Afera e kryeministrit Edi Rama dhe ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal për Partinë Demokratike është më e thellë sesa mendohet dhe Sali Berisha tha sot në konferencën për shtyp se ai zotëron prova që tregojnë se disa ministra kanë paraqitur dorëheqjen për shkak të implikimit në të.
“Edi Rama largohu, jep dorëheqje menjëherë bashkë me kabinetin e kalbur. Di që ka ministra të cilët kanë paraqitur dorëheqje për shkak të kontakteve që ata kanë pasur me McGonigal”, u shpreh ai.
Për më tepër sipas liderit të opozitës, Prokurori në SHBA ka kërkuar që të hetohen takimet e McGonigal me Ramën dhe të tjerë politikanë në Ballkan, ndërsa deklaratat e deputetëve socialistë se shefi i tyre nuk është nën hetim janë mashtrime.
“Prokurori në SHBA ka kërkuar që të nisë hetimet për Edi Ramën dhe qeverinë shqiptare, dhe ka marrë autorizimin e gjykatës. Ata që thonë se Edi Rama nuk është nën hetim, mashtrojnë, janë lëpirës me pagesë ose njerëz me zero njohuri juridike. Regjistrime, dokumente, materiale të lidhura me sa vijon; çdo dhe të gjitha regjistrimet, materialet në posedim që dokumentojnë çdo komunikim personal, përfshi por jo vetëm mesazhet dhe tekstet celulare, emailet, sms në aplikacione, letrat, shënimet midis jush dhe Charles MCgonigal, për çështjet; Agron Neza, Donald Aviv, Tomas Ficerald, Lui Blader. Blader është ish-parardhësi i Mcgonigal. Ky është hetimi më global. Urdhri i gjykatës thotë: “Edi Rama dhe jo vetëm ai”. Çdo udhëtim të hetohet që ka bërë McGonigal në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi. Pagesa ose dhurata që i janë bërë McGonigal nga Neza dhe Duçka, të hetohet. Ata që thonë se nuk është nën hetim Edi Rama, mashtrojnë”, tha Berisha.
Por, kreu i PD u ndal edhe te emrat konkretë duke akuzuar ish-ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri se është njeriu kryesor që përfaqëson interesat ruse në Shqipëri, ndërsa më parë e kishte akuzuar për lidhje të drejtëpërdrejta me oligarkun rus Oleg Deripaska.
Në dosjen amerikane sipas Berishës del edhe emri i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka fluturuar me urgjencë drejt SHBA për të mbyllur skandalin para se të shpërthejë në Tiranë.
“Nëse bëhet fjalë për zëdhënës të hapur të interesave ruse në Shqipëri, ky është Damian Gjiknuri. Gjykata rrëzoi tenderit që iu dha kompanive ruse për shpim nafte në kundërshtim flagrant me ligjin. Pra jemi vetëm në fillimin e një tërmeti dhe do t’i them Ramës që ky do jetë një cunam popullor! S’të mbron më askush. Erion Veliaj kreu një udhëtim të fshehtë, është në tavë, është te xhepi i implikuar. Shkoi për të dëshmuar, apo për arsye tjetër, ta sqarojë hetimi, por ky pushtet është i kalbur dhe duhet të ikë një ditë e më parë. Unë disponoj dokumente autentike për atë që thashë, por do t’i bëj publike në momentin e radhës”, deklaroi kreu i PD.
Sakaq për Berishën zhdukja e Edi Ramës nga ekrani për mëse një javë pasi shpërtheu skandali McGonigal është produkt i “Kodit të Heshtjes” që atij i është kërkuar të zbatojë nga ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.
Për këtë Berisha bëri thirrje që qeveria e SHBA-ve të hetojë thellësisht marrëdhënien e diplomates së tyre në selinë e Rrugës së Elbasanit me kryeministrin e Shqipërisë, por edhe me ish-kryedemokratin Lulzim Basha, i cili hesht në një kohë që është zbuluar se Rama pagoi ish-zyrtarin e FBI për “ta fundosur” me dosjen e financimeve ruse.
“Burime të besueshme më kanë informuar se në heshtjen e Edi Ramës, një rol të veçantë ka guvernatorja Yuri Kim, e cila i ka kërkuar atij të mos bëjë asnjë deklaratë dhe këto burime informojnë se deklaratat qesharake e Ramës për të përgënjeshtruar miqësinë me McGonigal, ka qenë një këshillë e guvernatores. Këto janë çështje të hetimit, uroj që qeveria e SHBA të hetoj këto marrëdhënie. Në këto momente kur flet gjithë bota, kur ziejnë mediat e botës, ajo që bën përshtypje më të madhe dhe viktimë Basha ka mbyllur gojën si me zinxhir. Për një thikë pas shpine që njerëzit e saj të preferuar i përkëdhelte e bënte çtë donte me ta, nuk ka një fjalë të vetme. Si është e mundur kjo? Çfarë interesash përfaqëson guvernatorja. A mund të shpjegojë kush? A ka shqiptar që nuk pret reagim për këtë ngjarje? Sërish ju them unë, komentet për këtë ngjarje janë përvëluese për ata që janë të implikuar në të. Në llojin e saj, guvernatorja është e implikuar në McGonigal”, tha Berisha.