Arrestimi sot në Itali i Moisi Habilajt, njeriut të akuzuar për lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ka ringjallur edhe njëherë hijet e dyshimit që kanë shoqëruar këtë të fundit gjatë ushtrimit të detyrës së vet.
39-vjeçari vlonjat mban mbi shpinë akuzën se kryeson një klan të trafikut që ka transportuar rreth 20 milionë euro lëndë narkotike drejt Italisë.
Menjëhërë pas publikimit të këtij lajmi kreu i PD-së nxitoi të evokonte akuzat e vjetra të partisë së tij për lidhjen e klanit të Habilajt me ish-ministrin Tahiri. (kliko këtu) Edhe denoncuesi i tij i parë, ish-drejtori i anti-drogës në Vlorë, Dritan Zagani, që u burgos dhe më pas u “arratis”, për faktin e thjeshtë se denoncoi lidhjet politike të klanit të Habilajve me krerët e lartë të shtetit, nxitoi të bëjë ironi me realizimin e parashikimeve të tij.
Në gjithë këtë histori nuk mbeti pa u përfshirë edhe ish-kryeministri, Sali Berisha, që tregoi edhe njëherë me gisht, Saimir Tahirin. Në fakt Habilajt ishin shfrytëzuar me kohë për të treguar lidhjet e ish-ministrit me klanet e trafikut.
Në vitin 2015, duke iu referuar denoncimit të shefit të Anti-Drogës së Vlorë, Dritan Zagani, opozita akuzoi Tahirin se në kohën kur drejtonte ministrinë e Brendshme “ndante” makinën e tij “Audi” me Habilajn dhe lejonte veprimtarinë e tyre kriminale.
Në shtator të 2015-ës, Saimir Tahiri deklaroi se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara nga PD, se ish-vartësi i tij Zagani gënjente dhe se akuzat po amplifikoheshin nga media që nuk dihet me çfarë financohen.
Por pavarësisht këtyre pretendimeve, ministrit nuk i shqitej hija e Habilajve. Historia u komplikua edhe më shumë kur ai pranoi me gojën e vet në emisionin “Opinion” se ishte e vërtetë që makina ishte në pronësi të tij. Por se ai nuk e kishte deklaruar shitjen, pasi kishte humbur një gjyq dhe këtë transaksion nuk ia lejonte zyra e përmbarimit.
Ky autogol, i mjaftueshëm që të shkaktonte shkarkimin e një anëtari qeverie që i shmangej ligjeve të shtetit, ngriti edhe pikpyetje të tjera.
Pse ministri i policisë e shiti veturën e tij, pikërisht tek njerëz që njiheshin se ç’aktivitet kishin? Pse, siç treguan dokumentat edhe më pas, makina me emrin e ministrit përdorej edhe nga ai vetë edhe nga kushërinjtë e akuzuar për trafiqe?
Kjo pyetje bëhej asgjësuese kur më pas u vërtetuan me dokumenta edhe fakte të tjera. Një nga faksimilet e publikuara atëhere tregonte lëvizjet e makinës në sistemin TIMS. Të dhënat tregonin që me këtë makinë kishin dalë jashtë vendit në data të ndryshme, familja Habilaj, familja Tahiri si dhe vetë ish-ministri.
Por, ashti siç ndodh rëndom në Shqipëri, këto akuza filluan të fashiten me kohën. Deri ditën e sotme kur raporti i Guardia Di Finanzës për arrestimin, i publikuar nga “ANSA”, nxorri në skenë emrin e Moisi Habilajt. Sekuestrimi i 20 mijë eurove para në dorë, i mbi 3500 kilogram marijuanë në disa raste, tregonin se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar trafiku. Në raport flitet se grupit i janë arrestuar më shumë se 20 shpërndarës, dhe i janë kapur qindra automatikë “Kallashnikov” dhe municione.
Natyrisht, edhe pas kësaj, ish ministri i Brendshëm mund të vazhdojë të pretendojë se bëhet fjalë për një rastësi. Se ai Habilajt i njihte si kushërinj, se makinën e tij e kishte “ndarë” brenda familjes. Por një logjikë e tij, zor se mund të bindë akuzuesit e Tahirit. Për opozitën ngjarja e Italisë është prova e pakundërshtueshme e lidhjeve të Tahirit me botën e errët të krimit. Dhe historia ka vajtur aq larg sa tani Berisha të paralajmërojë arrestimit e tij. ©LAPSI.AL