Nga Boldnews.al
Në fillim të muajit Prill 2024, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) shpalli të paktën 13 procedura për ndërtim, zgjerim ose rehabilitim aksesh rrugore, për një vlerë totale prej afërsisht 200 milionë euro.
Dokumentat e këtyre tenderave, të cilët janë thuajse të gjithë njëlloj, përveç aksit rrugor dhe fondit limit, janë hartuar në gjuhën shqipe dhe anglisht.
Madje, siç thuhet në dokumentat e tenderit, procedurat janë publikuar edhe në media ndërkombëtare, ku natyrisht, qëllimi i shprehur është për të marrë oferta edhe nga kompani ndërkombëtare.
Por, e gjithë kjo duket, më së paku, një hipokrizi. Në të gjithë dokumentat standarde të tenderave ka një detaj, fare të vogël, gati të padukshëm, por që është i mjaftueshëm për të shmangur kompanitë e huaja nga procedurat qindra milionë euro të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Përfundimi, siç ndodh rëndom, është “dorëzimi” i tenderave në pak duar vendase, të cilat shpallen shpesh fitues.
Afatet e tenderave
Në tenderat e shpallur së fundmi, Autoriteti Rrugor Shqiptar u ka caktuar kompanive që synojnë ntë marrin pjesë në procedurë një afat për të dorëzuar ofertat që varion nga 30 deri në 36 ditë.
Ky afat është pak a shumë standard në tenderat me vlera shumë më të ulta dhe që zhvillohen gjerësisht nga institucionet publike.
Por, për procedurat dhjetra milionë euro të Autoritetit Rrugor Shqiptar, në të cilat kërkohet një ekspertizë më e thelluar dhe me nevojë të lartë për kompani që operojnë në Perëndim, ky afat është tejet diskriminues.
Arsyeja është shumë e thjeshtë.
Në dokumentat standarte të tenderave është një paragraf për kriteret kualifikuese të kompanive të huaja.
“Shoqëritë e huaja duhet të bëjnë ekuivalentimin e licencave profesionale që disponojnë të lëshuara nga vendi i origjinës, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Republika e Shqipërisë. (Rregullorja për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike që ushtrojnë veprimtari ndërtimi, e miratuar me VKM-në nr.42, datë 16.01.2008). Mosparaqitja në këtë formë është kusht skualifikues”.
Pra, në rast se kompanitë e huaja nuk dorëzojnë dokumentin e ekuivalentimit të licensave profesionale bashkë me dokumentat e tjera të tenderit, atëherë ato skualifikohen menjëherë.
Ekuivalentimi i licensave për kompanitë e huaja kryhet nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania.
“Boldnews.al” verifikoi mënyrën e ekuivalentimit të licensave profesionale për kompanitë e huaja.
Në portalin qeveritar jepen hapat sqarues se si mund të kryhet regjistrimi dhe të dorëzohet elektronikisht kërkesa për ekuivalentimin e licensave.
Shpjegimet mbyllen me një shprehje: “Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit, 38 ditë”.
Pra, ndërkohë që ARRSH, për 13 tenderat me vlerë 200 milionë euro ka caktuar afat nga 30 deri në 35 ditë për dorëzimin e ofertave, kompanive të huaja u duhen 38 ditë për ekuivalentimin e licensave.
Edhe në rast se kompanitë e huaja të interesuara për tenderat shqiptarë do të aplikonin që ditët e parë të shpalljes së tenderit dhe botimit të tyre në median e huaj, ato sërish nuk do të arrinin të realizonin ekuivalentimin e licensave profesionale brenda 30-35 ditëve. Pasi, Ministria e Infrastrukturës dhe strukturat përgjegjëse do t’u kthenin përgjigje 38 ditë, më konkretisht 3 deri në 5 ditë pas mbylljes së afatit të ofertave.
Dhe, siç përcaktohet në dokumentat standarde të këtyre tenderave, Mosparaqitja në këtë formë (pra licensa të ekulivalentuara për shoqëritë e huaja) është kusht skualifikues”.
