Nga Boldnews.al
Edi Rama dhe enturazhi i tij politiko-mediatik bëjnë be se do të qëndrojnë gjatë në pushtet, përsa kohë përballë tyre do të jetë “një ‘non grata’ si Sali Berisha”.
Këtë po tentojnë të tregojnë edhe pas zgjedhjeve lokale të 14 Majit 2023, ku Partia në Socialiste përdori të gjithë arsenalin e rëndë të pushtetit për të mbushur hartën e Shqipërisë me ngjyrën e saj.
Por kryeministri nuk është aspak në pozitat për të shitur moral politik dhe për të përdorur për luftë politike një vendimmarrje të Departamentit të Shtetit, për të cilin Berisha është i bindur dhe ka shumë arsye të besojë se është pasojë e një lobimi të pistë ndërkombëtar.
Rama vetë, një kandidat potencial për non-grata pas aferës skandaloze “McGonigal”, po qëndron në pushtet me votat e siguruara nga tre “non-grata” të tij, Vangjush Dako, Tom Doshi dhe Aqif Rakipi.
Qeveria shqiptare po qëndron në pozita drejtuese falë 77 votave në Parlament, nga të cilat 74 të Partisë Socialiste dhe 3 të aleatit, Partia Social-Demokrate (PSD).
Të paktën 9 poste deputeti i janë siguruar Ramës nga treshja Dako-Doshi-Rakipi, të tre të dizenjuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Votat e Tomës
Zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023 treguan një fuqizim absurd të Partisë Social-Demokrate, të drejtuar nga Tom Doshi.
Askush nuk ka dëgjuar për një platformë elektorale të Partisë së Doshit, pasuesit e tij kanë shumë pak lidhje me politikën aktive dhe deputetët e kësaj force politike janë totalisht të heshtur në jetën parlamentare.
Por, në zgjedhjet lokale të javës së kaluar, partia e Doshit mori një numër shumë të lartë, për forcën e saj, në këshillat bashkiakë të Shkodrës, Pukës, Malësisë së Madhe, Vaut të Dejës e Lezhës.
Me këtë ritëm, jo normal për historinë politike shqiptare, partia e Tom Doshit mund të marrë rolin e “king-maker-it” edhe të qeverisë së ardhshme, që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Dhe, pikërisht, ky personazh “fitues”, Tom Doshi, është një prej personazheve të shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në 16 Prill 2018, Departamenti i Shtetit shpalli “non grata” kryetarin e Partisë Social-Demokrate (PSD), Tom Doshi, për “përfshirje në korrupsion domethënës”.
Doshi në atë kohë ishte deputet shumë i afërt me Edi Ramën. Më tej, kryeministri e largoi me stil dhe ai zuri vend pranë Partisë Social-Demokrate
PSD nuk ka qenë asnjëherë parti reale në jetën politike shqiptare. Për shumë vite ajo kishte vetëm kryetar pa elektorat, e drejtuar nga Skënder Gjinushi, i cili ka qendruar gjithnjë ngjitur me Partinë Socialiste si këpuca pas deputetit.
Pak para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021, Gjinushi ia dorëzon drejtimin e partisë Tom Doshit.
Prej asaj kohe, Partia Social-Demokrate njihet më lehtësisht si “Partia e Tomës”.
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, “Partia e Tomës” bëri një surprizë, duke fituar tre mandate deputetësh, dy prej të cilëve në bastionin e Doshit, në Shkodër dhe një në Tiranë.
Pesha parlamentare e social-demokratëve u rrit në mënyrë të rrufeshme, pasi në drejtimin e saj u vendos Tom Doshi, gjë e cila nxiti akuzat e opozitarëve të djathtë për blerje masive votash në favor të një partie që prej shumë vitesh nuk kishte pasur më shumë se një deputet në sallën e Parlamentit.
Tre deputetët e “Partisë së Tomës” janë të palëkundur në favor të maxhorancës socialiste të Edi Ramës.
