Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ka blerë për muajin dhjetor 35,4 milionë euro energji nga importi, për të garantuar furnizimin pa ndërprerje për qytetarët.
Për shkak të thatësirës, e cila ka ulur prodhimin vendas, OSHEE do të përdorë 70 për qind të energjisë nga importi për furnizim, ndërsa pjesa tjetër do të plotësohet nga prodhimi vendas. Drejtori i Divizionit Tregtar në OSHEE, Elton Sevrani, i kontaktuar nga gazeta informoi se me tenderin e muajit nëntor u ble 315 mijë MWh energji, kurse pjesa tjetër u tenderua në muajin shtator.
“Tenderi ka filluar më datë 22 nëntor dhe u mbyll më datë 23 nëntor. Tenderi është zhvilluar me procedurën e blerjes online, pra me sistemin e ri të IT që ka OSHEE. Në tender morën pjesë 8 subjekte dhe u tenderua një sasi energjie prej 445,904 MWh për muajin dhjetor.
Një pjesë e sasisë së energjisë është blerë në muajin shtator me një kontratë paraprake 130,000 MWh, kurse pjesën tjetër prej 315,000 MWh u ble më datë 23. Në total energjia e blerë për muajin dhjetor ka kushtuar 35,4 milionë euro. Importi zë 70 për qind të ngarkesës së vendit, 20 për qind e zë prodhimi i KESHit dhe diferenca tjetër plotë- sohet nga prodhimet e hidrocentraleve dhe Ashtës”, tha Sevrani. Kostoja totale e energjisë së blerë në vitin 2017, sipas drejtorit të Divizionit Tregtar, është 172 milionë euro, ndërsa çmimet e energjisë në tregun e huaj u rritën 17 euro më shumë se 2016.
“Për vitin 2017 është blerë rreth 2,600,000 MWh energji nga importi dhe i ka kushtuar OSHEE 172 milionë euro lekë pa TVSH, kjo për faktin se çmimet ndërkombëtare të blerjes së energjisë kanë pësuar rritje me 17 euro për MWh në krahasim me vitin e kaluar. Po ashtu si rrjedhim i rritjes së kërkesës dhe uljes së ofertës në treg për energji, edhe çmimet e kapaciteteve të interkonjeksionit janë rritur me 2 deri në 6 euro për MWh, duke arritur çmime rekord 10 euro për MWh në muajin dhjetor”, u shpreh kreu i Divizionit Tregtar në OSHEE.
Sevrani shprehet se në këtë periudhë OSHEE ka prioritet garantimin me energji të popullatës, ndërsa nisja e investimeve të reja do të spostohet në muajt në vijim. “Për investimet jemi duke mbyllur kontratat e nënshkruara dhe OSHEE po i ndjek këto punime, por në planet e saj investimet për muajt e ardhshëm kanë stopuar për shkak të fokusimit të likuiditeteve në sigurimin e energjisë që është detyra primare e OSHEE”, shpjegoi kreu i Divizionit Tregtar.