Nga Boldnews.al
Në 2 nëntor përfundon afati 45-ditor që ka caktuar Këshilli i Lartë i Prokurorisë për dorëzimin e kandidaturave për drejtues të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), nga ku do të dalë emri që do të zëvendësojë kreun aktual, Arben Kraja, mandati i të cilit përfundon në 19 Dhjetor.
Në dy njoftime paraprake, KLP ka informuar publikun se “deri më tani, nuk ka asnjë kandidaturë”. Ndoshta këto informacione janë përgjigje ndaj interesit mediatik, megjithëse mbeten sërish jo shumë normale, kur afati për dorëzimin kandidaturash ende nuk ka skaduar.
Ky qëndrim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë mund të jetë edhe një formë nxitje për “elementin patriotik” të prokurorëve të SPAK-ut, që të marrin përgjegjësinë e drejtimit të strukturës më të rëndësishme hetimore në Shqipëri.
Por, deri në publikimin e këtij shkrimi, rezulton se nuk ka asnjë kandidat që preferon postin drejtues të mbajtur nga Arben Kraja.
Pro e kundër Krajës
Kjo situatë po shoqërohet me një luftë të heshtur, e cila ende nuk ka dalë në sipërfaqe, e cila po zhvillohet më shumë jashtë se sa brenda mureve të rënda të SPAK-ut.
Në lojë janë përfshirë faktorë qeveritarë e ndërkombëtarë, secili me preferencat apo mos-pëlqimet e tyre.
Arben Kraja u zgjodh në krye të SPAK-ut në 19 Dhjetor të tre viteve më parë. Ai u caktuar drejtuesi i parë dhe përgjegjësia e tij ishte ngritja dhe strukturimi i njësisë hetimore të specializuar për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar.
Ligji për funksionimin e SPAK-ut parashikon që drejtuesi i saj të ketë një mandat 3-vjeçar. Në Prill të këtij viti, kreu aktual, Arben Kraja, i propozoi Kuvendit që të ndryshohet ky afat.
Ai e mbështeti propozimin e tij me argumentin se “Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Posaçme të Apelit nuk e kanë një kufizim të tillë; të gjithë prokurorët e tjerë në sistemin e prokurorisë nuk e kanë një kufizim të tillë; drejtuesit e institucioneve kushtetuese nuk kanë një mandat të tillë të shkurtër në kohë dhe pa të drejtë rikandidimi”.
Propozimi i Krajës u la për disa muaj në heshtje. Në Shtator të këtij viti, Komisioni i Ligjeve ngriti një grup pune, me deputetë të maxhorancës dhe opozitës, për të diskutuar propozimet e ardhura nga disa institucione të drejtësisë, përfshirë edhe kërkesën e shefit të SPAK-ut për zgjatje apo heqje të kufizimit të mandatit.
Ndërkohë që grupi parlamentar i punës duhet të jetë duke vijuar konsultimet, afati i Krajës në krye të SPAK-ut po arrin në limitet dhe ai, me shumë mundësi, nuk do të korrë sukseset e kërkesës së tij, edhe nëse ajo shqyrtohet e pranohet.
Parlamentarizmi shqiptar ka treguar se, kur ka ekzistuar vullneti, ndryshimet ligjore, madje edhe ato kushtetuese, janë realizuar në kohë rekord.
Ndërsa, sa i përket propozimit të Krajës, duket se vullneti për shqyrtim emergjent, nuk ekziston.
Në përfundim të tre viteve, angazhimi i tij është mbështetur fuqishëm nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Kraja ka zhvilluar takime pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që kryediplomatja e Uashingtonit në Tiranë konsiderohet si avokatja më e flaktë e SPAK-ut dhe rrjedhimisht edhe e punës së Krajës.
Në takime publike apo intervista televizive, ambasadorja Kim ka marrë rolin e një “zëdhënëseje” të Prokurorisë Speciale, duke raportuar në mënyrë të detajuar për shifra e statistika të rezultateve të hetimeve të SPAK-ut.