Gjushi, truri i patronazhistëve
Vangjush Dako vijoi të ishte sërish truri fushatës së Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale të 14 majit, megjithëse në hije. Emirjana Sako, një personazh i lidhur shumë me Dakon, arriti të sigurojë mandatin e plotë në krye të Bashkisë së Durrësit.
Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u detyrua, jo pa dhimbje, që të largonte nga jeta politike e dukshme kryebashkiakun jetëgjatë të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, pasi Departamenti i Shtetit e shpalli “non grata”, në qershor të vitit 2019, për “përfshirje në korrupsion madhor”.
Dako kishte tre mandate në krye të Bashkisë së Durrësit dhe konsiderohet si ideatori i sistemit të Patronazhistëve.
Ai ishte i pari që organizoi “spiunë lagjesh” për të identifikuar prirjet e votuesve në çdo pallat e grup rezidencash banimi. Ky sistem tërësisht i dyshimtë u përthith nga Rama, i cili e ngriti ‘Patronazhimin” në sistem kapilar në të gjithë Shqipërinë.
Shpallja “non grata” nuk e pengoi aspak Vangjush Dakon që të luajë të gjithë fijet politike të socialistëve në Durrës.
Të paktën 4 nga 8 deputetë të majtë që fituan mandatin në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 janë pjesë e “listës së Gjushit”, personazhe që janë ngritur, mbajtur dhe promovuar në funksione publike nga Vangjush Dako.
Familjarët-deputet të Aqif Rakipit
Në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023, Partia Socialiste theu “tabutë” politike, duke u shpallur fituese me shumicë të madhe votash në Kamëz dhe Vorë. Një fitore me shumicë votash, socialistët morën edhe në Peqin dhe Elbasan.
Në të gjitha këto zona ndihet prania “në heshtje” e Aqif Rakipit.
Rakipi u zgjodh për herë të parë deputetet në vitin 2013 nga radhët e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), e cila ka në programin e saj mbrojtjen e interesave të komunitetit çam.
Aktiviteti i tij politik u shoqërua me ulje-ngritje, derisa në Prill të vitit 2022, emri i tij u shënua në regjistrin e “non grata-ve” të Departamentit Amerikan të Thesarit, për “përfshirje në krim të organizuar, që ka ndikuar në korrupsion dhe influencë politike”.
Ky vendim i autoriteteve amerikane ishte paralajmëruar më herët dhe, për këtë arsye, Aqif Rakipi nuk u përfshi personalisht në garën parlamentare të verës së vitit 2021.
Por, ai nuk mund të qëndronte larg politikës dhe, nëpërmjet ndikimit të tij, arriti të zgjedhë në Parlament dy deputetë “çam”, njëri djali i tij dhe tjetri, një familjar i afërt, të përfshirë në listat e Partisë Socialiste.
Madje, djali i Rakipit, pa asnjë lloj eksperience politike, arriti një rezultat spektakolar në Tiranë. Ai ishte renditur i 30-ti në një listë me 32 kandidatë të socialistëve për kryeqytetin.
Por, djali i Aqif Rakipit arriti të thyejë herësin, duke siguruar votat e mjaftueshme, të cilat e katapultuan në mesin e listës fituese të deputetëve socialistë në Tiranë.
Me një llogari të thjeshë; katër deputetët e “listës Gjushi”, tre deputetët e “Partisë së Tomës” dhe dy deputetët e “Aqif Rakipit”, bëjnë një total prej 9 deputetësh, një numër i mjaftueshëm që socialistët e Edi Ramës të kalojnë pragun prej 70 mandatesh parlamentare, të cilat i sigurojnë pushtetin politik.
Dhe nga ana tjetër, këta personazhe i shërbyer Ramës për të thyer mitet politike, duke fituar për herë të parë bashkinë e Shkodrës e duke rezultuar fitimtar në Vorë, Kamëz, Peqin e Elbasan, krahas zonave të tjera, ku makineria elektorale e pushtetit u kujdes që të zhdukte sa të mundte opozitën.