Kryeprokurorja Arta Marku ka zhvilluar një takim me kreun e SHISH-it, Helindon Bendo, në Prokurorinë e Përgjithshme. Takimi mësohet se ka zgjatur rreth 1 orë, ndërsa zyrtarisht nuk ka pasur asnjë informacion.
Por burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se gjatë takimit është diskutuar mbi bashkëpunimin mes dy institucioneve, veçanërisht përsa i takon luftës kundër krimit të organizuar, drogës dhe korrupsionit.
Takimi zhvillohet në një kohë kur në duart e prokurorëve tashmë ndodhet një dosje e plotë e Shërbimit Informativ të Shtetit me emrat e zyrtarëve të policisë që dyshohet se janë të përfshirë ose kanë favorizuar grupet kriminale në trafikun e drogës.
Burimet bëjnë të ditur se është diskutuar për një koordinim sa më të mirë të punës dhe shkëmbimit të informacioneve mes dy institucioneve.
Më herët, Arta Marku priti në një takim edhe ambasadoren e Gjermanisë, Susane Schutz.