Ky qëndrim i ambasadores, duket se ka stepur prokurorët e tjerë të SPAK-ut për të dorëzuar kandidimin e tyre për drejtimin e institucionit.
Ata e dinë shumë mirë ndikimin që ka diplomatja amerikane në politikën vendimmarrëse shqiptare dhe, mesa duket janë në pritje për të parë nëse Yuri Kim do të arrijë të bindë parlamentarët të zgjasin mandatin e Arben Krajës.
Por, duket se kërkesa e Krajës nuk është pritur mirë nga faktori politik, e sidomos nga maxhoranca që ka edhe mundësitë e plota për të bërë ndryshimet ligjore.
Ndryshime nga Yuri Kim, faktori vendas ka shprehur pakënaqësi të mëdha për mënyrën se si kanë funksionuar hetimet në SPAK.
Kryeministri Edi Rama nuk e ka fshehur aspak pezmatimin e tij nga Prokuroria Speciale. Ndërsa opozita e kritikon SPAK-un për mefshtësi në hetimet e korrupsionit të lartë qeveritar, sidomos për atë të aferës së inceneratorëve.
Të gjithë shigjetat e kritikave, natyrisht, bien mbi drejtuesin e SPAK-ut.
E, pikërisht në këtë “betejë në distancë” ndërmjet Edi Ramës e Yuri Kim, prokurorët special kanë vendosur të qëndrojnë të tërhequr, të paktën deri më tani.
Gara politike për SPAK-un
Pavarësisht të gjithave, me apo pa kandidatura, SPAK-u do të ketë një drejtues të ri pas 19 Dhjetorit, nëse Parlamenti nuk bën ndryshime të minutës së fundit për mandatin e Krajës.
Në nenin 20 të Rregullores së Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për ngritjen në detyrë të prokurorëve në SPAK”, të miratuar në Mars 2019, parashikohet se “Nëse asnjëri prej prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme nuk shfaq interes për pozicionin e Drejtuesit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë cakton përkohësisht në këtë detyrë njërin nga prokurorët”.
Nëse shkohet drejt këtij skenari, atëherë mund të të nisë një lojë tjetër.
Brenda SPAK-ut ka prokurorë me përvojë, të cilët kanë kapacitetet e duhura profesionale për të qenë në krye të institucionit.
Por, nëse kriteri bazë i përzgjedhjes së trupës së prokurorëve të SPAK-ut do të ishte thjesht dhe vetëm ai i aftësisë profesionale, atëherë, me shumë mundësi, një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk do të duhet të ishin në atë godinë.
Nga ana tjetër, brenda trupës së SPAK-ut ka “beniaminë”, “të përkëdhelur” apo të “përkrahur” nga faktorë të rëndësishëm të jetës politike, kryesisht të maxhorancës.
Në SPAK ka prokurorë që janë aty falë lobimit të Fatmir Xhafajt, Engjëll Agaçit, Ulsi Manjës, Erion Veliajt, të cilët, secili më vete apo të gjithë bashkë, do të nxisin Edi Ramën për të ndikuar që emri i ri i shefit të SPAK të dalë nga kjo listë preferenciale.
Kryeministri, formalisht, nuk ka asnjë rol në emërimin apo caktimin e kreut të SPAK-ut. Por, kështu do të funksiononte në një mjedis laboratorik.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili do të zgjedhë apo emëroj kreun e ri të Prokurorisë Speciale, është i përbërë në shumicën e tij nga anëtarë të zgjedhur nga maxhoranca socialiste në Parlament.
Pa paragjykuar profesionalizimin e anëtarëve të KLP-së, shumë prej tyre janë në dorë të qeverisë dhe maxhorancës për të siguruar një karrierë të suksesshme, pas përfundimit të mandatit në Këshill.
Ndaj, nuk do të jetë aspak çudi që të pranojnë sugjerime nga kreu i qeverisë apo emisarë që do të flasin në emër të tij.
Dhe, natyrisht, nuk do të jetë aspak çudi, që kreu i ardhshëm i SPAK-ut të jetë thjesht një “klon” i Xhafajt, Veliajt apo Ulsi Manjës.