Dy vëllezërit indianë, që kërkohen në të gjithë botën për pastrim parash, kanë sjellë në Shqipëri, veç familjarëve e bashkëpunëtorëve të tyre, edhe skemën e biznesit që kanë përdorur në Indi dhe në Nigeri. Në pesë vitet e fundit ata kanë themeluar një numër kompanish, nëpërmjet të cilave dyshohet se vazhdojnë aktivitetin e pastrimit të parave.
Të mërkurën e 23 gushtit 2023, në zyrën e noterit J. Zh., tek ish-Blloku në Tiranë, kanë hyrë njëri pas tjetrit fillimisht Devak Patel dhe më pas Chetankumar Sandesara. Dy bujtësit kanë kërkuar hartimin e një kontrate borxhi, sipas së cilës Devak-u i ka dhënë borxh Chetankumar-it plot 300 mijë euro. Noteri mbase nuk e ka ditur, meqenëse njëri prej tyre ka pasur pasaportë shqiptare, se personat që kishte përballë ishin as më shumë e as më pak anëtarë të një familjeje të madhe indiane. Devak-u është nip në familjen e Chetankumar-it, që së bashku me vëllain e tij Nitin, akuzohen në vendin e tyre të origjinës, Indi, për vjedhjen dhe pastrimin e 725 milionë dollarëve.
Përmbajtja e kontratës përmbush rrethanat, që e detyrojnë noterin të aplikojë vigjilencën e zgjeruar sipas nenit 6 të udhëzimit për mënyrat e raportimit të transaksioneve të dyshimta. Vigjilenca e zgjeruar do të thotë që noteri, jo vetëm duhet të hetonte klientët, që po nënshkruanin një kontratë me një shumë kaq të madhe, për burimin e kësaj shume dhe motivin përse do të përdorej, por edhe duhet të lajmëronte menjëherë Agjencinë e Inteligjencës Financiare. Sipas burimeve shumë konfidenciale, kjo e fundit e ka evidentuar këtë informacion, por nuk ka kryer asnjë veprim për të verifikuar, për të gjurmuar apo për të informuar strukturat e tjera të hetimit në Shqipëri. E pyetur, nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim konkret ndaj noterit apo nëse ka lajmëruar autoritetet, që hetojnë pastrimin e parave, kjo strukturë ka refuzuar të japë informacion.
Ky transaksion duhej të ndiqej me “flamur të kuq”, sepse njëri nga personazhet, që ka qenë para noterit, është objekt i mediave, jo vetëm shqiptare, por edhe atyre globale. Chetankumar Sandesara bashkë me vëllain e tij, Nitin Sandesara, shtetas indianë, të kërkuar për pastrim parash anë e kënd botës, u pajisën nga Presidenti Republikës me pasaportë shqiptare, sipas një procedure të posaçme. Ky element është i mjaftueshëm, që autoritetet e zbatimit të ligjit në Shqipëri të kenë në vëmendje aktivitetin e dy vëllezërve.
Faktet e grumbulluara nga Investigative Network Albania tregojnë se vëllezërit Sandesara kanë ngritur një piramidë fiskale në Shqipëri.
Materialet e analizuara nga INA Media dëshmojnë se institucionet e hetimit dhe të gjurmimit kanë lënë jashtë vëmendjes një kontingjent të dyshimtë personash, që kanë ardhur në Shqipëri bashkë me akuzën për veprimtari kriminale. Vëllezërit Sandesara përfituan shtetësinë shqiptare afro pesë vjet më parë me një procedurë shumë të dyshimtë, me propozim të ministrit të Turizmit të asaj kohe, Blendi Klosi.
Burime nga Presidenca konfirmojnë se dosja e pajisjes me pasaportë e dy vëllezërve indianë ka pasur vetëm kërkesën e nënshkruar nga ish-ministri Klosi dhe asnjë dokument tjetër shtesë. Vetëm 20 ditë nga mbërritja e shkresës së ministrit (16.01.2018) vëllezërit marrin shtetësinë shqiptare.
