Nga Ilir Kalemaj
Protestat po trembin turistët. Turistët janë arsyeja kryesore e rënies pikiatë të euros. Pra ose janë trembur dhe fluturojnë si flamingo shtegtarë ose janë qëndrestarë dhe kanë prodhuar turizmin e protestave. Algoritmi nxiti protestën. Mandej pak javë me vonë: protestën e nxitën pakënaqësitë reale por ai biçim algoritmi e fuqizoi. Poliagjenturat në një bashkëpunim të paprecedentë nga ato greko-serbe te ato iraniano-ruse i nxitën gjithashtu secila më vete dhe të gjithë bashkë. Por edhe grupe masonike me mbi 10 mijë veta plus po shkaktojnë terror turistik duke tërhequr Lucën në llucë dhe duhet të marrin përparësi ndaj çdo kërcënimi tjetër të jashtëm dhe të brendshëm si ato me krim të organizuar, trafik droge apo pastrim parash. Në fund të ditës përparësitë janë përparësi.
Super leku i reziston edhe mbi 1 miliardë eurove të tërhequra nga tregu vitin e kaluar nga Banka e Shqipërisë për të frenuar gremisjen e saj të pashpresë, edhe përpjekjeve lobuese të bizneseve eksportuese dhe fasonerive për të mbajtur frymën gjallë, edhe hallit të emigrantëve dhe famijeve të tyre në mëmëdhe që kanë parë vlerën e remitancave të rrokulliset me shpejtësi, edhe atyre që paguhen në euro dhe kanë parë të ardhurat t’u zvogëlohen me shpejtësi. Vendi i çudirave që pret koncertin e Kani Uest-it e madje paguan nga fondi i emergjencave për të, madje mbush dhe stadiumin e bërë apostafat me nxënës gjimnazi dhe administratë, duket se nuk ka shumë oreks me zgjidh hallet e shqiptarëve që shtohen si zjarret në këtë stinë të nxehtë dhe të thatë.
Nga ana tjetër, ndërtimi është lokomotiva e ekonomisë shqiptare që zë rreth 13 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto. Gati-gati po barazon bujqësinë por e ndërlidhur me shumë industri të tjera, efektin në ekonominë reale e ka më të madh. Por ndërsa metrat katrorë fluturojnë sipas gjatësive stratostferike të kullave fshehur pas emrave të star-arkitektëve ndërkombëtarë, po aq i madh risku duke qenë se në Durrës Marina prenotuesit kanë blerë ajrin dhe godina që po fundosen apo rreth 1.2 milionë metra katrorë të bllokuara së fundmi nga SPAK në Tiranë. Ndërkohë që Shqipëria po boshatiset nga shqiptarët dhe emigrantët që vijnë nga vende të botës së tretë vijnë si punëtorë dhe jo nomadë digjitalë që mund të investojnë në të patundshme. Në këto të fundit ka plot evidencë rrethanore e raportuar edhe në prestigjioze ndërkombëtare që janë më tepër parkim parash apo lavatriçe, që bashkë me spekulantët në një ekonomi që nuk prodhon gjë, kanë fryrë çmimet në atë farë feje sa e bëjnë të pamundur jetesën me punë të ndershme në Tiranë apo ëndrrën për të një shtëpi modeste pushimesh për shtresën e mesme.
Rrugët e lëna rrugëve ta bëjnë trafikun gogol, përdorimin e makinës angari, turizmin mision të pamundur dhe relaksin e programuar e kthejnë me shpejtësi në stres. Një e dhënë e fundit tregonte konvergjencën e infrastrukturës së Shqipërisë me atë të BE-së për mbi një shekull. Pra jemi një shekull larg me ritmet aktuale, ndonëse shpenzohet rrafsh 1/5 apo 20% e buxhetit për infrastrukturën apo mbi 6 përqind e totalit të PBB-së. Por si Kalaja e Rozafës ato nuk mbarojnë kurrë dhe enden si filli i Penelopës ditë natë nga qeveritarë që ka në mendje veç popullin e ngratë. Shqiptarët që janë aq të pasur sa paguajnë rreth 108 përqind të mesatares së BE-së për ushqimet apo dhe rreth 8 përqind më shumë se evropiani mesatar për komunikimet, që kanë çmimet më të papërballueshme të jetesës në krahasim me rrogat në mbarë kontinentin dhe jo vetëm në klubin ku duam të antarësohemi, kanë plot arsye për të protestuar, sikundër po bëjnë me një energji të padëmtuar nga retorika boshe, propaganda malinje dhe përpjekjet për të identifikuar kauzat me zëra individësh që mund të kenë dhe ambicie personale, delire, apo agjenda të cilat jo domosdoshmërisht reflektojnë kërkesat e shumicës. Asaj shumice të heshtur që ndjen pasojat e politikave të gabuara edhe kur nuk artikulon qartë zgjidhjen e problemit, që identifikon qartë trinomin krim i organizuar-pushtet-oligarki ndonëse mund mos të ketë gati recetën e një republike të re dhe që ndjen si i vidhet koha një gjenerate, ndonëse rreth katër dekada më parë u ngritën për një Shqipëri si gjithë Evropa.














