Kanë kaluar tre vjet nga vdekja e 16-vjeçares shqiptare Konstandina Anagnosti, e cila humbi jetën në një taksi, teksa po udhëtonte nga Saranda drejt Janinës.
Taksisti grek që transportoi adoleshenten, i cili është edhe bashkëjetuesi i mamasë së saj të divorcuar, ka folur për televizionin grek “Star”.
Ajo dëgjonte muzikë në celularin e saj dhe këndonte. Në një moment, telefoni i ra dhe dëgjova që kërciste dhëmbët aq fortë dhe humbi ndjenjat. Menjëherë e dërgova në spital.
Mjekët thanë se i dëgjuan vetëm dy rrahjet e fundit te zemrës dhe më pas njoftuan policinë dhe nënën e saj”, tregon taksisti grek.
Ai mohoi edhe akuzat që kishte kryer marrëdhënie seksuale me vajzën, duke thënë se autopsia tregoi që 16-vjeçarja nuk kishte pasur raporte seksuale. Taksisti i konsideroi qesharake pretendimet publike të bëra në media, se vajza kishte abortuar tek gjinekologu.
Sipas tij, 16-vjeçarja ishte çdo 5 minuta me të ëmën në telefon kur ishte në Sarandë.
“Është për të ardhur keq që thuhen të tilla gjëra për Konstandinën. Ajo ishte një vajzë e shkëlqyer”, thotë ai. Ngjarja tragjike ka ndodhur më 15 Nëntor 2014.
Në vitin 2016, Prokuroria e Janinës urdhëroi ndjekje penale ndaj taksistit që ishte në makinë me Konstandinën. Babai i vajzës ka pretenduar vazhdimisht se bija e tij nuk ka vdekur nga shkaqe natyrale.
Ky pretendim i tij është bazuar nga rezultati i autopsisë në Janinë, që zbuloi se në trupin e adoleshentes kishte narkozë. Ndërkohë, ekspertiza mjeko-ligjore që ju bë në Sarandë doli në përfundimin vdekja e vajzës ka qenë natyrale. Babai i vajzës ka bërë kallëzim edhe në Janinë për të zbardhur vdekjen e vajzës së tij. /Klan/