Qarkullojnë miliona, por dalin me humbje çdo vit
Chetankumar Sandesara bashkë me gruan e tij, Dipti, dhe vëllain e tij më të madh, Nitin Sandesara, erdhën në Shqipëri gjysmën e dytë të vitit 2017, për t`i shpëtuar arrestimit dhe hetimit nga drejtësia në Indi.
Zgjedhja e Shqipërisë nuk ka qenë, as e rastësishme, as e përkohshme. Ata nisin menjëherë kërkesën për azil, si dhe procedurën për marrjen e shtetësisë shqiptare.
Paralelisht me kërkesën për shtetësinë, vëllezërit Sandesara nisin biznesin. Më 12 dhjetor të vitit 2017, Chetankumar Sandesara regjistron në Qendrën Kombëtare të Biznesit kompaninë Laxmi Reale Estate & Investment me bashkë-aksionar vëllain, me objekt: Ndërtim, Real Estate dhe Investime.
Tre muaj më pas Chetankumar Sandesara themelon një tjetër kompani. Kësaj here bashkë-ortake zgjedh të ketë bashkëshorten. Tulja Reale Estate & Investment, me objekt në fushën e ndërtimit, në real estate, në fushën e investimit dhe në dhënien me qira të automjeteve. Të dyja kompanitë janë aktive.
Kompania me ortakë dy vëllezërit, Laxmi Reale Estate & Investment, është themeluar me një kapital fillestar prej 100 lekësh (1 euro). Bilanci, që kompania vetë ka dorëzuar, ka shumë njolla të errëta, që ngrenë dyshime për aktivitetin, që zhvillojnë në vendin tonë. Për më tepër, bie ndesh me legjislacionin fiskal në Republikën e Shqipërisë.
Përgjatë 5 viteve të funksionimit, kompania deklaron se ka vetëm një të punësuar. Edhe për këtë person rroga nuk ka kaluar nëpërmjet bankës. Mangësi paraqet edhe pagesa e siguracionit.
Kompania deklaron se nuk ka aktivitet ekonomik, madje nga pesë vitet e funksionimit të saj në një vit ka dalë me zero fitim, vitin e dytë të funksionimit ka dalë me fitim dhe tre vitet e fundit ka dalë me humbje.
Një audit i licencuar shpjegoi bilancet e kompanisë, duke i paraqitur dokumentet, që ka dorëzuar vetë kompania në QKR, pa i treguar pronësinë e saj.
“Nga pikëpamja fiskale (ligjore) firma lejohet me humbje deri në 3 vite ushtrimore (fiskale). Më pas Tatimet duhet të nisin investigimin. Nga pikëpamja ekonomike nuk ka kuptim, sepse në 3 vite nuk ka krijuar asnjë të ardhur nga shitja”, – iu përgjigj auditi pyetjes, nëse është logjike, që kompania të qëndrojë me humbje.
Por, ndërsa regjistron bilance negative, kompania Laxmi Reale Estate & Investment deklaron se përgjatë katër viteve të para ka qarkulluar miliona euro nëpërmjet huadhënies dhe huamarrjes. Kjo veprimtari shton pikëpyetjet mbi objektin e aktivitetit të deklaruar të kompanisë.
“Në pasqyrën e bilancit në aktiv dhe në pasiv pasqyrohen llogari, që kanë të bëjnë me të drejta për t’u arkëtuar dhe huadhënie dhënë palëve të treta, të cilave nuk iu kuptohet burimi. Edhe në pasiv janë pasqyruar detyrime ndaj palëve të treta, shuma, të cilave nuk iu është sqaruar, as burimi, as analiza analitike e këtyre zërave në bilanc”, – sqaroi auditi i kontaktuar.
Në objektin e kompanisë të deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk figuron që kompania të ketë licencë për veprimtari financiare (jo-bankë). Siç duket, këtë argument ka përdorur edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Pyetjes, nëse kanë informacion për aktivitetin e huadhënies së kompanisë ose ortakëve të saj, AMF i është përgjigjur: “Ju bëjmë me dije se Autoriteti nuk ka informacion mbi këto subjekte, pasi veprimtaria e tyre nuk përfshihet në fushën e veprimtarisë së Autoritetit”.
Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë, konsideron se këto të dhëna duhet t`i kishin vënë në alarm institucionet ligjzbatuese në vend.
“Çdo aktivitet financiar, huadhënie apo huamarrje, duhet të jetë një aktivitet i licencuar. Nëse nuk kanë leje, atëherë është një aktivitet i jashtëligjshëm dhe autoritetet duhet t`i vënë përpara përgjegjësisë këta persona”, – thotë Xhepa.
Një tjetër moment i dyshimtë në veprimtarinë e kompanisë lidhet me faktin se, ndonëse deklaron se del me humbje, kompania kërkon rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
“Teprica kreditore e TVSH-së është e drejta për t’u arkëtuar, që shteti i detyrohet kompanisë, e cila rrjedh pikërisht nga mos-deklarimi dhe kryerja e aktivitetit të shitjes sipas objektit të veprimtarisë së kompanisë”, – sqaron auditi për bilancin e kompanisë.
“Nëse nuk kanë aktivitet, nuk mund të marrin rimbursim TVSH-je, vetëm nëse lëshojnë fatura false”, – sqaron Selami Xhepa.
Manovrat e përdorura nga indianët Sandesara në Shqipëri, që për më tepër në vendin e tyre të origjinës janë nën hetim pikërisht për një skemë mashtrimi prej 725 milionë dollarësh, për ekspertin Xhepa tregojnë se institucionet kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre.
“Në këtë rast organet tatimore nuk bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, nuk shpërndajnë informacion. Gjithë këto institucione, që merren me parandalimin e pastrimit të parave, nuk funksionojnë fare, aq më keq që kërkojnë edhe rimbursim TVSH-je”, – përfundon Xhepa.
Kompania tjetër, Tulja Reale Estate & Investment, të cilën Chetankumar Sandesara e ka themeluar bashkë me gruan, ka thuajse të njëjtën fushë veprimtarie me kompaninë e parë, Laxmi Reale Estate & Investment, me vetëm një shtesë: Dhënie me qira e automjeteve.
Edhe kapitali fillestar është i ndryshëm. Këtë herë ortakët kanë ngurtësuar plot 100.000 lekë, pra rreth 1 mijë euro. Kompania në asnjë prej viteve të funksionimit të saj nuk ka dorëzuar asnjë dokument, që vërteton aktivitetin e saj, financiar. Edhe pse është gjobitur nga Drejtoria e Tatimeve për këtë motiv, ka paguar gjobën, por nuk ka reflektuar. Nëpërmjet kësaj kompanie vëllezërit kanë hyrë në marrëdhënie biznesi me biznesmenin shqiptar, Julian Morina.
Kunati i vëllezërve themelon të tjera kompani
Me pasaportë shqiptare dhe pronarë të një perandorie ndërkombëtare (pavarësisht se ishin të kërkuar në të gjithë botën), vëllezërit, në mars të vitit 2019, i kërkojnë Aeroportit të Rinasit leje për të ulur avionin e tyre, privat. Brenda avionit charter, që ishte nisur nga Dubai, veç vëllezërve, Chetankumar dhe Nitin, ka qenë edhe kunati i tyre, Hiteshkumar Patel. Ndërsa të dy vëllezërit e kanë kaluar pikën e kontrollit, Hiteshkumar-i është arrestuar. Policia e Indisë e kishte shpallur në kërkim. Interpoli krahas emrit të tij kishte vendosur flamurin e kuq – Kontingjent i rrezikshëm. Në procesverbalin e arrestimit ka një korrigjim, që lidhet me datën dhe me orën e arrestimit. Fillimisht është shkruar data 20 mars, pastaj është korrigjuar dhe është shënuar 21 mars 2019. Një oficer policie në Aeroportin e Rinasit këmbëngul se korrigjimi i datës është i qëllimshëm, pa identifikuar qëllimin e saktë të këtij veprimi. Por, kjo “parregullsi” është shënuar edhe në vendimin gjyqësor të Gjykatës së Tiranës, që rrëzoi ekstradimin e Hiteshkumar Patel-it.
