Moti i paqëndrueshëm ka përfshirë gjatë orëve të fundit qarkun e Elbasanit, ku reshje të dendura shiu, breshër dhe erë e fortë janë regjistruar edhe në zonën e Gramshit.
Përkeqësimi i menjëhershëm i kushteve atmosferike ka sjellë ulje të temperaturave dhe vështirësi të përkohshme në qarkullim në disa akse rrugore, për shkak të lagështirës në asfalt dhe reduktimit të shikueshmërisë.
Deri në këto momente nuk raportohen dëme të konsiderueshme apo situata emergjente, ndërsa strukturat vendore vijojnë monitorimin e gjendjes.
Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet dhe erërat e forta pritet të vijojnë edhe në orët në vijim, ndaj qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve.














