Kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi këtë të Shtunë kryeministrin Edi Rama për vjedhje të shqiptarëve dhe paralajmëroi protesta deri në rrëzimin e tij nga drejtimi i qeverisë.
“Këtij i ka kaluar koha ndaj dhe ne hapim siparin e protestave deri në largimin e tij”, tha Berisha gjatë një takimi me qytetarë në Tiranë.
Ai e cilësoi kreun e qeverisë një armik dhe shtoi se protesta e 12 nëntorit do të jetë e paparë ndonjëherë në Tiranë.
“PD është e angazhuar kryekëput në dy veprimtari të një rëndësie të jashtëzakonshme. E para, në një protestë të fuqishme, të paparë ndonjëherë në Tiranë. Të paparë ndonjëherë në Tiranë sepse kurrë në 30 vite ju banorë të Kombinatit, të Astirit, të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë nuk keni patur në krye të qeverisë një armik të qenies tuaj. Një armik të identitetit tonë kombëtar. Një armik të fëmijëve tuaj, të shkollimit tuaj, një armik të shëndetit të secilit prej jush dhe të çdo shqiptari. Dhe kjo, jo vetëm ka shkatërruar sistemin e drejtësisë, jo vetëm se njeriu që ju premtoi ju shërbim shëndetësor falas me politikat që ka ndjekur ka bërë që ju të paguani sot për shërbimin shëndetësor më shumë se të gjithë qytetarët e tjerë të Europës. Jo vetëm për këto, por edhe faktin se këtë qytet ku ju jetoni e ka shndërruar në më të ndotur se kurrë në historinë e tij, këtë qytet ku ju jetoni, ku rrisni fëmijët tuaj, ku ndërtoni jetën, e ka shndërruar me lejet e ndërtimit dhe faktorë të tjerë në qytetin e 250 më të ndotur të botës”, tha Berisha.
Berisha preku dhe raportimet e mediave britanike për emigrimin masiv të shqiptarëve.
Sipas tij, po të mos plaçkiste votën, Rama s’do rrinte as 4 ditë në pushtet.
“Po pyesin këto kohë mediat britanike dhe botërore: Ç’po ndodh me shqiptarët? Çfarë po ju vret atyre shpresën? Po ndodhin shumë gjëra. Por ajo që vret më shumë shpresën është humbja e besimit tek vota. Se shqiptarët nuk janë të pa mençur, jo, janë të mençur, por dhe ata e kuptojnë se nëse në vendin e tyre pushteti do të ndërrohej me votë, një njeri si ky nuk mund të rrinte as 4 ditë në pushtet. Por ky plaçkit votën, ndaj dhe ata ikin. Edi Rama është një armik i shqiptarëve. John Kennedy thotë një gjë shumë të drejtë. Tre janë armiqtë kryesore të njeriut: tirania, sëmundja dhe varfëria. Edi Rama operon me tiraninë, fiktivitetin e votës, vendosi pushtetin absolut, por po kaq mizore është tirania e varfërisë, e mospasjes”, deklaroi kreu i PD-së.
Më tej, tha se protestat do vijojnë deri në ikjen e Ramës nga posti i kryeministrit.
“A mund të quhet ky njeri me ndjenja ky, kur ka 4 vite, 25 km nga këtu ku jemi ne, në fshatrat e Bubqit që, gra shtatzëna, foshnje të sapo lindura, të moshuar jetojnë në çadra, kurse vetë ky fluturon në avionë me dhomë gjumi ultra luksoze. Jo vetëm avion-taksi, por me dhomë gjumi. Çfarë është ky njeri? Absolutisht vetëm hajdut. Një fjalë e urtë thotë: Kur nuk ke turp bën çdo gjë dhe thua çdo gjë. Shikoni këtë njeri, bën çdo gjë dhe nuk le gjë pa thënë. Flet me një gjuhë të turpshme të shthurur që asnjë njeri që ka kontrollin më minimal ndaj vetes nuk ia lejon një gjuhë të tillë në mitingje, parlament e kudo. Këtij i ka kaluar koha, ndaj dhe ne fillojmë, hapim siparin e protestave gjer në largimin e tij. Ky është bërë një ordiner që beson se qytetarëve shqiptarë mund t’u shesësh çdo gënjeshtër. U thotë se fluturimi i tij me charter kushton sa gjysma e udhëtimit tuaj me easy jet, apo gjysma e biletës kur udhëtoja unë dikur. Ky jeton me një botë urrejtje ndaj qytetarëve, ndaj njerëzve të thjeshtë, ndaj intelektualëve, ndaj pedagogëve, ndaj biznesmenëve, përveç atyre që i çojnë me valixhe milionat e eurove”, shtoi Berisha.
Kreu i PD-së preku edhe çështjen e inceneratorëve, duke deklaruar se janë ndërmarrje e Edi Ramës, Engjëll Agaçit, Arben Ahmetajt, Erion Veliajt.
“Në 12 nëntor le të lebetitet nga vrulli, guximi, trimëria juaj, e qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë. Ky hajdut vendin e ka në burg. Dhe vetëm në burg. Në një kohë kur pensionisti numëron qindarkat për të mbyllur ditën, ky firmos për ndërmarrjen e tij 430 mln euro. Djegësat janë ndërmarrje e Edi Ramës, Engjëll Agaçit, Arben Ahmetajt, Erion Velisë. Ku janë djegësat? A ndodh në botë kund që gjykata dhe prokuroria të lëshojnë urdhër arresti për ndërmarrje krimi dhe ndërmarrja jo që nuk konfiskohet, por disbursohet me para çdo javë dhjetëra e dhjetëra milionë. Kjo vetëm e vetëm se llogaritë janë të Ramës, Agaçit, Veliajt. Ku ndodh në botë që të mblidhet kryeministri me qeverinë dhe të thotë se kësaj ndërmarrje do t’i jap bonus 8%. Por cilës ndërmarrje? Ndërmarrjes që mbi tokë nuk ekzistonte. Dhe ministrja e tij i çon me shkrim dhe i thotë kjo nuk mund të ndodhë se ndërmarrja nuk ekziston. Por ajo ndodh se ishte projekti i Edi Ramës dhe hajdutëve përreth tij. Ndaj dhe t’i themi, “boll vodhe, shko në burg”. Aty e ke vendin”, deklaroi.