Lista e tenderave dhe afatet
Për të qenë më konkret me “detajin” që skualifikon kompanitë e huaja, më poshtë është lista e tenderave të shpallur nga ARRSH në fillim të muajit Prill 2024 dhe afatet për dorëzimin e ofertave.
1. Tenderi: Qendra e monitorimit të trafikut (Faza II).
– Fondi limit 1,257,327,869 lekë.
– Data e shpalljes: 11.04.2024
– Data e mbylljes: 15.05.2024
Afati për dorëzimin e ofertave 34 ditë
2. Tenderi: Plotësimi i punimeve në rrugët dytësore By Pass Plepa – Kavajë – Rrogozhinë në krahun e majtë.
– Fondi limit 57,953,533 lekë.
– Data e shpalljes: 08.04.2024
– Data e mbylljes: 25.04.2024
Afati për dorëzimin e ofertave 13 ditë
3. Tenderi: Rehabilitimi i shesheve dhe zonave kryesore në afërsi të pikave doganore shqiptare.
– Fondi limit 249,417,164 lekë.
– Data e shpalljes: 05.04.2024
– Data e mbylljes: 24.04.2024
Afati për dorëzimin e ofertave 19 ditë
4. Tenderi: Ndërtim rruga Berat – Ballaban, Loti 1.
– Fondi limit 1,906,685,712 lekë.
– Data e shpalljes: 03.04.2024
– Data e mbylljes: 08.05.2024
Afati për dorëzimin e ofertave 35 ditë
5. Tenderi: Zgjerimi i rrugës së Ksamilit.
– Fondi limit 1,666,361,655 lekë.
– Data e shpalljes: 03.04.2024
– Data e mbylljes: 08.05.2024
Afati për dorëzimin e ofertave 35 ditë
6. Tenderi: Ndërtim rruga Berat – Ballaban, Loti 2.
– Fondi limit 12,257,611,208 lekë.
– Data e shpalljes: 03.04.2024
– Data e mbylljes: 08.05.2024
Afati për dorëzimin e ofertave 35 ditë
7. Tenderi: Zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës (Faza II).
– Fondi limit 1,666,528,125 lekë.
– Data e shpalljes: 03.04.2024
– Data e mbylljes: 08.05.2024
Afati për dorëzimin e ofertave 35 ditë
8. Tenderi: Zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë (Faza V).
– Fondi limit 2,493,781,944 lekë.
– Data e shpalljes: 02.04.2024
– Data e mbylljes: 08.05.2024
Afati për dorëzimin e ofertave 36 ditë
9. Tenderi: Zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës (Faza I).
– Fondi limit 1,666,081,794 lekë.
– Data e shpalljes: 02.04.2024
– Data e mbylljes: 08.05.2024
Afati për dorëzimin e ofertave 36 ditë
10. Tenderi: Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë- Thanë (Faza VIII).
– Fondi limit 2,499,999,994 lekë.
– Data e shpalljes: 02.04.2024
– Data e mbylljes: 08.05.2024
Afati për dorëzimin e ofertave 36 ditë
11. Tenderi: Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë- Thanë (Faza VI).
– Fondi limit 2,488,938,322 lekë.
– Data e shpalljes: 02.04.2024
– Data e mbylljes: 08.05.2024
Afati për dorëzimin e ofertave 36 ditë
12. Tenderi: Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë- Thanë (Faza VII).
– Fondi limit 2,472,508,964 lekë.
– Data e shpalljes: 02.04.2024
– Data e mbylljes: 08.05.2024
Afati për dorëzimin e ofertave 36 ditë
12. Tenderi: ikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, Loti 1.
– Fondi limit 2754,965,352 lekë.
– Data e shpalljes: 02.04.2024
– Data e mbylljes: 08.05.2024
Afati për dorëzimin e ofertave 36 ditë
Referuar afateve të këtyre procedurave, dallohet qartësisht që kompanitë e huaja nuk mund të marrin pjesë në 13 tenderat e Autoritetit Rrugor Shqiptar, me vlerë totale 200 milionë euro, pasi ato nuk do të arrijnë të ekuivalentojnë licensat profesionale brenda afatit.