Nga Boldnews.al
Bosët e ndërtimit në Shqipëri kanë pasur një ditë të mbarë të mërkurën e 14 Dhjetorit.
Këshilli i Rregullimit të Territorit, nën drejtimin e Edi Ramës, ka miratuar rreth 20 leje ndërtimi e zhvillimi për godina në qendër të Tiranë e në bregdet.
Përfituesit, janë thuajse të përhershmit; Samir Mane, familjarët e Sandër Frangajt, Shkëlqim Fusha, Lul Morina, Papuli, Bashkim Ulaj.
Në listën e përfituesve gjendet edhe Lefter Sota, një biznesmen i hershëm, i cili vitet e fundit është njohur më së shumti si babai i Orest Sotës, mikut të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Krahas këtyre lejeve, KRRT ka vendosur edhe konfiskimin e tre ndërtesave, njëra prej të cilave banesë, për shkak të shkeljes së lejes së ndërtimit.
Lista e lejeve të KRRT
1. Leje Zhvillimi për objektin: “Ndërtimi i aksit rrugor Thumanë – Vorë – Kashar”, me vendndodhje në Bashkitë Tiranë, Vorë dhe Krujë, me subjekt zhvillues Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, koncesionarin “Gener 2” sh.p.k dhe shoqërinë koncensionare “G2 Infra” sh.p.k.
Kompania përfituese zotërohet nga biznesmeni Bashkim Ulaj.
2. Leje Ndërtimi për objektin: “Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Tenderi për ndërtimin e godinës, me vlerë mbi 2 milionë euro, është fituar nga kompania “Llazo”, në pronësi të Aldi e Anea Llazi.
3. Leje Ndërtimi për objektin: “Terminali verior i transportit publik”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues Bashkinë Tiranë.
Tenderi për Terminalin u mbyll në Tetor të këtij viti. Fondi prej rreth 8 milionë euro shkoi për kompanitë “Nova Construction 2002” dhe “Ante Group”, në një procedurë me flamur të kuq, pasi u eliminuan të gjithë konkurentët.
4. Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtim dhe rikonstruksion i objekteve të QSHAMT-së” (Drejtoria e Menaxhimit të Mjeteve të Transportit)”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Tenderi me vlerë 2.5 milionë euro për ndërtimin e godinës së QSHAMT-së u fitua në Prill të këtij viti nga një grup kompanisht, të drejtuara nga “Praslin Invesment”, në pronësi të Roland Ziut.
Godina e QSHAMT-së u tenderua në kuadër të Rindërtimit. Më herët, KLSH kishte konstatuar se përfshirja e këtij objekti në listën e godinave të prishura nga tërmeti i nëntorit 2019, ishte e pabazuar.
5. Leje Ndërtimi për objektin: “Kampus Universitar UET”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues Z. Artan Dumi dhe Znj. Mirela Papuli.
6. Leje Ndërtimi për objektin: “Godina rezidenciale të Kampusit Universitar UET”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues Z. Artan Dumi dhe Znj. Mirela Papuli.
7. Leje Zhvillimi për objektin: “Strukturë banimi, shërbimi dhe funksione të përziera”, me vendndodhje pranë Rrugës “Xhanfize Keko”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Kuteli” sh.p.k.
Kompania është në pronësi të Haki Kutelaj.
8. Leje Zhvillimi për objektin: “Godinë banimi dhe shërbimi “Manhatan 1”, pranë Rrugës: “Asim Vokshi” dhe “Don Bosko”, Bashkia Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Forever Construction” sh.p.k.
Kompania është në pronësi të Lefter Sota.
9. Leje Zhvillimi për objektin: “Objekt me funksion shërbime, hoteleri dhe rezidencial”, me vendndodhje në Rrugën: “Brigada VIII”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Forever Construction” sh.p.k.
Kompania është në pronësi të Lefter Sota.
10. Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt banimi dhe shërbime”, me vendndodhje në Rrugën: “Vaso Pasha”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Domus Group” sh.p.k.
Kompania është në pronësi të Adrian Hajro.
11. Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë banimi dhe shërbime”, me vendndodhje në Rrugën: “Dritan Hoxha”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Urbalb” sh.p.k.
Kompania është krijuar në vitin 2020 nga “MANE TCI” e Samir Manes dhe iu shit në maj të vitit 2022 shoqërisë “Lion Construction”. Kjo e fundit është në pronësi të Bardhjus Bushaj dhe Erion Gina (kunati i Sandër Frangaj).
