Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me qytetarët, në mbështetje të kandidatëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Sarandën, Himarën e Delvinën.
Gjatë fjalës së tij para mbështetësve, Berisha ka hedhur akuza të forta për kandidatin e PS-së për Bashkinë e Delvinës, për të cilin tha se është si të jetë rritur në ishullin e drogës.
Akuza të forta Berisha hodhi edhe ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliut, për të cilin tha se është krimineli më i madh në historinë e Policisë.
Berisha tha se Ardi Veliu ka dalë në fushatë për të marrë ndonjë mandat deputeti, por e paralajmëroi atë për një fund të hidhur.
Ndërkohë për të disatën herë, Berisha ka ftuar në ballafaqim kryeministrin Rama, teksa ka shtuar se ky i fundit ka frikë të përballet.
“Po ku mund të dalë kandidati i Delvinës, që është sikur është i rritur në ishullin e drogës. Ardi Veliu një nga kriminelët më të mëdhenj në historinë e policisë shqiptare, që vjen e bën fushatë se mos merr ndodnjë mandate deputeti. Ardi edhe ti do të pësosh fatin e tyre. E ftoj Edi Raman të dalë në debat, unë kam qenë kryeministër dhe ti kryeministër. Hajde ballafaqohemi. Ti ke frikë se ti ke vjedhur. U the shqiptarëve që unë kam firmosur, por ke firmosur për xhepin tënd, ke firmosur për të vjedhur. Ke firmosur në mënyrën më anti-ligjore, më kriminale, për të shpërbërë Parkun e Butrintit.
Miqtë e mi, ju jeni këtu, por Parku i Butrintit nuk ka një të dytë në Europë, por edhe në kontinente të tjera. Ai park është edhe për gjeneratat që vijnë. Korrupsioni e ndau qytezën arkeologjike nga zona A, nga kepi i Stillos. Fondi mori Kepin e Stillos dhe ja dha qeverisë. Unë ju garantoj se PD nuk do të pranojë kurrë të tjetërsojë këtë pasuri mahnitëse. Cila është sot fushata, ju e shihni. Kandidatët tanë dalin para jush me një platformë, ku zotohen me vendime dhe projekte konkrete për të ndryshuar jetën tuajë. Rama kalon nga sheshi në shesh me 4 fjali. Zorra qorre, nuk kam motër për të martuar, kështu më ka thënë gjyshja, nuk ju ndihmoj po votuat PD-në… Çfarë tregon ai me këtë fushatë?
Tregon se nuk ka pikën e respektit për qytetarin. Rama është përgjegjës, shumë përgjegjës, sepse ai është sot kryeministër i një vendi që banorët e tij kanë braktisur vendin shumë më tepër nga ukrainasit dhe sirianët nga lufta. E kanë braktisur se ai u vuri darën e varfërisë. Ai hapi kufijtë për t’i dhënë përparësi produkteve serbe. Rrogat i ngriu. Para kishte. 5 miliardë të ardhura ka qenë buxheti pasi rriti taksat. Me 5 miliardë ai mund të kishte rritur rrogat 3 herë nëse donte. Jo ai zgjodhi t’i vjedhë ato para, duke ndërtuar rrugë me 24 milionë euro/km. Zgjodhi të udhëtojë me avion me dhomë luksi me 22 milionë euro dhe 4 milionë euro vazon në Kryeministri.
Çfarë tregoi Banka Botërore, vetëm 20 % e shqiptarëve që kanë nevojë për ndihmë ekonomike, e marrin atë. Ai ka dalë me teorinë që nuk vdes njeri për bukë. Po nuk është punë të vdesësh për bukë, por të jetosh si njeri. Po rris rrogat tha. Do e bëj 900 euro rrogën mesatare. Mbylli në mënyrë cinike Parlamentin. Sot i kërkova, hajde i votojmë të enjten, rrogat 900 euro. Ti votojmë edhe ne. Pyesni ushtarakët, policët dhe mjekët sa ua ka rritur rrogat. Ushtarët shumica duan të largohen se me rrogën që marrin as familjen e as veten nuk e mbajnë dot”, u shpreh Berisha.