Analisti Ilir Kalemaj, votimin e së enjtes në parlament të ndryshimeve në ligjin për të drejtën e informimit për ish-bashkëpunëtorët e sigurimit, e komenton me fjalët “vetëm lustracion nuk ka”.
Nga studio e lajmeve të MCN Tv, ai deklaroi se nuk po hapen dosjet, por se është shtuar një nen te ligji aktual që kemi.
Në vijim shtoi se ka dy përpjekje të mëparshme për lustracion dhe të dyja të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese dhe që janë kundërshtuar nga Komisioni Europian dhe Komisioni i Venecias.
“Nuk kishte pse të shpiknim rrotën, por le të merrnim modelet e suksesshme, atë të Gjermanisë Lindore, apo Republikës Çeke apo Rumanisë.
Ne nuk morëm asnjë model dhe ato ligje që i gatuam i gatuam në mënyrë që të dështonin, duke hedhur faj në mënyrë kolektive ndaj individëve që kishin kryer krime apo kanë qenë pjesë e nomeklaturës.
Se lustracion do të thotë pastrim. Ky nen nuk sjell asgjë më tepër çfarë ishte, por e kufizon. Duhet të shkojë individi te Autoriteti i Dosjeve dhe të bëjë kërkesë dhe të mbushë mendjen që të hapë dosjen.
Se më parë Autoriteti duhet ti përgjigjej individit. Është bërë më e vështirë, se nëse dosjen e nxjerr në publik, t’i ndëshkohesh.
Nuk e dimë numrin e bashkëpunëtorëve ndërkohë që nuk janë dënuar ata që kanë qenë pjesë e nomeklaturës së lartë apo Partisë së Punës, që jo vetëm kanë abuzuar por kanë marrë më qafë njerëz që kanë vuajtur dënimin me gjyq dhe pa gjyq.
Këta individë nuk duhet të jenë pjesë as e administratës publike, as pedagogë dhe as në poste të tjera. Kjo bëhet për Ilir Metën normalisht.
Askush nuk e bën për të zgjedhurit, ti nuk mund të bësh legjislacion vetëm për të nxjerrë kundërshtarin politik nga skena.
Ty të votojnë njerëzit, nëse njerëzit mendojnë se ke kapacitete, bujrum garo. Po bëhet për të nxjerrë kundërshtarin politik nga loja dhe jo përpjekje për lustracion që do na shkëpuste nga e kaluara komuniste”, tha Kalemaj.
Ai shtoi më tej se në fund nuk ka për të ndodhur asgjë dhe se Ilir Meta do e çojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Strasburg. Por sipas tij, askush nuk do të largohet nga politika.
“Për të nxjerrë jashtë loje Ilir Metën dhe Sali Berishën duhet konsensus më i madh votash. Por nuk është fjala e fundit.
Fjala e fundit do i takoj Gjykatës Kushtetuese, Komisionit të Venecias dhe Strasburgut, që me gjasë do e rrëzohet. Gjithçka bëhet për të mos pasur kundërshtarë në fushën e lojës.
Por ti e ke pasur aleat… Sot që la detyrën dhe të del kundërshtar. Kjo është hipokrizi në rastin më të mirë dhe frikë në rastin tjetër”, u shpreh ai.