Nga Armand Shkullaku
Prokuria Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, ka ngritur dyshime të forta mbi pavarësinë e saj, me mënyrën që ka zgjedhur për të vënë nën akuzë ish kryeministrin, Sali Berisha. Të paktën nga çka është bërë publike deri tani, Sali Berisha akuzohet se përpara 15 vitesh, në funksionin e kreut të qeverisë, ka kryer korrupsion pasiv duke favorizuar 5 familje ish pronarësh, mes tyre edhe dhëndrri i tij, për të privatizuar terrenet e klubit Partizani, ku më pas janë dhënë leje ndërtimi nga bashkia për 17 godina banimi.
Ky veprim i SPAK, prek thelbin e dyshimit bazë mbi këtë institucion, se deri më sot ai nuk ka shkuar kurrë te procedurat që kanë prodhuar skandale të rënda në këto 10 vite, më eklatanti ai i inceneratorëve, por është kufizuar vetëm në hetimin e pasurisë së personave të dyshuar si të përfshirë në afera korruptive.
Mosbesimi kryesor ndaj SPAK, lidhur me hetimin e dosjeve të ndjeshme të korrupsionit qeveritar, ka patur të bëjë pikërisht me kontrollin politik ndaj tij ose pamundësinë për të shkuar tek kokat që kanë projektuar dhe zbatuar skemat zhvatëse të PPP dhe konçensioneve, të cilat rezultojnë totalisht korruptive. Në asnjë hetim deri më tani, organi special i akuzës, nuk ka depërtuar tek procedurat e vendimmarrjes, por është mjaftuar me gjurmimin e pasurisë së disa zyrtarëve të lartë.
Akuza e ngritur mbi Sali Berishën, rrëzon paaftësinë apo pamundësinë e prokurorëve për të shkuar deri tek vendimmarrja politike, duke përforcuar tezën se organi i ri i akuzës lëviz sipas konjukturave të përcaktuara nga pushteti. Nëse për ish kryeministrin dhe kreun e opozitës, hetimi ka shqyrtuar aktet, emërimet, vendimet e qeverisë së atëhershme, çfarë e pengon SPAK të ndjekë të njëjtin parim edhe për skandalet e qeverisë së sotme, që kanë kërrusur ekonominë e vendit me pasojat e tyre katastrofike.
Çfarë parimi apo standarti e ndalon SPAK të shqyrtojë fjala vjen si u dha dhe kujt iu dha koncensioni i check-up qysh në fillim të qeverisë së parë Rama. Si u përzgjodh pa garë një kompani pa përvojë për të ngritur inceneratorin e Elbasanit dhe si u gënjye publikisht mbi pronësinë e së njëjtës kompani në të tre impiantet e djegësave. Pse kryeministri Rama dhe kabineti i tij miratuan në kohë rekord aktet dhe kontratën për koncensionin e Elbasanit dhe pse e mbrojtën hapur këtë projekt, që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe se fundmi të vetë SPAK, ishte fund e krye korruptiv. Për këtë e shumë skandale të tjera, organi i ri i akuzës, nuk guxoi të rrëmonte më shumë se shtëpitë e grave të Arben Ahmetajt, rrogës së babait të Alqi Bllakos apo faturimeve për punë të pakryera të djalit të Lefter Kokës.
Garancia se SPAK nuk kishte këllqe për të shkelur kufirin që kishte caktuar pushteti, shpjegon edhe sigurinë e Edi Ramës kur përsërit me zë të lartë se edhe 100 herë po t’i jepej rasti do t’i ribënte PPP dhe koncesionet që sot rezultojnë në afera të pastra korruptive. Sepse kryeministri e ka përcaktuar vetë se deri ku duhet të shkojë hetimi i drejtësisë së re. Sipas tij, ky hetim nuk duhen të merret me procedurat, sepse ato janë të pafajshme dhe qënkëshin nxitur nga vullneti i mirë, por me ata që hanë dardha dhe mollë pas shpinës së tij. Dhe deri më sot SPAK e ka “respektuar” direktivën, duke luajtur vetëm në terrenin që i ka caktuar shefi i qeverisë dhe duke “ngrënë” ata që lëshon ai.
Në rastin e Sali Berishës, prokurorët dëshmuan se dinë të luajnë edhe në një terren tjetër, por vetëm kur kanë leje për ta bërë këtë. SPAK, që ende nuk ka një akuzë përfundimtare për tjetërsimin e pronave të ushtrisë në vitet e fundit, me një vullnet të admirueshëm ka shqyrtuar çdo shkresë të 15 viteve më parë, për një terren sportiv që vetëm në letra figuronte si aset i ministrisë së Mbrojtjes. Të njëjtët prokurorë që nuk e kanë parë të udhës të hetojnë mbledhjet e qeverisë që i hapën rrugë ngritjes së inceneratorëve, që edhe sot janë kosto për qytetarët, ishin marrë me procesverbalet e një dekade e ca më parë të kabinetit Berisha dhe plot detaje të tjera. Për të kulmuar me kontrastin ulëritës, që për çështjet e nxehta të korrupsionit të hetuara apo në hetim, Edi Rama nuk u mor asnjëherë në pyetje, ndërsa ndaj ish kryeministrit u vendos masë detyruese dhe dhëndrri i tij u arrestua me pompë në aeroport a thua se bëhej fjalë për bosin e ndonjë narkotrafiku.
Ja pra, që vullnet paska, por mungon liria për të vepruar. Për njërën palë aplikohet standarti i procedurave të pafajshme dhe i qafirëve që përfitojnë prej tyre, ndërsa për palën tjetër zhbirohet çdo procedurë si e fajshme që në zanafillë. SPAK është në të drejtën e tij të hetojë Sali Berishën në çdo aspekt të veprimtarisë së tij, për të cilën dyshon se mund t’i ketë hapur rrugë një afere korruptive, por është i detyruar që të njëjtin standart ta zbatojë dhe për ata që korrupsionin e kanë bërë autostradë në këto 10 vite. Nuk mundet që dikush t’i hedhi firmat fap- fap dhe të prezumohet i kulluar në qëllimet e tij vetëm se është në pushtet dhe dikush tjetër t’i ketë hedhur si mëkatar vetëm se është në opozitë.
Pas vënies nën akuzë të Sali Berishës, SPAK më së pakti do duhet të ndjekë të njëjtin parim edhe për dosjet e nxehta të qeveritarëve të sotëm. Të shkojë tek procedura. Përndryshe nga një instrument i ri i drejtësisë, do të shndërrohet në vegël të vjetër të qeverisë.
/Lapsi