Dy ditë pas arrestimit, më datë 23.03.2019, Gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Hiteshkumar Patel-it dhe caktoi si masë sigurimi atë të arrestit më burg, me afat 40 ditor. Përgjatë kësaj kohe prokuroria shqiptare duhet të komunikonte me autoritetet indiane për të përgatitur dosjen e ekstradimit.
Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila i referohet kërkesës për ekstradim të autoriteteve të Indisë, Hiteshkumar Patel-i është konsideruar si “truri” i skemës së mashtrimit të ngritur nga vëllezërit Sandesara.
Pavarësisht këtyre pretendimeve të drejtësisë indiane, pas 40 ditësh qëndrimi në qeli Gjykata e Tiranës e nxori nga burgu dhe urdhëroi që 59-vjeçari i atëhershëm të qëndrojë në arrest shtëpie me vëzhgim 24 orësh nga policia.
Pak më shumë se tre muaj pas arrestimit, më 3 korrik 2019, Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë ka vendosur të mos e ekstradojë drejt Indisë shtetasin indian, Hiteshkumar Patel. Pas këtij vendimi rrethi familjar i familjes Sandesara zgjerohet. Në Tiranë vjen edhe djali i Hiteshkumar Patel-it, Devak-u.
Sapo mbërrin, Devak-u themelon dy kompani biznesi. E para, me emrin Aries Investments, me një kapital themelor prej 100 mijë lekësh (një mijë euro) dhe me objekt aktiviteti si investitor në të gjitha fushat, ka qenë aktive për rreth 3 vite (2020-2023). Në portalin e Qendrës Kombëtare të Biznesit nuk ka asnjë dokument, që të vërtetojë, nëse kompania ka zhvilluar aktivitet. Përveç statutit të themelimit është edhe vendimi për ta mbyllur kompaninë, duke caktuar një likuidator.
Ndërsa kompania e dytë me emrin Dimensional Global Trading and Services Limited-Albania, sipas aktit të regjistrimit në institucionet e shtetit shqiptar, është degë e një kompanie nigeriane. Administrator është sërish Devak Hitek Patel dhe është paraqitur në Qendrën e Regjistrimit të Biznesit më 1 tetor 2020. Objekti i kësaj kompanie është kryesisht në fushën e inspektimit të të gjitha tubacioneve.
Edhe kjo kompani nuk ka dorëzuar në zyrat e tatimeve në Shqipëri asnjë dokument, që vërteton aktivitetin e saj. Madje, kompania është gjobitur në dy raste, për shkak se nuk ka dorëzuar bilancet. Gjobën e ka paguar, por nuk ka reaguar për ta përmbushur këtë detyrim ligjor.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk iu përgjigj kërkesës për informacion në lidhje me masat që ka marrë për këtë shmangie të përsëritur të detyrimit ligjor nga kompanitë e evidentuara në këtë investigim. Sipas ligjit, në rastet kur një kompani nuk dorëzon bilancet në mënyrë të përsëritur, administrata tatimore duhet të nisë hetimin e kompanisë.
Interesant është fakti se edhe kompania e administruar nga Devak Patel, Dimensional Global Trading And Services Limited-Albania, e zhvillon aktivitetin e saj në të njëjtën zyrë me kompaninë Tulja Reale Estate & Investment, që ka si aksionarë Chetankumar Sandesara dhe Dipti Sandesara. Zyra është në një nga komplekset me luksoze të njërës prej zonave më të shtrenjta të Tiranës.
Patel-i i tretë, që ka ardhur në Tiranë, quhet Nareshkumar. Ka lindur në Gujarat të Indisë, në të njëjtin fshat si edhe Patel-ët e tjerë, që janë në Shqipëri. Nareshkumar Ganpatlal Patel në maj të vitit 2022 ka themeluar kompaninë Nitya Corporation, që ka si objekt import-eksportin dhe shitjen me shumicë të erëzave, të produkteve të ndryshme, ushqimore, si dhe skrapin e aluminit dhe atë të hekurit. Ndryshe nga kushërinjtë e tij, ai ka vendosur një kapital prej 10 mijë eurosh për të themeluar kompaninë. Kompania është aktive, por edhe ky Patel ka ecur në gjurmët e kushërinjve të tij, duke mos e dorëzuar bilancin. Madje, nuk ka paguar as gjobën.