12. Leje Zhvillimi për objektin: “Godinë shërbimi, zyra dhe edukimi”, me vendndodhje në Njësinë Administrative Farkë, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqëritë “Fusha” sh.p.k, “Balfin” sh.p.k dhe “Banka e Tiranës” sh.a.
Pronarët përfitues janë Shkëlqim Fusha dhe Samir Mane.
13. Leje Ndërtimi për objektin: “Hotel”, me vendndodhje në Rrugën Riviera, pranë zonës “Rana e Hedhun”, Bashkia Lezhë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Bici – 2000” sh.p.k.
Kompania është në pronësi të Klaudet Bici.
14. Leje Ndërtimi për objektin “Green Coast Hotel”, me vendndodhje në Bashkinë Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Green Coast” sh.p.k.
Pronari përfitues është Samir Mane.
15. Leje Ndërtimi për objektin: “Green Coast II, Zona A2 “Objekt hoteleri, shërbime dhe pishinë”, me vendndodhje në Palasë, Bashkia Himarë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Aqua Marine” sh.p.k.
Sipas të dhënave të QKR-së, një kompani me emrin “Aqua Marin” rezulton në pronësi të familjes Begaj, e njohur më së shumti për shoqërinë e bulmetit “Erzeni”.
16. Leje Zhvillimi për objektin: “Kompleks elitar hoteleri dhe shërbime “In The Ëild”, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Xheluks Construksion” sh.p.k.
Kompania përfituese është në pronësi të Lul Morinës, të cilit KRRT pak më herët i bllokoi disa godina për kate pa leje në zona luksoze të Tiranës.
17. Leje Zhvillimi për objektin: “Strukturë me funksion hoteleri”, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqëritë “Xheluks Construksion” sh.p.k dhe “Edon Construksion” sh.p.k.
Kompanitë janë në pronësi të Lul Morinës dhe Juliana Kërri.
18. Leje Ndërtimi për objektin: “Strukturë akomoduese, rezidenciale dhe Marina Resort”, Blloku 1 (Objekti B3 dhe B4), me vendndodhje në Bashkinë Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Marina Residences Vlorë” sh.p.k.
Përfituesi “Marina Residences” ka ortakë: “Marina di Valona”, në pronësi të Geront Çelës, që njihet edhe si “Geronti i Brunesit”; “Balfin” i Samir Manes; dhe kompania “Brunes”.
19. Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë me funksion shërbimi, në shëtitoren bregdetare nga fusha e sportit drejt tunelit”, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Adhenis” sh.p.k.
Kompania është në pronësi të një biznesmeni, i cili është larguar prej vitesh nga Vlora, Artur Shehu.
20. Leje Ndërtimi për objektin: “Kashar Industrial Park”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Concord Investment” sh.p.k.
Kompania është në pronësi të Artan, Ardian dhe Genc Dulaku.
21. Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt industrial”, me vendndodhje në Kashar, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqëritë “Premium Glass” sh.p.k dhe “Alu Glass” sh.p.k.
Të dyja kompanitë janë në pronësi të Sokol Parllaku.
22. Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt industrial dhe park energjetik”, me vendndodhje në Valias, Bashkia Kamëz, me zhvillues Z. Petrit Kasapi dhe Z. Ismail Kadiu.
23. Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt industrial”, me vendndodhje në fshatin Picarë, Bashkia Vorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “AHF” sh.p.k
Kompania është në pronësi të Altin Haxhiu.
24. Leje Ndërtimi për objektin: “Stacion furnizimi automjetesh dhe objekt shërbimi rekreacioni”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Fusha” sh.p.k.
Kompania “Fusha” është në pronësi të Shkëlqim Fushës.
Konfiskimet e KRRT
1. Konfiskim për interes publik të objektit: “2 Godina banimi dhe shërbimi H1 – P15”, me vendndodhje në parcelën Nr. 15, Blloku H1, Zona Hotel Turizëm – Kanali Çukës, Bashkia Sarandë, me zhvillues shoqërinë “Dauti – S” sh.p.k.
2. Konfiskimi për interes publik të sipërfaqes së ndërtuar pa leje për qëllim fitimi, në objektin: “Godinë banimi dhe shërbime”, me vendndodhje në Rrugën Nr. 5, Bashkia Sarandë, me zhvillues Z. Pëllumb Zyka.
3. Për konfiskimin për interes publik të sipërfaqes së ndërtuar pa leje për qëllim fitimi, në objektin: “Banesë me lokal dhe garazhd B 12, parcela 182”, Zona Hotel Turizëm – Kanali Çukës, Bashkia Sarandë, me zhvillues Z. Dritan Pashaj.