Nuk ishin aq normalë sa dukeshin. Megjithëse me dy fëmijë madhorë dhe që të dy në punë, një çift kryeqytetas pothuajse përditë kishin si motiv sherresh konsumin e alkoolit nga kryefamiljari.
Në fund ata u ndanë, por asnjëri nuk pranoi të dalë nga shtëpia. Si në filma, këtu nisi fronti i ri i grindjeve, ndonjëherë për tualetin, më së shumti për oraret e kuzhinës dhe pjesa tjetër për zonën neutrale që ishte e të tërëve, edhe e gruas, edhe e burrit, edhe e dy fëmijëve.
Ekstremi i dhunës kulmoi ditën kur kryefamiljari L.B u kthye pothuajse në gjendje të pandërgjegjshme nga alkooli dhe qëlloi të birin i cili u përpoq ta ndalonte të hynte në dhomën ku qëndronte e ëma. I biri që po e dëgjonte teksa po shante e kërcënonte, bashkë me të motrën i janë lutur që të ulte zërin pasi dëgjonte pallati. Më pas situata ka dalë nga kontrolli dhe siç thotë në polici denoncuesi, ai i kërkoi të atit të merrte rrobat e të dilte nga banesa ose në të kundërt do njoftonin policinë. Në korridor që ishte vendi i të gjithëve, babë e bir u përleshën dhe sipas të riut babai i dehur rrëmbeu edhe priftin për ta qëlluar.
“E kapa për duarsh sepse po shante mamanë që ishte mbyllur në dhomë dhe nuk po bënte zë,”- dëshmon djali. Kjo alibi përsëritet edhe nga vajza. Policia deklaron për Gazetasi.al se i është marrë deklaratë edhe shtetases A.B në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Ajo sqaron po të njëjtat fakte dhe rrethana si djali i saj dhe tregon se si ish bashkëshorti, i dyshuari L.B vazhdimisht e kërcënon se do ta vrasë, se do ta hedhë nga ballkoni”. Por policia pasi ka vërejtur një shenjë të mavijosur në faqen e 58-vjeçarin e pyet gruan se kush e ka qëlluar dhe nëse kishte ngritur dorë djali ndaj të atit?
“Nuk kam dijeni se ku është vrarë ish burri. Djali ynë është mjaftueshëm i edukuar, nuk do ngrinte kurrë dorë ndaj të atit. Me siguri duhet të jetë përplasur rrugëve”, thotë nëna e dy fëmijëve që ka marrë rolin mbrojtës për të birin. Policia vëren se djali kishte shenja mavijosjeje që vërtetojnë se u rrah nga i ati.
Në fashikullin e policisë së kryeqytetit shkruhet se si agjentët e pyetën 58-vjeçarin për çastet përpara se të mbërrinte një patrullë e Shqiponjave që u njoftua nga gruaja. Kryefamiljari kujton fare mirë datat e divorcit, që u kishin vendosur rregulla të reja dhe sipas tij, e pati marrëdhënien e mirë me të dy fëmijët derisa ata në një moment nisën të mbajnë krahun e nënës. Në dëshminë e tij 58-vjeçari këmbëngul se asnjëri nga dy bashkëshortët nuk pati mundësi financiare të largohej nga jetesa e përbashkët që patën në martesë ndaj dhe jetuan në të njëjtën shtëpi ndonëse të divorcuar.
“Ne jetojmë përsëri bashkë dhe i kemi gjërat me orar. Dhomën e ndenjes e ka gruaja me vajzës. Unë me djalin kemi dhomën e gjumit. Kur gatuaj unë gruaja del jashtë, ose qëndron në ballkon. Kur gatuan ajo e njëjta gjë. Shmangemi dhe fëmijët nuk na lënë vetëm. Megjithatë nga kjo jetesë e përbashkët gjatë dy viteve të fundit kemi patur probleme. Ajo më provokon që të dal jashtë shtëpisë, ndaj qëndroj gjithë ditën në lokal dhe pi derisa dalin fëmijët nga puna. Vajza më jep përditë dy mijë lekë, edhe djali më jep e më kërkojnë të mos bëj sherr. Ajo provokon , blej ushqime të veçanta dhe ndonjëherë gruaja i hedh poshtë. Ndonjëherë bëjmë sherr edhe për enët dhe për banjën. Edhe kësaj radhë që futi fëmijët midis nesh ishte plan i saj. Sa të dal nga komisariati do ta vras se më ka helmuar shpirtin e më ka shtyrë të lus vdekjen time,”- deklaron i akuzuari që përfundoi në pranga për akuzën e dhunës në familje./GazetaSi