Pikat e karburantit në Shqipëri shesin naftë e benzinë jashtë kontrollit të cilësisë dhe standardeve. Shqetësimin e ngritur nga mediat, lidhur me tregtimin e naftës bruto, apo të përzier me substanca të dëmshme, e ka pranuar dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, i cili paralajmëroi vënien nën kontroll të çdo impianti të përpunimit të naftës në vend.
“Formalizimi i atyre që quhen impiante rafinerie, apo përpunimi, të cilat deri tani kanë punuar në mënyrë ilegale. Kanë qenë jashtë çdo lloj kontrolli, jashtë çdo lloj standardi dhe shpesh herë merrnin naftën bruto e produkte të tjera, i përziejnë dhe i hedhin në treg. Ua sheshin konsumatorëve industrialë, apo konsumatorëve në pikat e karburanteve. Në këtë ligj parashikojmë licencimin e këtyre impianteve”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë.
Ndyshimet e parashikuara në ligjin për hidrokarburet parashikojnë forcimin e masave ndëshkuese për shkelësit e ligjit, si dhe publikimin e emrave të subjekteve mashtruese.
“Ka qenë një pikë e dobët, si gjobat, që shpesh herë nuk zbatoheshin, ashtu si dhe pamundësia e heqjes së lincecës, ndërkohë që shumë prej këtyre subjekteve vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre, si dhe problemi që qytetarët nuk e dinin se kush janë këto subjekte, duke rënë prè e skemave të mashtrimit të mirëfilltë me produktet e hedhura në treg. Me këtë ligj ne do të kemi mundësi të publikojmë të gjithë emrat e abuzuesve”, tha Damian Gjiknuri.
Përfaqësuesit e shoqatave të hidrokarbureve thonë se, problemi i cilësisë së karburanteve qëndron te nafta vendase, e cila – sipas tyre – nuk mund të përpunohet. Ata kërkojnë forcimin e kritereve të licencimit dhe të kontrollit nga autoritetet përkatëse.
“Ligji duke u ribërë duhet të kishte kushte, siç i ka Europa, të përshtatura me vendin tonë, shumë strikte. Leja e vërtet të kushtonte shumë, atij që i hiqej leja e ushtrimit të profesionit të dridhej shumë. Propozojmë një përforcim më të madh në aspektin e tabelave. Këtu 99 përqind e karburanteve gënjejnë me tabelat, duke shkruar edhe artikuj që nuk i tregtojnë”, tha Luigj Aliaj, nga Shoqata e Hidrokarbureve.
“Në rastet kur grupet e interesit kanë dyshime të qarta të cilësisë së produktit, të kenë të drejtën të kërkojnë marrje mostre në prezencën e tyre, të jetë IQT-ja e përfshirë si institucion shtetëror edhe në marrjen e mostrës, dhe të ketë të drejtë, gjithmonë kundrejt pagesës, që të mbulojë të gjitha kostot, që analizat të bëhen jo vetëm në laboratorin e IQT-së, por edhe në laboratore të akredituara jashtë Shqipërie, qoftë në tërësi, qoftë në BE. Nuk kemi asnjë kundërshtim”, tha Gjergj Bojaxhi, nga Shoqata e Hidrokarbureve.