Avokatët e deputetit Saimir Tahiri, Maksim Haxhia dhe Artan Hajdari i kanë dorëzuar një kërkesë Prokurorisë së Krimeve të Rënda me drejtues Besim Hajdarmataj, të zhvillojë intensivisht e pa nderprerje hetimin.
“Gjithashtu, i kam kërkuar sot prokurorise së krimeve të rënda të zhvillojë intensivisht e pa ndërprerje hetimin tim. Rruga jonë për tek e vërteta, nuk mund të jetë as me pushime në mes, as me terezi se kohën para e kemi. Unë nuk kam kohë për të humbur në zbardhjen e së vërtetës, e as pres të bëhet tërkuzë kjo histori, për të vonuar të vërtetën e për të lënë llumin e politikës të bëjë politikë.
Dhe do bëj gjithçka që kjo të mos ngecë në kanalet e ndryshkura të drejtësisë, që sot mbeten në këmbë vetëm nga kanalet e pista të politikës, që nga drejtësia e korruptuar janë ende në politikë, e që sot kanë detyrim të mbështesin drejtësinë e korruptuar si shpërblim”.
“Kërkojmë të thirremi në një kohë sa më të shkurtër për të dhënë deklarime, si dhe për t’u marrë në pyetje dhe dhënë shpjegime për çdo fakt që nga ana e organit të akuzës do çmohet i vlefshëm dhe në ndihmë të hetimit”, thuhet në kërkesën e dy avokatëve.