Policia e Shtetit nuk iu përgjigj kërkesës për informacion mbi statusin juridik të shtetasve indianë, Devak Patel dhe Nareshkumar Patel.
Secilës prej kompanive i është kërkuar koment për llogari të këtij shkrimi nëpërmjet postës elektronike, që ato vetë kanë deklaruar në Qendrën e Regjistrimit të Biznesit. Adresa e kompanisë, Nitya Corporation, nuk ekzistonte, ndërsa tri kompanitë e tjera nuk reaguan deri në momentin e botimit të këtij shkrimi.
As Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk iu përgjigj kërkesës për informacion, nëse i kishte pikasur transaksionet e kësaj familjeje.
Ortaku shqiptar i biznesmenëve nga India
Në Shqipëri vëllezërit Sandesara kanë bashkëpunuar me biznesmenin e njohur, Julian (Lul) Morina. Dy vëllezërit nga India, aksionarë të kompanisë Laxmi Reale Estate & Investment, më 28 dhjetor 2018 kanë blerë 50% të Drymades Dream Sh.p.k., që zotërohej nga Morina, në vlerën 12.387.000 lekë. Por, pa kaluar as tre muaj, më 15 mars 2019, dy vëllezërit indianë, tashmë me pasaportë shqiptare, shkëmbejnë 50% të aksioneve të Drymades Dream me një hyrje në një apartament në Vlorë me një sipërfaqe 109 m2 dhe një verandë 80 m2. Këtë herë shkëmbimi është bërë, jo me kompaninë, së cilës i morën aksionet, por me kompaninë Dinia 04 Sh.p.k. Por, nëse hyn në Regjistrin e Bizneseve, mëson se aksionari i vetëm i kësaj firme është Julian Morina.
Por, ky nuk është fakti i vetëm i lidhjes midis dy vëllezërve nga India dhe biznesmenit Julian Morina dëshmon OCCRP në investigimin e publikuar në vitin 2021 për aktivitetin e familjes nga India dhe lidhjet me biznesmenin Morina.
Lidhjet mes kësaj familjeje dhe biznesmenit Julian Morina janë të shumta; tri nga kompanitë e themeluara prej familjes Sandesara kanë të njëjtën adresë me njërën prej kompanive të Julian Morinës, që gjendet afër hotelit të tij.
Tulja Reale Estate & Investment dhe Rinia 04, kompania e Morinës, për një periudhë kohe kanë patur të njëjtën adresë email-i. Janë të njëjtët noterët, që bëjnë veprime mes familjes dhe Morinës dhe që kryejnë veprime të tjera për interes të familjes indiane. Avokatët, po ashtu.
Bloomberg në portalin e saj, bloomberg.com, më 5 qershor 2023 publikoi një artikull me titull Vëllezërit, që luftojnë akuzat për mashtrim nga India, po lulëzojnë në Nigeri. Artikulli tregon se si kompania e vëllezërve Sandesara, që kanë edhe pasaportë shqiptare, ka arritur shifrën rekord të nxjerrjes së 1 miliardë fuçi nafte në Nigeri.
“Vëllezërit dhe motrat kanë ndërtuar kompaninë më të madhe, të pavarur të naftës në kombin më të madh të prodhimit të naftës së papërpunuar, në Afrikë, edhe pse India i ndjek ata si kriminelë – duke i akuzuar për kryerjen e “njërit prej mashtrimeve më të mëdha ekonomike në vend”, – shkruan Bloomberg.
Harta e aktivitetit të kësaj familjeje dhe skema komplekse e funksionimit të tyre e bën të domosdoshme vigjilencën e zgjeruar të autoriteteve shqiptare, që deri tani ka munguar.
/INA MEDIA