas raportuesve që kanë folur, akoma nuk janë përmbushur në tërësi. Për situatën aktuale në Kosovë para përfaqësuesve të vendeve anëtare kanë folur dy të dërguar të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, si i dërguar i posaçëm për dialog dhe Tomas Sonyong, i cili është i dërguar i posaçëm për Kosovë dhe shef i zyrës së BE-së në Kosovë.
Ata kanë thënë se situata ende është e tensionuar dhe problemet e shkaktuara në veri nuk janë tejkaluar as pas mundësisë ofruar serbëve në katër komuna në veri për të votuar për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.
Që të dy, sipas burimeve diplomatike, u janë shmangur pyetjeve direkte se a po e shkel Serbia Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Vetëm kanë konstatuar se Serbia është angazhuar në përpjekje për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Gjatë diskutimit, sipas burimeve diplomatike, ka pasur thirrje që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës sa më shpejt, sepse ato kanë krijuar përshtypjen se BE nuk ka qasje të balancuar ndaj Serbisë dhe ndaj Kosovës.
Më të zëshmet në kërkesat për heqjen e masave ndaj Kosovës kanë qenë Finlanda, vendet Baltike, Kroacia, Polonia, Sllovenia dhe disa vende të tjera. Ndërsa Franca, Italia dhe Gjermania kanë dashur të lënë përshtypjen se vendet e QUINT-it kanë qëndrim të përbashkët dhe kanë preferuar heqjen graduale të masave.
Hungaria, e cila deri vonë ka qenë kundër, tash nuk është shprehur kundër.
Vendet anëtare kanë bërë thirrje që përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, sa më parë që të jetë e mundur të raportoj para Këshillit të BE-së për përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës për heqjen e masave. Ky raport është i nevojshëm në mënyrë që masat të hiqen, në tërësi apo pjesërisht.
Burimet e BE-së kanë thënë se edhe konkluzionet nga takimi i ministrave të BE-së nga 12 dhjetori i vitit 2023 përmendin “heqjen e masave” e jo heqjen graduale siç kërkojnë disa vende.
“Këshilli rikujton se BE-ja është e gatshme për heqjen e masave në rast se arrihet progres i mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave. Këshilli do të përcjellë çështjen dhe do t’i kthehet në bazë të raportit të përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e këtyre kërkesave”, shkruan në konkluzionet e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së nga dhjetori i vitit të kaluar.
Ka një paqartësi brenda BE-së edhe rreth nevojës që vendet anëtare të pajtohen për heqjen e masave. Kjo, sepse kur ishin vendosur masat, ishte thënë se “kjo është kompetencë e Komisionit Evropian“. Tash kërkohet që për heqjen e tyre të ketë pajtim nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Burimet e BE-së pas debatit të fundit ku u pa gatishmëria e vendeve anëtare thonë se “BE-ja po afrohet drejt heqjes së masave ndaj Kosovës, porse ende nuk është punë e kryer“.
Që pothuajse një vit, Kosova ka qenë nën disa masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. Këto masa ishin vënë pasi BE-ja thoshte se Kosova nuk kishte bërë mjaftueshëm për ta shtensionuar situatën në veriun e banuar me shumicë serbe.
Në maj të vitit 2023, tensionet në atë pjesë të Kosovës kulmuan pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale. Ata dolën nga zgjedhjet që popullsia shumicë serbe në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok i bojkotoi.
Përfaqësues të shteteve perëndimore kanë kërkuar nga Kosova që, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të mundësonte largimin e atyre kryetarëve, për të cilët thoshte se nuk përfaqësonjnë vullnetin e banorëve.
Të dielën, Kosova mbajti procesin e votimit që mund të çonte në shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave, por sërish pati bojkot, pas thirrjes që bëri partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe.
Pasi që nuk u siguruan votat e mjaftueshme, procesi dështoi. Por, pas mbajtjes së procesit, Qeveria e Kosovës dhe liderë si kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani kërkuan që masat ndëshkuese të BE-së të hiqen.
Radio Evropa e Lirë e pyeti edhe Qeverinë e Kosovës lidhur me efektet që kanë pasur masat ndëshkuese, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli. As BE-ja s’deshi t’i komentojë efektet specifike të këtyre masave./REL